Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

38.Atëherë gruas i lejohet të shfaqë fytyrën dhe duart

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq.88-89

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Sidoqoftë, është e rëndësishme të shtohet se gruas i lejohet të shfaqë fytyrën dhe duart vetëm nëse në to nuk ka stoli (bukuri) për shkak se ajeti është i përgjithshëm.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ

Dhe të mos i shfaqin bukuritë (pjesët e trupit dhe stolitë në to) e tyre.” 1

Përndryshe, si fytyra ashtu edhe duart duhet të mbulohen. Kjo vlen veçanërisht sot në këtë kohë kur fytyrat dhe duart e grave janë bërë objekt i artit në formën e dekorimeve dhe makiazheve të ndryshme. Asnjë musliman, sidomos ai që është i mençur dhe që ka xhelozi nuk dyshon në ndalesën e kësaj. Ndërsa ndalesa nuk vlen për kuhël dhe kënanë sepse ato janë të përjashtuara nga ajeti siç e kemi përmendur më përpara. E përforcon këtë ajo që ka transmetuar Ibn Sa’di përmes Sufjanit, nga Mensur, nga Rib’i bin Khurash, nga një grua, nga motra e Hudhejfes (i cili kishte disa motra që kanë jetuar në kohën e profetit ) e cila tha:

I dërguari i Allahut na këshilloi dhe tha:

“O ju gra! A nuk keni argjend që ta përdorni për zbukurimet (stolitë) tuaja? Nuk ka grua që shfaq zbukurimet e saj prej ari (floriri) vetëm se do të ndëshkohet për këtë.”

Mensuri tha: “Unë ia tregova këtë Muxhahidit i cili tha: “Unë i kam arritur ato gra. Njëra prej tyre mund ta mbulonte unazën e saj me mëngë.” 2

Nuk është qëllimi im të argumentuarit me këtë hadith edhe pse në të ka tekst të qartë për ndalesën e mësipërme pasi që në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi është një grua e panjohur emri i së cilës nuk dihet. Argumenti qëndron në fjalët e Muxhahidit që janë tekst i qartë që forcojnë atë që përmenda dhe falënderimi i takon Allahut për dhënien e suksesit. Më pas unë kam gjetur fjalët e Muxhahidit të transmetuara me një zinxhir tjetër autentik në “el-Musned” të Ebu Ja’alës (6989).


1 24:31

2 et-Tabakat el-Kubra 8/238-239

Shpërndaje: