Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Besimi i saktë lidhur me Teuhid-ul-Uluhijeh

Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas

Burimi: el-Mu’takad es-Sahih

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati besojnë se duhet veçuar Allahun (te ala) me adhurim. Ata nuk e adhurojnë askë tjetër pos Allahut, por të gjitha adhurimet obligative dhe vullnetare, të cilat i ka urdhëruar Allahu, ia kushtojnë vetëm Allahut.

Ata nuk i bien në sexhde askujt përveç Allahut, nuk bëjnë tavaf për dikë tjetër përveç Allahut, nuk therin kurban për dikë tjetër përveç se për Allahun, nuk japin zotim (nedhr) për askënd pos për Allahun, nuk betohen në dikë tjetër përveç se në Allahun, nuk mbështeten në dikë tjetër përveç se në Allahun, nuk i luten dikujt tjetër përveç Allahut. Ky është Teuhid-ul-Uluhijeh:

”Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë ortak.” 4:36

”Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni askënd e asgjë pëveç Atij.” 17:23

”Ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga profetët) pos për adhurimin ndaj Allahut Një.” 9:31

”E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” 98:5

”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” 51:56

Adhurim do të thotë ”të veçosh vetëm Atë me adhurim.” E kundërta e saj është shirku (idhujtaria) – Allahu na ruajt prej tij. Ky është mëkati më i madh me të cilin Allahu është kundërshtuar. Ai (te ala) ka thënë:

”Pa dyshim se Allahu nuk fal t’i bëhet Atij ortak dhe përveç këtij (mëkati) fal kë të dojë. Ai që i bën ortak Allahut ka trilluar një mëkat të madh.” 4:48

”Vërtet që Allahu nuk e fal (mëkatin e) të vënit ortak Atij, por mëkatet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Ai që i bën ortak Allahut ka humbur dhe ka bërë një largim të madh (prej të vërtetës).” 4:116

”Duke qenë të sinqertë në besimin ndaj Allahut dhe duke mos i përshkruar Atij ortak (në adhurim), e kush i përshkruan ortak Allahut (në adhurim), ai është sikur të bie nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.” 22:31

”Kur Llukmani duke e këshilluar birin e vet i tha: ”O biri im! Mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim) sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe. 31:13

Allahu (te ala) e qartësoi se idhujtaria shkatërron të gjitha veprat dhe e përjashton vepruesin e saj prej Islamit. Ai (te ala) ka thënë:

”E sikur t’i bënin ortak Allahut kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepruar.” 6:88

”Me të vërtetë, të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën ortak (Allahut), veprat tuaja do të asgjësohen dhe ti do të jesh prej të humburve! 39:65

”Sahihun e Muslimit”, është transmetuar nga Xhabir ibn Abdil-Lahi (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Ai që e takon Allahun pa i bërë shirk Atij do të hyjë në xhenet dhe ai që e takon Atë duke i bërë shirk hyn në zjarr.”

”Sahih el-Buhkari”, është transmetuar nga Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Ai që vdes duke lutur dikë tjetër pos Allahut do të hyjë në zjarr.”

Pra ai që ia dedikon një lloj të adhurimit dikujt tjetër përveç Allahut, është kafir idhujtar.

Lutja i përket adhurimit që Allahu e ka urdhëruar. Prandaj ai që i lutet vetëm Atij është pasues i Teuhidit. Nga ana tjetër, ai që i lutet dikujt tjetër përveç Allahut është idhujtarë. Ai (te ala) ka thënë:

”Pos Allahut mos iu lut tjetërkujt nga ata që nuk të sjellin as dobi as dëm, e nëse e bën këtë, ti atëherë, me të vërtetë, je prej dhalimunëve (mohuesve, keqbërësve).” 10:106

”Ai që pos Allahut lut (adhuron) të adhuruar tjetër duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” El-Mu’minun, 23:117

”Dhe vërtet që xhamitë janë për Allahun, kështu që mos lutni askë tjetër karshi Allahut! E, kur adhuruesi i Allahut (Muhammedi), u ngrit t’i lutet Atij, xhinët veç u mblodhën turmë rreth tij si të ngjitur njëri mbi tjetrin (me qëllim që të dëgjonin leximin e tij). Thuaj: ”Unë e adhuroj vetëm Zotin tim dhe Atij nuk i bëj asnjë ortak!” 72:18-20

”Lutje e vërtetë është vetëm ajo drejtuar Atij, e ata që u luten të tjerëve pos Tij, ata nuk mund tu përgjigjen atyre. Gjendja e tyre është si e atij që shtrin duart (prej së largu) kah uji, që ai (uji) t’i arrijë deri në gojën e tij, por (uji) nuk do t’i arrijë (sepse uji është send i vdekur e nuk kupton për etjen e tij). E lutja e kufarëve është e kotë.” 13:14

”Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) pos Allahut, ata nuk krijojnë asnjë send, po vetë ata janë të krijuar. Janë të vdekur e jo të gjallë, dhe ata nuk e dinë se kur do të ringjallen.” 16:20-21

”Kështu pra, mos lutni ilah (të adhuruar) tjetër me Allahun se përndryshe do të jeni prej atyre që ndëshkohen.” 26:213

”Ai (Allahu) e shpie natën (e zgjatë njërën dhe shkurton tjetrën), dhe e ka nënshtruar diellin dhe hënën – secili lëvizë deri në kohën e caktuar. I tillë është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! E, ata që i adhuroni ju, pos Tij – nuk posedojnë as sa lëkura e bërthamës së hurmës. Nëse ata i thërritni, ata nuk dëgjojnë thirrjen tuaj, po të zëmë se dëgjojnë, nuk mund t’ju përgjigjen juve në ditën e kijametit, ata do ta mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. E askush nuk të informon ty si i Gjithëdijshmi.” 35:13-14

“Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “Allahu!” Thuaju: ”Më thoni pra, për idhujt që i luteni përveç Allahut, nëse Allahu më godet mua me ndonjë të keqe, a mund ta largojnë ata atë të keqe?! Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?!” Thuaju: “Më se i Mjaftueshëm për mua është Allahu dhe ata që i mbështeten, le të mbështeten vetëm tek Ai.” 39:38

Thuaju: “Mendoni! Gjithë ata që ju i lutni në vend të Allahut, më thoni pra: Çfarë kanë krijuar ata në tokë? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Më sillni ju një Libër (para këtij) ose ndonjë dije të trashëguar (në mbështetje të pohimeve tuaja), nëse jeni që thoni të drejtën!” Dhe kush është në rrugë më të gabuar se sa ai i cili lut në vend të Allahut të atillë që nuk do t’i përgjigjen atij deri në ditën e ringjalljes dhe të cilët madje janë krejt të pavetëdijshëm për lutjet që u bëhen atyre? Dhe kur njerëzimi të grumbullohet (ditën e kijametit), ata (idhujt e tyre) do të bëhen armiq të tyre dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.” 46:4-6

Është konfirmuar në ”es-Sunnen” nga en-Nu’man ibn Beshir (radijAllahu anhu) se ai tregoi se ai e kishte dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

”Lutja është adhurim.”

Është ky lloj i Teuhidit – Teuhid-ul-Uluhijeh – për të cilin ndodhën mosmarrëveshje në mes të dërguarve dhe umeteve të tyre. Është ky lloj i Teuhidit i cila është arsyeja pse Allahu i dërgoi të dërguarit për ta sqaruar atë dhe për të thirrur në të. Po kështu, Ai shpalli libra për të miratuar atë, për ta sqaruar atë dhe të sjellë arguemente për të. Ai (te ala) ka thënë:

”Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni adhurimin e tagutit!” 16:36

“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, pra më adhuroni”.” 21:25

”Me urdhrin e Tij ia zbret engjëjt me shpallje atij, që Ai dëshiron nga robërit e vet (duke thënë) t’ua tërhiqni vërejtjen (t’i njoftoni), se
nuk ka të adhuruar të vërtetë pos Meje, pra të më keni frikën.”
16:2

Kjo është ajo që të dërguarit së pari urdhëruan umetet e tyre, kur i thirrën ata në fenë e Allahut. Çdo i dërguar i tha umetit të tij:

”Vërtet Ne e dërguam Nuhin te populli i tij dhe u tha: “O populli im! “Adhuroni Allahun! Nuk keni Ilah (të adhuruar) tjetër veç Atij.” 7:59

Nuhu e tha këtë dhe kështu bëri Hudi, Salihu Shuajbi dhe të gjitha të dërguarit e tjerë (selamet dhe salavatet e Allahu qofshin mbi ta).

Ai (te ala) ka thënë:

”Edhe Ibrahimin (e dërguam), kur ai popullit të vet i tha: “Adhurojeni Allahun dhe keni frikë prej Tij, se kjo nëse e kuptoni është shumë më mirë për ju. Ju në vend të Allahut jeni duke adhuruar vetëm idhuj, që i trilloni vetë si gënjeshtarë. S’ka dyshim se ata që adhuroni në vend të Allahut, nuk zotërojnë furnizimin tuaj, pra kërkojeni furnizimin tek Allahu, adhurojeni Atë dhe shprehini falënderimin Atij sepse tek Ai do të ktheheni.” 29:16-17

Pos kësaj, Ai (te ala) tha për profetin e Tij Jusufin ﷺ:

”O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen të adhuruar të ndryshëm ose Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar? Ju nuk adhuroni përveç Tij, veçse se emra të cilët i keni shpikur ju dhe baballarët tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” 12:39-40

Idhujtarët nuk kanë argumente për idhujtarinë e tyre. Ata as nuk mund ta gjejnë atë në logjikën e shëndoshë apo në ndonjë transmetim nga të dërguarit. Ai (te ala) ka thënë:

”E ti pra, pyeti ata të dërguarit që i dërguam para teje, a kemi lejuar që në vend të Allahut të adhurohen zota të tjerë përveç të Gjithëmëshirshmit?” 43:45

Domethënia e kësaj është se nuk ka pasur asnjë të dërguar i cili ka thirrur që dikush tjetër të adhurohet karshi Allahut. Në vend të kësaj, ata thirrën të gjithë, nga i pari i tyre deri tek i fundit prej tyre, që të adhurohet vetëm Allahu, Ai nuk ka ortak. Ai (te ala) ka thënë:

“Thuaj: ”Më thuani për ata që pos Allahut i adhuroni, më tregoni se çka krijuan ata në tokë dhe a kanë pjesëmarrje në krijimin e qiejve? Nëse e thoni të vërtetën, më sillni ndonjë libër para këtij ose ndonjë gjurmë të mbetur prej diturisë. Kush është më i humbur se ai që pos Allahut lut diç që nuk i përgjigjet atij deri në kijamet, pse ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre. E kur do të tubohen njerëzit, ata (zotat e tyre) do të jenë armiq të tyre (të adhuruesve) dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre (të idhujtarëve).” 46:4-6

Ky është argument i prerë logjik, i cili vërteton prerazi se çdo adhurim i tjetërkujt pos Allahut është i padrejtë, ngase ata nuk janë krijuesa, dhe nuk kanë qenë ndihmëtar të ndonjë krijimi. Vetëm Allahu Një është i veçuar me krijim, andaj përse të adhurohet dikush tjetër pra? Më tej Allahu mohon që idhujtarët të kenë çfarëdo argumenti prej teksteve të librave të zbritur ose profetëve të dërguar për idenë e shirkut të cilin e bëjnë.

Nga kjo bëhet e qartë se idhujtarët nuk kanë asnjë lloj argumenti, andaj për këtë vepër do të dënohen me qëndrim përgjithmon në zjarrin e xhehenemit, e sa vend i keq që është ai!

Nga ato që u thanë më sipër kuptohet se ky teuhid është obligimi i parë dhe çështja më e rëndësishme. Allahu nuk pranon fe ose besim tjetër pos tij.

Shpërndaje: