Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Hudhejfe -radijAllahu anhu- ka thënë:
E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
”Nuk do të hyjë në xhenet thashethemexhiu.”
Transmeton Muslimi (105).
Ebu Hatim ka thënë:
”Të gjithë njerëzit janë të obliguar që të largohen nga gjitha mendimet shkaqet e të cilave shpien në urrejtje dhe ndarje mes njerëzve. I mençuri nuk futet në mendimet të cilat i përmendëm dhe as që i pranon fjalët e thashethemexhiut sepse e di se çfarë mëkati dhe çfarë ndëshkimi ka për thashethemexhiun dhe për veprën e tij.”
Sulejman Ibn Daud -salAllahu alejhima ue selem- i tha birit të tij:
”Biri im! Ki kujdes nga thashethemet sepse ato janë më të mprehta se shpata.”
Amr Ibn Mejmun ka thënë:
”Kur Musai i biri i Imranit ﷺ nxitoi që të takohet me Zotin e tij, e pa një burrë poshtë arshit dhe dëshiroi edhe ai një vend si të atij burri, dhe e pyeti Zotin e tij që t’i tregoi emrin e atij burrit.”
Zoti nuk ia tregoi emrin, por i tha: “Në vend të kësaj, Unë do t’i tregoj tre nga tiparet e tij; Ai nuk i kishte zili njerëzit për gjërat që Allahu ua kishte dhënë atyre, nuk i trajtonte keq prindërit e tij dhe nuk merrej me thashetheme.”
El-Utbij ka thënë:
”E kam dëgjuar një grua beduine duke këshilluar të birin e saj, i thoshte: Ruaji sekretet dhe kujdes nga thashethemet sepse thashethemet nuk lënë miqësi vetëm se e prishin dhe çdo urrejtje vetëm se e ndezin atë.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Duhet patjetër që të ruhemi nga të ulurit me atë që është i njohur për thashetheme, as nuk duhet t’i besojmë dashurisë që shfaq ai, nuk duhet t’i vazhdojmë lidhjet me të apo të jetojmë me të.”
Ibrahim Ibn Ebi Uljeh ka thënë:
”Isha i ulur me Ummu Derdan, i erdhi dikush dhe i tha:
Oj Ummu Derda! Një burrë të fyeu te Abdul-Melik Ibn Meruani.”
Ajo u përgjigj:
”Disa herë akuzohemi me atë që nuk gjendet tek ne e disa herë ngrihemi (duke u lavdëruar) me diçka e cila nuk gjendet tek ne.”
Ebu Hatim ka thënë:
“I mençuri e ka obligim që t’i injorojë fjalët që përhapin thashethemexhinjtë duke i refuzuar të gjitha ato me mirësi dhe të largohet nga gjërat që nuk i përshtaten njerëzve të mençur.”
Jahja Ibn Ebi Kethir ka thënë:
“Atë që e arrin thashethemexhiu për një kohë të shkurtër, nuk e arrin magjistari për një muaj.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Prej fryteve të thashethemeve është se ato i heqin perdet (gjërave që janë të mbuluara dhe zbulohen), i përhapin sekretet, nxisin urrejtje, e largojnë dashurinë, e shtojnë armiqësinë, e përçajnë xhematin, e shtojnë urrejtjen dhe e shtojnë frikën.
Nëse dikush mëson se vëllai i tij ka bërë diçka, atëherë obligohet ta këshillojë atë duke ia pranuar ndjesën nëse ai kërkon ndjesë dhe duke ia pranuar arsyetimin nëse arsyetohet. Megjithatë, nuk duhet ta kritikojë shumë. Përveç kësaj duhet të sigurohet që të jetë mirënjohës kur të drejtat e dikujt i ruhet, i durueshëm kur të drejtat humbin dhe të jetë këshillues kur trajtohet me të keqe.”
Ali Ibn Ebi Talib ka thënë:
”Mos kritiko shumë. Kritika sjell urrejtje dhe neveri dhe është tipar i keq.”