Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Selefët -Allahu qoftë i kënaqur me ta- i praktikuan këto hadithe. Ka shumë shembuj të kësaj, disa prej të cilëve janë:
1 – Eslem, skllavi i Umerit, tha:
Kur Umeri mbërriti në Sham, një nasrani (i krishterë) i përgatiti ushqim atij dhe i tha:
“Unë dua që ti dhe shoku yt të vini në shtëpinë time dhe të më nderoni.”
Ky njeri ishte një nga më të mëdhenjtë (në pozitë) në Sham.
Umeri -radijAllahu anhu- u përgjigj:
“Ne nuk hyjmë në kishat tuaja për shkak të figurave që janë në to.” 1
2 – Ebu Mesud Ukbeh bin Amir ka thënë:
“Një burrë më ftoi në gosti.
E pyeta: “A ke figura në shtëpi?”
Ai u përgjigj: “Po”.
Refuzova të hyjë brenda derisa ai theu figurat, e pastaj hyra.”2
3 – Imam el-Euzai ka thënë:
“Ne nuk marrim pjesë në gosti ku ka daulle dhe vegla muzikore.”3
1 Transmeton Bejhaki 7/268 me një zinxhir të saktë transmetimi. Vepra e Umerit është dëshmi e qartë kundër disa teologëve që marrin pjesë në kisha që përmbajnë imazhe dhe skulptura por jo vetëm kaq, ata dëgjojnë atë që flet dhe ndoshta ai që flet është musliman që shpreh kufër dhe devijim dhe ata nuk thonë asgjë, ata nuk e shfaqin gjykimin sheriatik rreth kësaj çështje edhe pse ata dinë rreth çështjes. Për shembull, disa thonë se nuk ka asnjë dallim mes muslimanëve dhe nasarave të (krishterëve) dhe se feja është çështje e Allahut ndërsa vendi është çështje e të gjithë njerëzve, ndërsa disa të tjerë dëshmojnë për paganët se janë shehidë kur në parim as për muslimanët nuk mund të thuhet një gjë e tillë vetëm në bazë të kushteve të njohura. Po kështu ata shfaqin dhe kundërshtime të tjera, vërtet të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
2 Transmeton Bejhaki me një zinxhir të saktë transmetimi siç ka thënë Hafidh Ibn Haxheri në “Fet’h-ul-Bari 9/204”, Ebu Bekr el-Marrudhi e përmendi atë me një zinxhir transmetimi të reduktuar në “Kitab-ul-Uar 20/1”.
3 Transmeton Ebul-Hasan el-Harbi në “el-Fauaid el-Muntakat 4/3/1” me një zinxhir të saktë transmetimi.