Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

36.Thënia “Unë jam besimtar in sha’a Allah”, (fundi i librit)

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Thënia “Unë jam besimtar in sha’a Allah”

Rreth kësaj ka tre mendime:

1 – Mendimi i parë: Kjo thënie është e ndaluar të thuhet dhe këtë mendim e kanë Murxhiat, Xhehmitë dhe të tjerët si këta. Mendimi i tyre bazohet në faktin se imani është një gjë e vetme për të cilin çdo qenie njerëzore është e vetëdijshme, dhe ai është besimi që gjendet në zemër, e në rast se ai thotë “unë jam besimtar in sha’a Allah” atëherë kjo është argument se ai ka dyshim në besimin e tij dhe për këtë arsye grupi i mësipërm i quan ata që e thonë këtë shprehje ’’Dyshuesit’’

2 – Mendimi i dytë thotë se është obligim të thuhet “jam besimtar in sha’a Allah”. Mendimi i tyre bazohet në dy gjëra:

1 – Njeriu vdes me një besim të caktuar dhe ose do të vdesë besimtar, ose do të vdesë kafir. Kjo gjë i përket së ardhmes dhe nuk mund ta dimë kështu që nuk lejohet të jesh i prerë në dëshminë për këtë gjë. Shumë nga të mëvonshmit në mesin e sektit Kulabij dhe të tjerët argumentohen në këtë mënyrë. Megjithatë, nuk është njohur që ndonjë nga selefët të argumentohej në këtë mënyrë. Argumenti i selefëve ishte:

2 – Imani absolut nënkupton që të gjitha urdhrat të kryhen dhe të gjitha ndalesat të braktisen. Një person nuk mund të jetë i prerë në dëshminë e tij lidhur me këtë dhe nëse do të ishte i prerë atëherë si rrjedhojë do të lavdëronte veten e tij dhe do të dëshmonte se është nga të devotshmit dhe kjo nënkupton se ai po dëshmon se është prej banorëve të xhenetit pretendim i cili nuk lejohet të thuhet.

3 – Mendimi i tretë thotë se kjo thënie duhet detajuar.

Nëse personi thotë “unë jam besimtar in sha’a Allah” për shkak të dyshimit që ka nëse tek ai gjendet apo jo baza e besimit atëherë kjo është e ndaluar madje është kufër,ö sepse imani është siguri dhe bindje ndërsa dyshimi është në kundërshtim me të. E nëse kjo thuhet për shkak të frikës nga vetëlavdërimi apo frikës se po dëshmon për veten e tij se e ka plotësuar imanin në fjalë, në vepra dhe me zemër atëherë për arsyen e mësipërme është obligim të paturit frikë.

E nëse e thotë këtë fjalë për të patur mirësi duke theksuar se çdo gjë është në dëshirën e Allahut dhe për të treguar se imani që gjendet në zemrën e tij është vetëm si rezultat i dëshirës së Allahut atëherë kjo shprehje është e lejuar të thuhet.

Për shkak të kësaj që thamë më sipër të thënit ’’in sha’a Allah’’ nuk e mohon prezencën e imanit.

Në kontekste të ngjashme është përmendur fjala ’’in sha’a Allah’’ për gjëra të cilat kanë ndodhur në realitet si për shembull fjalët e Allahut (te ala):

لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِنْ شَاءَ اللَّهُ آمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ

“Padyshim që ju do të hyni në El-Mesxhid El-Haram -in sha’a Allahu- të sigurt disa me kokën të rruar e disa me flokë të shkurtuar pa pasur aspak frikë.” 48:27

Pra është e gabuar të gjykojmë në mënyrë të padetajuar fjalën “Unë jam besimtar in sha’a Allah” pasi patjetër duhet detajuar dhe Allahu e di më së miri.

Salauatet dhe selami qofshin mbi profetin tonë Muhammed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Me datën 8 të muajit Dhul-Ka’dah të viti 1380 hixhri.

Falënderimi dhe lavdërimi i përket vetëm Allahut me mirësinë e të Cilit përmbushen veprat e mira.

Shpërndaje: