Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë:
”U tha: ”O i dërguari i Allahut! Cilët janë njerëzit më të mirë?”
Ai ﷺ tha: “Njerëzit më të mirë tek Allahu janë ata më të devotshmit.”
Ata thanë: “Nuk të pyetëm për këtë.”
Ai ﷺ tha: “A po më pyesni për origjinën e arabëve?”
Ata thanë: “Po.”
Ai ﷺ tha: “Më i miri prej jush në kohën e injorancës është më i miri në Islam nëse është i ditur në (fe).”
Transmeton Bukhari në Edeb el-Mufred (96), hadithi është sahi sipas imam Albanit.
Ebu Hatim ka thënë:
”Njeriu më i mirë është ai që më së shumti i frikësohet Allahut. Njeriu i mirë është personi i devotshëm.
Devotshmëria është vendosmëria për të vepruar gjërat e urdhëruara dhe për tu përmbajtur nga të gjitha ndalesat. Atij që i është vërtetuar vendosmëria në këto dy cilësi, ai është ”i devotshmi” dhe e meriton që të quhet ”më i miri”. Ndërsa ai që i humb të dyja apo njërën prej tyre, apo një pjesë prej tyre, të tillit i mangësohet nga mirësia e tij aq sa ka humbur prej tyre.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Njeriu i mirë nuk është urrejtës e as ziliqar, nuk kënaqet me diçka që e ka goditur dikë, nuk i sulmon të tjerët, nuk e zë veten me gjëra të kota, nuk është i shkujdesur derisa të shkatërrohet, nuk është keqbërës, mburrës, gënjeshtar, nuk mërzitet shpejt, nuk i shkëput lidhjet me shokun e tij, nuk i dëmton shokët e tij, nuk e humb atë për të cilën është përgjegjës, nuk ka mungesë respekti në dashuri, i jep atij prej të cilit nuk pret që t’ia kthejë atë të mirë, e siguron atë që nuk ka frikë, fal kur ka mundësi të ndëshkojë, i mbanë lidhjet me ata të cilët i shkëpusin ato.”
Ibrahim Ibn Shikiletu ka thënë:
”Çdo gjë ka jetë dhe vdekje. Ajo që i jep jetë njeriut të mirë është kontakti me njerëzit e mirë. Ndërsa ajo që i jep jetë njeriut të keq është shoqërimi me njerëzit e këqij.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Njeriu i mirë bëhet i butë kur trajtohet me ndjeshmëri ndërsa i keqi bëhet i vrazhdë kur trajtohet mirë. Njeriu i mirë i çmon njerëzit e mirë dhe nuk i poshtëron të këqijtë. Nuk e dëmton të mençurin dhe nuk bën shaka me budallain. Nuk shoqërohet me mëkatarin e paturpshëm. Ai u jep përparësi vëllezërve të tij duke u dhënë atyre atë çfarë zotëron…”
Ibrahim Ibn Ebi Alijeh ka thënë:
Unë e pashë se si Selim bin AbdiLah dhe Muhammed bin Abdil-Aziz kalëronin në perandorinë Romake. Kur njëri prej tyre ishte duke pushuar kalin e tij, tjetri ndalej në mënyrë që tjetri ta zinte.”
Sha’bi ka thënë:
”Njerëzit më të mirë janë ata që duan shpejtë dhe urrejnë ngadalë, të tillët ngjasojnë me gotën prej arit e cila thyhet ngadalë dhe riparohet shpejtë. Njerëzit më të këqij janë ata që duan ngadalë dhe urrejnë shpejtë, të tillët ngjasojnë me gotën prej balte e cila thyhet shpejtë dhe riparohet ngadalë.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Njeriu i mirë është ai që kur i jepet diçka falënderon. E justifikon atë që nuk i jep. I mban lidhjet me këdo që i shkëput prej tij. Favorizon atë që i mban lidhjet me të. I jep atij që kërkon prej tij. Merr iniciativën dhe i jep atij që nuk e kërkon. E mëshiron të dobëtin. Nëse dikush e konsideron të dobët, ai e konsideron vdekjen sesa të perceptohet si i tillë. Ndërsa njeriu i keq është e kundërta e çdo gjëje që kemi përmendur.”
Ebu Isa ka thënë:
”Ibrahim Ibn Ed’hem ishte fisnik. Shoqërohej me njerëzit ashtu sikurse ishin ata dhe hante me ta.
Ndonjëherë u dhuronte atyre mish të pjekur në skarë dhe lloje hurmash. Kur ishte i vetëm me shokët e tij me të cilët ai ndjehej rehat ndodhte që të bënin mundje.
Tha: Ai bënte punën e dy burrave dhe kur ishte vetëm hante brumë.”
Ebul Hauari ka thënë:
E kam dëgjuar babain tim duke thënë: Nuk ka njeri të cilit nuk i pranohet pendimi përveç atij me karakter të keq. Ai nuk pendohet nga ndonjë mëkat vetëm se do të bjerë në një mëkat më të keq (sesa ai para tij).”
Ebu Hatim ka thënë:
”Njeriu i mirë lë gjurmë të lavdërueshme në këtë jetë. Veprimet e tij pranohen në jetën tjetër. Është i dashur nga ai që është larg dhe ai që është afër tij. Të pakënaqurit dhe të kënaqurit ndihen rehat me të. Armiku dhe i keqi qëndrojnë larg tij. I mençuri dhe i urti shoqërohen me të.
Nuk kam parë asgjë që t’ia ulë fisnikërinë njeriut të mirë sikurse varfëria qoftë ajo në zemër apo në gjërat materie.”
Ebu Xhuhejfeh ka thënë:
”Uluni me të moshuarit, shoqërohuni me të mençurit dhe pyesni dijetarët.”