Shejtani iu shfaq para Kurejshëve në pamjen e Surakah bin Malik bin Xhahmit. Surakah bin Malik. Ai ishte njëri prej pleqve të njohur të fisit Benu Mexhled. Me qëllim që t’i mashtronte, ai i siguroi dhe i inkurajoi për luftë duke u premtuar mbështetje. Kurejshët kishin frikë se fisi Benu Mexhled mund të përfitonte nga rasti për të sulmuar familjet dhe pasuritë e tyre. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
“Shejtani ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: “Askush në botë nuk do t’ju mundë sot dhe unë jam mbrojtësi juaj”. Mirëpo, kur u ndeshën dy ushtritë (me engjëjt përkrah besimtarëve), ai u kthye nga thembrat e tij dhe u tha (kufarëve): ‘Unë nuk kam të bëj me ju; unë shoh atë që ju nuk e shihni dhe i frikësohem Allahut sepse Allahu ndëshkon ashpër’.” El-Enfal, 8:48
Shejtani kishte parë engjëjt duke zbritur në betejë. Ai pa një ushtri të padukshme, të cilës nuk mund t’i qëndronte dot, prandaj u tërhoq dhe iku.
Engjëjt luftuan ashtu siç ishin urdhëruar nga Allahu -te ala-. Kur një musliman ngrihej për të sulmuar armikun, ai shihte se armiku binte para tij pa e prekur ende. Kjo ishte ndihma hyjnore që Allahu i dhuroi besimtarëve dhe me të cilën Ai bëri që muslimanët t’i poshtërojnë idhujtarët.
Idhujtari i parë që u tërhoq nga fusha e betejës ishte Khalid bin El-A’lam, por edhe ai u kap dhe u zu rob. Muslimanët i ndoqën idhujtarët, disa i vranë, e disa i robëruan. Shtatëdhjetë prej tyre u vranë dhe shtatëdhjetë të tjerë u kapën robër. Pasuria dhe mjetet që lanë pas u morën si plaçkë lufte.
Nga të vrarët ishin edhe disa prej armiqve më të mëdhenj të Islamit, për të cilët i dërguari i Allahut ﷺ kishte treguar një ditë më parë. Ndër ta ishte edhe Ebu Xhehli, Allahu e mallkoftë! Ai u plagos nga Mu’adh bin Amr bin El-Xhemuh dhe Mu’auidh bin Afra, ndërsa goditjen përfundimtare ia dha Abdullah bin Mes’udi -radijAllahu anhu-, i cili ia preu kokën dhe ia çoi të dërguarit të Allahut ﷺ, i cili u gëzua për këtë.