Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

36.Përgëzimi i atij që i vdesin tre ose më shumë fëmijë

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Bukhariu ka thënë: ”Tema; Mirësia e atij që i vdes një fëmijë dhe shpreson shpërblimet. Dhe fjala e Allahut të Lartësuar:

وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ

”Prandaj, përgëzoi të duruarit.”

Bukhariu transmeton nga Enesi i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: ”Nuk ka asnjë mysliman në mesin e njerëzve, të cilit i vdesin tre fëmijë para se të arrijnë moshën e pjekurisë, vetëmse Allahu do ta fusë në Xhenet për shkak të mëshirës së gjerë ndaj tyre.”

Ahmedi transmeton nga Ebu Hurejre radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: ”Nuk ka dy (burrë dhe grua) myslimanë të cilëve iu vdesin tre fëmijë para se të mbushin moshën e pjekurisë, vetëmse Allahu do t`i fusë në Xhenet ata dhe prindërit e tyre nga mëshira e Tij ndaj tyre.

Tha, do t`i thuhet atyre: ”Hyni në Xhenet!”

Tha: ”Ata do të thonë: Derisa të vijnë prindërit tanë.”

Tha: ”Do t`i thuhet atyre tri herë dhe ata do të përgjigjen njësoj.”

Tha: ”Pastaj iu thuhet atyre: ”Hyni në Xhenet ju dhe prindërit e juaj!”

Bukhariu transmeton nga Ebu Seid El-Khudrij se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: ”Çdo gruaje të cilës i vdesin tre fëmijë, vetëmse ato do ta mbrojnë atë prej zjarrit.”

Një grua tha: ”Po dy fëmijë?”

Ai salallahu alejhi ue selem tha: ”Edhe dy.”

Muslimi transmeton nga Ebu Hurejra i cili ka thënë: ”Një grua erdhi me një fëmijë të vogël të saj dhe tha: ”O i Dërguari i Allahut! Lutju Allahut (për të)! Sepse unë i kam varrosur tre (fëmijë).

Ai tha: ”I ke varrosur tre (fëmijë)?

Ajo u përgjigj: ”Po.”

Ai tha: ”Me të vërtetë që ti ke të është dhënë një mbrojtje shumë e fortë ndaj Zjarrit.”

Në këto hadithe ka argumente se fëmijët e myslimanëve janë në Xhenet. Disa dijetarë kanë përcjellur ixhman (konsensusin) mbi këtë çështje.

El-Mauerdij ka thënë: ”Sa i përket fëmijëve të Profetëve, ka ixhma se ata janë në Xhenet. Ndërsa sa i përket fëmijëve të tjerë të myslimanëve, shumica e dijetarëve mendojnë se ata janë në Xhenet. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

وَالَّذِينَ آمَنُوا وَاتَّبَعَتْهُمْ ذُرِّيَّتُهُم بِإِيمَانٍ أَلْحَقْنَا بِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَمَا أَلَتْنَاهُم مِّنْ عَمَلِهِم مِّن شَيْءٍ

”Ne do t`u bashkojmë besimtarëve pasardhësit e tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t`u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre.”

Disa nga filozofët janë ndalur në këtë çështje dhe kanë thënë se kjo çështje nuk është definitive aspak, ashtu sikurse nuk është definitive edhe për ata të cilët janë të përgjegjshëm për veprat e tyre. Ky mendim është i gabuar. Porse ata (filozofët) argumentohen me një hadith nga Aishja i cili është i saktë në të cilin thuhet: ”Vdiq një fëmijë nga Ensarët dhe Aishja tha: ”Lum për të! Është një zog nga zogjtë e Xhenetit. Ai nuk ka vepruar asnjë vepër të keqe dhe nuk i arriti ato (veprat).

Profeti salAllahu alejhi ue selem tha: ”Ose diçka tjetër oj Aishe? Allahu ka krijuar njerëz për në Xhenet. Ai i krijoi ata për të (Xhenetin) kur ato ishin në shtyllën kurrizore e baballarëve të tyre. Ai ka krijuar edhe njerëz për në Zjarr. Ai i krijoi ato për të (zjarrin) kur ata ishin në shtyllën kurrizore e baballarëve të tyre.

Dijetarët i janë përgjigjur këtij (argumentimi me këtë hadith) duke thënë se Profeti salAllahu alejhi ue selem e ndaloi Aishen që të mos nxitohet në nxjerrjen e konkluzioneve të prera pa argumente definitive.

Neueuiu (Allahu e mëshiroftë!) në shpjegimin e Muslimit ka thënë: ”Është e mundur dhe mund të mendohet që Profeti salAllahu alejhi ue selem e ka thënë ketë para se Ai ta dinte se fëmijët e myslimanëve do të hyjnë në Xhenet. Kur ajo iu bë me dije, Ai tha: ”Nuk ka asnjë mysliman në mesin e njerëzve, të cilit i vdesin tri fëmijë para se të arrijnë moshën e pjekurisë, vetëmse Allahu do ta fusë në Xhenet për shkak të mëshirës së gjerë ndaj tyre.”

Ndërsa sa i përket haditheve që flasin për tre fëmijë, më pas u pyet për dy fëmije dhe tha: ”Edhe dy.” kjo mund të jetë se iu shpall Atij kur u pyet për dy fëmijët. E njëjta gjë është edhe kur është pyetur për një fëmijë tek disa transmetime. Allahu e din më së miri.

Shpërndaje: