Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

35.Përgjigja e përgjithshme dhe e detajuar ndaj pasuesve të së kotës (2)

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Përgjigja kundër pasuesve të së kotës mund të bëhet në dy mënyra: në mënyrë të përgjithshme dhe të detajuar.

Lidhur me përgjigjen e përgjithshme, ajo është një çështje e madhe dhe një përfitim i madh për atë që e kuptonë atë.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Ai është që ta zbriti librin ty, e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka ajete të tjera që nuk janë krejtësisht të qarta (muteshabihat). E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin (interpretimin) e tyre. Po, pos Allahut askush nuk e di komentin e tyre të saktë.” 3:7

Shpjegimi 

Me anë të kësaj autori (rahimehullah) sqaron se ai do t’u përgjigjet këtyre dyshime në dy mënyra:

E para: Në mënyrë të përgjithshme që është e vlefshme për të hedhur poshtë çdo dyshim.

E dyta: Një mënyrë e detajuar.

Kështu duhet të veprojnë dijetarët kur ata debatojnë dhe argumentojnë me të tjerët. Ata duhet të sjellin përgjigje të përgjithshme për të përfshirë atë me të cilën kundërshtari argumentohet. Po ashtu, ata duhet të sjellin përgjigje të detajuar që trajton çdo çështje në vete.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Ajetet e të cilit janë përsosur (në çdo fushë të dijes) dhe pastaj janë shpjeguar në imtësi nga Një (Allahu) i Cili është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohur (deri në imtësi për çdo gjë).” 11:1

Në përgjigjen e përgjithshme, autori (rahimehullah) përmendi se ata që kapen pas ajeteve më pak të qarta janë ata që në zemrat e tyre është devijimi. Kjo është transmetuar në të vërtetë nga profeti ﷺ në lidhje me fjalët e Tij (te ala):

”Ai është që ta zbriti librin ty, e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka ajete të tjera që nuk janë krejtësisht të qarta (muteshabihat). E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin (interpretimin) e tyre. Po, pos Allahut askush nuk e di komentin e tyre të saktë.” 3:7

Prandaj i sheh pasuesit e devijimit – Allahu na ruajt – se ata gjithmonë argumentojnë me ajete më pak të qarta për të mveshur të vërtetën me gënjeshtrat e tyre. Shembuj të kësaj janë se ata thonë:

“Këtu Allahu (te ala) e thotë këtë kurse aty e thotë atë. Si duhet të jetë?”

Kjo është e ngjashme me atë që Nafi ‘bin el-Azrak bëri tek Ibn Abasi (radijAllahu anhume). Es-Sujuti përmendi debatin e tyre në “el-Itkan” dhe është e mundur që edhe dikush tjetër e ka bërë atë, por ajo ngjarje është e dobishme.

Shpërndaje: