Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

59.Leximi në namazin e natës

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 102-106

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

6 – Namazi i natës

Ndonjëherë profeti lexonte me zë dhe ndonjëherë në heshtje1. Ndonjëherë lexonte shkurt dhe ndonjëherë lexonte një kohë të gjatë. Ndonjëherë lexonte aq gjatë saqë Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:

”Një natë u fala me profetin ﷺ. Ai qëndroi dhe lexoi aq gjatë sa që më shkoi në mendje një mendim i keq.”

E pyetën: ”Çfarë mendove?

Ai tha: ”Më shkoi mendja që të ulem dhe ta braktisi profetin.”2

Hudhejfe bin El-Jaman ka thënë:

”Një natë u fala me profetin ﷺ. Kur ai filloi namazin me suren ”El-Bekare”, mendova se ai zbret në ruku pas njëqind ajeteve. Ai lexoi më tutje. Pastaj mendova se ai i lexon dyqind ajete. Ai lexoi më tutje. Pastaj mendova se ai zbret në ruku kur ta mbaron leximin e sures. Pastaj ai filloi ta lexojë suren ”En-Nisa” dhe e lexoi atë. Pastaj ai filloi ta lexojë suren ”Ali Imran”3 dhe e lexoi atë. Ai ndalej pas çdo ajeti. Kur ai lexonte një ajet në të cilin Allahu e ka lartësuar Veten, ai bënte tesbih, kur ai lexonte një ajet në të cilën përmendet lutja, ai lutej, dhe kur ai lexonte një ajet në të cilin përmendet mbrojtja, ai kërkonte mbrojtje. Pastaj ai zbriti në ruku…”4

Një natë kur ai kishte dhimbje lexoi shtatë suret më të gjata.5

Mund të ndodhte që ai lexonte një nga këto suret në çdo rekat.6

Nuk dihet se ai ndonjëherë të ketë lexuar tërë Kuranin gjatë një nate7. Në fakt, ai nuk e pëlqeu këtë kur Abdullah bin Amr -radijAllahu anh- dëshiroi ta bëjë këtë, ai e sugjeroi atë:

”Lexoje tërë Kuranin një herë në muaj.”

Ai tha: ”Unë mund të bëjë më shumë se kaq.”

Ai tha: ”Lexoje tërë Kuranin çdo të njëzetën natë.”

Ai tha: ”Unë mund të bëjë më shumë se kaq.”

Ai tha: ”Lexoje atë çdo të shtatën natë dhe mos lexo më shumë se kaq.”8

Pastaj ai e lejoi atë që ta lexoj për pesë ditë9 dhe në fund për tre ditë10. Ai e ndaloi atë që të lexoj më shpejt se kaq11 dhe e shpjegoi arsyen:

”Ai që e lexon Kuranin më shpejt se tre ditë nuk do ta kuptojë atë.”12

Në një tjetër formulim, ai thotë:

”Kushdo që e lexon Kuranin më shpejt se tri ditë nuk do ta kuptojë atë.”13

Ai gjithashtu i tha atij:

”Çdo adhurues ka një fazë entuziazmi14 dhe çdo fazë entuziazmi ka një shkarje që shpie në sunnet, ose në bidat. Nëse shkarja e tij e shpie në sunnet, ai është udhëzuar, nëse shkarja e tij e shpie në diçka tjetër pos kësaj, ai është shkatërruar.”15

Prandaj ai nuk e lexoi Kuranin më shpejt se tre ditë.16

Ai ka thënë:

”Ai që lexon dyqind ajete gjatë një nate shkruhet në mesin e njerëzve që qëndrojnë gjatë në ibadet dhe janë të sinqertë.”17

Çdo natë ai lexonte suret ”El-Isra” dhe ”Zumer.”18

Ai ka thënë:

”Kush lexon njëqind ajete në namazin e natës nuk shkruhet nga të pakujdesshmit.”19

Ndonjëherë ai lexonte të paktën pesëdhjetë ajete në çdo rekat.20

Ndonjëherë ai lexonte aq ajete sa surja ”El-Muzemil”.21

Ai ﷺ rrallë falej gjatë tërë natës22. Abdullah bin Khabab bin El-Arat (i cili luftoi së bashku me të dërguarin e Allahut ﷺ në Bedr) e vështroi të dërguarin e Allahut ﷺ një natë kur ai u fal tërë natën. Pasi e fali namazin e sabahut i tha atij:

”O i dërguari i Allahut! U sakrifikofshin prindërit e mi për ty! Mbrëmë fale një namaz që kurrë nuk të kam parë duke e bërë më parë.”

Ai tha: ”Është e vërtetë. Ai është namaz i shpresës dhe frikës.

E luta Zotin që të mos na shkatërrojë siç u shkatërruan umetet para nesh (në një tjetër transmetim: “që të mos e shkatërrojë umetin tim me uri), dhe Ai ma pranoi këtë.

Kërkova nga Zoti im -azze ue xhel- që të mos lejojë një armik të jashtëm të mbisundojë mbi ne, dhe Ai ma pranoi këtë.

Dhe e luta Zotin që të na mbrojë nga përçarja, por këtë nuk ma pranoi.”23

Një natë ai e përsëriti ajetin e mëposhtëm deri në agim:

”Nëse i dënon ata, ata janë robërit e Tu; dhe nëse i falë ata, Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.” 24

Ai e lexoi këtë ajet në ruku, në sexhde dhe kur lutej. Në mëngjes, Ebu Dherri -radijAllahu anh- i tha atij: ”O i dërguari i Allahut! Ti e lexove këtë ajet deri në agim. Ti e lexove atë në ruku, në sexhde dhe në lutje. Allahu ta ka mësuar tërë Kuranin ty. Nëse ndonjë prej nesh do ta kishte bërë këtë neve nuk do të na pëlqente ky veprim.”

Ai tha: ”Kërkova nga Zoti im -azze ue xhel- që të ndërmjetësojë për umetin tim, të cilën Ai ma pranoi. Secili që nuk adhuron diçka karshi Allahut do të përfshihet nga kjo lutje.”25

Një burrë tha: ”O i dërguari i Allahut! Unë kam një fqinj i cili vetëm lexon suren ”El-Ikhlas”, kur ai falet gjatë natës. Ai e përsërit atë gjatë tërë kohës dhe nuk lexon asgjë tjetër.” Sikurse ky sahabi e nënvlerësonte këtë veprim.

Profeti ﷺ tha: ”Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im se kjo sure është sa një e treta e Kuranit.”26


1 Nesai me një zinxhir të saktë transmetimi.

2 Bukhari dhe Muslimi.

3 Kështu është transmetuar ky hadith, se ”En-Nisa” para ”Ali Imran”. Kjo dëshmon se është e lejueshme për të mos e praktikuar leximin sipas renditjes së sureve në Mus’hafin e Uthmanit.

4 Muslimi dhe Nesai.

5 Ebu Ja’la dhe El-Hakim, i cili tha se hadithi është autentik dhe Dhehebi është pajtuar. Shtatë Kapitujt më të gjata janë ”El-Bekare”, ”Ali Imran”, ”En-Nisa”,”El-Maide”, ”El-En’am”, ”El-A’raf” dhe ”Et-Taubeh”.

6 Ebu Daudi dhe Nesai me një zinxhir të saktë transmetimi.

7 Muslimi dhe Ebu Daudi.

8 Bukhari dhe Muslimi.

9 Nesai dhe Tirmidhi i cili ka thënë se hadithi është autentik.

10 Bukhari dhe Ahmedi.

11 Darimi dhe Seid bin Mensur në “Es-Sunen” me një zinxhir të saktë transmetimi.

12 Ahmedi me zinxhir autentik transmetimi.

13 Darimi dhe Tirmidhi i cili ka thënë se hadithi është autentik.

14 Imam Tahaui ka thënë:

Ky është entuziazmi që kanë muslimanët në veprimet e tyre kur adhurojnë Zotin e tyre -azza ue xhel-. I dërguari i Allahut nuk donte që ata të kishin një entuziazëm që pastaj pashmangshëm pëson në një rënie. Në vend të kësaj, ai i urdhëroi ata që të bëjnë veprime të mira të cilat ata gjithmonë mund t’i bëjnë derisa ta takojnë Zotin e tyre -azze ue xhel-. Është transmetuar se ai në formën e këtij kuptimi: 

”Veprat që Allahu i do më së shumti janë ato që janë të vazhdueshme edhe nëse janë të vogla.”

Hadithi të cilin ai tha se e ka transmetuar është i transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi përmes Aishes -radijAllahu anha-.

15 Ahmedi dhe Ibn Hibani i cili e shpalli hadithin autentik.

16 Ibn Sad (1/376) dhe Ebush-Shejkh në ”Akhlak-un-Nebi (281)”.

17 Darimi dhe Hakimi i cili e vërtetoi hadithin dhe Dhehebi u pajtua me të.

18 Ahmedi dhe Ibn Nasr me një zinxhir të saktë transmetimi.

19 Darimi dhe Hakimi i cili e vërtetoi hadithin dhe Dhehebi u pajtua me të.

20 Bukhari dhe Ebu Daudi.

21 Ahmedi dhe Ebu Daudi me një zinxhir të saktë transmetimi.

22 Muslimi dhe Ebu Daudi. Sipas këtij hadithi është e urryer që gjithmonë të falesh tërë natën ose edhe shumicën e netëve sepse kjo nuk është në përputhje me sunnetin e tij . Po të kishte qenë më mirë për t’u falur tërë natën, ai nuk do ta kishte lënë këtë praktikim sepse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit . Mos u mashtro nga transmetimi se Ebu Hanife -rahimehullah- e fali namazin e sabahut me abdesin e jacisë dyzet vite. Kjo nuk ka bazë në fe.

Alameh El-Fajruzabadi ka thënë:

”Kjo është një gënjeshtër e qartë që nuk i përshtatet këtij imami. Nuk ka kurrfarë mirësie në këtë veprim. Një imam i tillë duhet të bëjë më mirë se kaq. Është më mirë dhe më e përsosur që të marrësh abdes para çdo namazi. Kjo nëse do të themi se transmetimi është i vërtetë se vërtetë ai ishte i zgjuar çdo natë për dyzet vjet. Kjo është pothuajse e pamundur. Kjo është një legjendë nga disa fanatikë injorantë. Ata kanë thënë kështu lidhur me Ebu Hanifen dhe të tjerët. E gjithë kjo është e shpikur.” (Er-Rad alal-Mu’taridh (1/44)).

23 Nesai, Ahmedi dhe Tabarani (2/187/1). Autentik sipas Tirmidhiut.

24 5: 118.

25 Nesai, Ibn Khuzejmeh (1/70/1), Ahmedi, Ibn Nasr dhe Hakimi i cili e shpalli hadithin autentik dhe Dhehebi u pajta me të.

26 Ahmedi dhe Bukhari.

Shpërndaje: