“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

38.Hadithi i Xhibrilit në lidhje me Islamin, besimin dhe ihsanin

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
 Sherh Thalathat-il-Usul, fq. 45
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Dëshmia për këtë është hadithi i vërtetë, i transmetuar nga Umer bin el-Khatabi -radijAllahu anhu-:

“Një ditë, kur ne ishim ulur me të dërguarin e Allahut ﷺ, një njeri erdhi tek ne, ishte i veshur me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zinj. Tek ai nuk dukeshin shenjat e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njihte. Ai u ul pranë profetit ﷺ dhe i drejtoi gjunjët pranë gjunjëve të tij ﷺ, i vendosi duart mbi kofshët e tij dhe tha:

“O Muhammed, më informo rreth Islamit!

I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, ta agjërosh muajin e Ramazanit dhe nëse ke mundësi, ta bësh haxhin në shtëpinë e shenjtë.

Pyetësi tha: “Ke thënë të vërtetën.”

Ndërsa ne u befasuam sepse po e pyet dhe po ia vërteton.

Pastaj i tha: “Më informo rreth besimit (imanit)!”

I dërguari ﷺ tha:

“Imani është të besosh në:
1 – Allahun.
2 – Engjëjt e Tij.
3 – Librat e Tij.
4 – Të dërguarit e Tij.
5 – Ditën e ringjalljes.
6 – El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij
.”

Pyetësi tha: “Ke thënë të vërtetën.”

Pastaj tha: Më informo rreth ihsanit!” 

I dërguari ﷺ tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse e sheh Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, vërtetë Ai të sheh ty.”

Pyetësi tha: “Më njofto rreth çastit.”

Ai ﷺ tha: “I pyeturi nuk di më shumë se pyetësi.”

Pyetësi tha: “Më lajmëro për shenjat e tij!”

I dërguari ﷺ tha: “Kur robëresha ta lind zonjën e saj dhe kur t’i shihni barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur dhe të varfër duke garuar në ndërtimin e ndërtesave të larta.”

Pastaj ai shkoi dhe unë mbeta ulur për një kohë të gjatë.

Pastaj i dërguari ﷺ me tha: “O Umer, a e di se kush ishte pyetësi?”

U përgjigja: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.”

I dërguari ﷺ tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”

Transmeton Muslimi (8).

Shpërndaje: