Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 118-119
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَمَن كَانَ يَرْجُو لِقَاء رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلَا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا
”Thuaj: ”Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se i Adhuruari juaj është një. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” El-Kehf, 18:110
2 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Allahu -te ala- ka thënë: ”Unë jam më i Vetëmjaftueshmi që nuk ka nevojë për ndonjë ortak. Kushdo që kryen një vepër duke më shoqëruar Mua ndonjë ortak, Unë do ta braktis atë dhe idhujtarinë e tij.”
Transmeton Muslimi (2985), Ahmedi (2/301, 435), Ibn Maxheh (4202) dhe Ibn Khuzejmeh (938).
3 – Ebu Seid el-Khudri -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“A të mos iu tregoj se çfarë më frikëson më shumë për ju se el-Mesih ed-Dexhalli?” Ata thanë: ”Patjetër, o i dërguari i Allahut.” Ai tha: ”Shirku i fshehtë, një person ngrihet për t’u falur dhe e zbukuron namazin kur e di që njerëzit po e shikojnë atë.”
Ahmedi (11270) dhe Ibn Maxheh (4203). I mirë sipas Albanit në ”Sahih Sunen Ibn Maxheh (3389)”.
Shpjegimi
Autori e ka shkruar këtë kapitull për të paralajmëruar kundër syefaqësisë. Syefaqësi do të thotë që një person bën një vepër në mënyrë që të tjerët ta shohin dhe ta lavdërojnë atë ose për motive të tjera materiale. Mund gjithashtu të bëhet fjalë se ai dëshiron që të tjerët ta dëgjojnë se si ai lexon Kuran, se si e lavdëron Allahun, si urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja. Prandaj në hadith thuhet:
“Ai që dëshiron reputacion, Allahu do t’i jep reputacion, Ai që dëshiron që puna e tij të shihet, Allahu do ta bëjë që të shihet puna e tij.”
Transmeton Bukhari (6499) dhe Muslimi (93).
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Ai që dëshiroi reputacion, Allahu i dha reputacion dhe ai që dëshiroi që puna e tij të shihej, Allahu bëri që të shihej puna e tij.”
Kjo do të thotë se Allahu e zbulon atë dhe e turpëron në bazë të veprimit të tij. Muslimani është i detyruar të veprojë sinqerisht dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut.
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَمَن كَانَ يَرْجُو لِقَاء رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلًا صَالِحًا وَلَا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَدًا
”Thuaj: ”Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se i Adhuruari juaj është një. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!“
Vepra e mirë përbëhet nga dy kushte:
1 – Tërë adhurimi duhet të bëhet sinqerisht për hir të Allahut.
2 – Adhurimi duhet të jetë në përputhje me sheriatin (sipas Kuranit ose sunnetit) dhe nuk lejohet të jetë i shpikur.
Ai që me të vërtetë dëshiron ta takojë Zotin e tij duhet të veprojë sipas sheriatit dhe të mos adhurojë dikë karshi Zotit të tij.
2 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Allahu -te ala- ka thënë: ”Unë jam më i Vetëmjaftueshmi që nuk ka nevojë për ndonjë ortak. Kushdo që kryen një vepër duke më shoqëruar Mua ndonjë ortak, Unë do ta braktis atë dhe idhujtarinë e tij.”
Transmeton Muslimi (2985), Ahmedi (2/301, 435), Ibn Maxheh (4202) dhe Ibn Khuzejmeh (938).
Kjo dëshmon se Allahu distancohet nga veprat të cilat janë të përziera me shirk dhe se Ai nuk i pranon ato. Në një formulim tjetër thuhet:
“Unë qëndrojë larg tyre. Le të shkojnë tek ai që e kanë adhuruar.”
Kjo dëshmon se sinqeriteti është obligim.
3 – Ebu Seid el-Khudri -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“A të mos iu tregoj se çfarë më frikëson më shumë për ju se el-Mesih ed-Dexhalli?” Ata thanë: ”Patjetër, o i dërguari i Allahut.” Ai tha: ”Shirku i fshehtë, një person ngrihet për t’u falur dhe e zbukuron namazin kur e di që njerëzit po e shikojnë atë.”
Në ditën e gjykimit, Allahu u thotë atyre që bënin syefaqësi:
“Shkoni tek ata për të cilin vepruat në tokë dhe shikoni nëse ata kanë ndonjë shpërblim.”
Kjo dëshmon se sa e rrezikshme është syefaqësia dhe sidomos për adhuruesit. Ai ﷺ kishte frikë për sahabët të cilët ishin njerëzit më të mirë. Sepse syefaqësia i godet edhe të devotshmit. Ata sprovohen me syefaqësi si gjithë të tjerët dhe ata e marrin me lehtësi atë. Dexhalli mund të njihet me anë të shenjave dalluese, kurse shirku i fshehtë është më i rrezikshëm sepse ai është i fshehur në zemër përtej shikimit të njerëzve. Megjithatë, madje edhe ai ka shenja që mund të shihen tek poseduesi i tij.
Profeti ﷺ tha në hadithin autentik:
”Shirku i fshehtë, një person ngrihet për t’u falur dhe e zbukuron namazin kur e di që njerëzit po e shikojnë atë.”