Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 120-121
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
مَن كَانَ يُرِيدُ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيْهِمْ أَعْمَالَهُمْ فِيهَا وَهُمْ فِيهَا لاَ يُبْخَسُونَ أُوْلَئِكَ الَّذِينَ لَيْسَ لَهُمْ فِي الآخِرَةِ إِلاَّ النَّارُ وَحَبِطَ مَا صَنَعُواْ فِيهَا وَبَاطِلٌ مَّا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
”Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” Hud, 11:15-16
2 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”U shkatërroftë robi i dinarit, u shkatërroftë robi i dirhemit, u shkatërroftë robi i rrobës së pëlhurës, u shkatërroftë robi i kadifës. Kur i jepet kënaqet e kur nuk i jepet hidhërohet. U shkatërroftë dhe u prapësoftë sa që edhe nëse i hyn një gjemb kurrë mos iu largoftë. Xheneti qoftë për atë njeri që kapet pas frerëve të kalit të tij me flokë të shprishura dhe këmbë të pluhurosura dhe lufton në rrugën e Allahut. Nëse caktohet në rojë, ai ruan, e nëse caktohet në fund të ushtrisë, shkon në fund të saj. Nëse kërkon leje nuk i jepet ajo, dhe nëse ndërmjetëson për dikë nuk i pranohet ndërmjetësimi.” Bukhari (2887).
Shpjegimi
Kufri ndahet në dy lloje: kufër i madh dhe i vogël. Ndërsa ky lloj kufri mund të jetë i madh ose i vogël. Ai që hyn në Islam për qëllime të dynjasë bie në kufër të madh dhe është si hipokritët të cilët janë në fund të xhehenemit. Ndërsa është kufër i vogël nëse personi lexon Kuran apo urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja për syefaqësi. E njëjta gjë vlen nëse ai del në xhihad për hir të plaçkës së luftës dhe jo për hir të Allahut. Ai është besimtar musliman por ka rënë në këto gjëra.
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
مَن كَانَ يُرِيدُ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيْهِمْ أَعْمَالَهُمْ فِيهَا وَهُمْ فِيهَا لاَ يُبْخَسُونَ أُوْلَئِكَ الَّذِينَ لَيْسَ لَهُمْ فِي الآخِرَةِ إِلاَّ النَّارُ وَحَبِطَ مَا صَنَعُواْ فِيهَا وَبَاطِلٌ مَّا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
”Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” Hud, 11:15-16
Ky është një kërcënim. Ajeti flet për kufarët të cilët e adhuronin Allahun për qëllime të dynjasë sikurse vepruan për shembull hipokritët. Përshkrimi i përgjithshëm i ajetit kërkon që njeriu të ruhet që të mos adhurojë për qëllime dynjaje. Dhe në aspektin e përgjithshëm ajeti obligon të kihet kujdes që njeriu të mos synojë dynjanë me veprat e tij qoftë edhe vetëm në disa gjëra. Po kështu, Allahu -te ala- thotë:
مَن كَانَ يُرِيدُ حَرْثَ الْآخِرَةِ نَزِدْ لَهُ فِي حَرْثِهِ وَمَن كَانَ يُرِيدُ حَرْثَ الدُّنْيَا نُؤتِهِ مِنْهَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِن نَّصِيبٍ
”Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.” Esh-Shura, 42:20
مَّن كَانَ يُرِيدُ الْعَاجِلَةَ عَجَّلْنَا لَهُ فِيهَا مَا نَشَاء لِمَن نُّرِيدُ ثُمَّ جَعَلْنَا لَهُ جَهَنَّمَ يَصْلاهَا مَذْمُومًا مَّدْحُورًا
”Kush është që e ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atë e bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur.” El-Isra, 17:18
Ky ajet kufizon ajetin e mëparshëm pasi që jo të gjithë që e dëshirojnë dynjanë e arrijnë atë. Është e mundur që personi arrin vetëm një pjesë të saj.
Allahu -te ala- ka thënë:
وَمَنْ أَرَادَ الآخِرَةَ وَسَعَى لَهَا سَعْيَهَا وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُولَئِكَ كَانَ سَعْيُهُم مَّشْكُورًا
”E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i shpërblyer (te Zoti).” El-Isra, 17:19
Kjo dëshmon se dëshira nuk mjafton pa përpjekje dhe besim. Njeriu duhet të veprojë, të besojë në Allahun dhe ta adhurojë vetëm Atë. Përpjekja e personit të tillë është ajo që shpërblehet nga Allahu dhe besimtarët. Kjo dëshmon gjithashtu se veprat duhet të bëhen sinqerisht dhe se shirku i asgjëson ato.
2 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”U shkatërroftë robi i dinarit, u shkatërroftë robi i dirhemit, u shkatërroftë robi i rrobës së pëlhurës, u shkatërroftë robi i kadifës. Kur i jepet kënaqet e kur nuk i jepet hidhërohet. U shkatërroftë dhe u prapësoftë sa që edhe nëse i hyn një gjemb kurrë mos iu largoftë. Xheneti qoftë për atë njeri që kapet pas frerëve të kalit të tij dhe lufton në rrugën e Allahut, me flokë të shprishura dhe këmbë të pluhurosura. Nëse caktohet në rojë, ai ruan, e nëse caktohet në fund të ushtrisë, shkon në fund të saj. Nëse kërkon leje nuk i jepet ajo, dhe nëse ndërmjetëson për dikë nuk i pranohet ndërmjetësimi.”
U shkatërroftë ai që me hyrjen e tij në Islam synon këtë apo me veprat e tij synon këtë. U shkatërroftë ai që adhuron për para ose për gjëra të dynjasë. Kështu veprojnë hipokritët dhe të tjerët. Një person i tillë humbet shpërblimin e tij dhe në vend së të shpërblehet, ai mëkaton. Prandaj profeti ﷺ u lut për shkatërrimin e tij.
Profeti ﷺ tha:
“sa që edhe nëse i hyn një gjemb kurrë mos iu largoftë”
Mos pastë kush që ia nxjerr atë. Kjo është një lutje kundër tij në mënyrë që punët e tij të vështirësohen dhe që ai të ketë një përfundim të keq.
Profeti ﷺ tha:
“Xheneti qoftë për atë njeri që kapet pas frerëve të kalit të tij me flokë të shprishura dhe këmbë të pluhurosura dhe lufton në rrugën e Allahut.”
Ai është kaq i kujdesur dhe i përkushtuar për xhihad saqë ai nuk ka kohë për t’u kujdesur për flokët e tij ose që të pastrojë trupin.
Profeti ﷺ tha:
“Nëse caktohet në rojë, ai ruan, e nëse caktohet në fund të ushtrisë, shkon në fund të saj. Nëse kërkon leje nuk i jepet ajo, dhe nëse ndërmjetëson për dikë nuk i pranohet ndërmjetësimi.”
Ai është një prej grupit dhe nuk dallohet. Ky është sinqeriteti i tij i plotë dhe ndershmëria e tij. Atij nuk i interesojnë postet e larta apo prania tek mbretërit, liderët dhe personalitetet e rangut të lartë. Kjo është arsyeja pse ata nuk e dinë se kush është ai. Ai është personi të cilit do t’i jepet xheneti dhe lumturia ndryshe nga hipokriti dhe personi i cili vepron për qëllime të kësaj dynjaje kur ai urdhëron, ndalon, mundohet dhe bënë vepra të tjera fetare; vepra e një personi të tillë është e asgjësuar.