Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Dispozitat mbi namazin e xhenazes

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
El-Mulakhas el-Fikhi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pas kësaj është ligjësuar që t’i falet namazi i xhenazes muslimanit të vdekur.

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kush merr pjesë në përcjelljen e xhenazes derisa t’i falet namazi i xhenazes, do të ketë (shpërblim) një kirat, e kush vazhdon të marrë pjesë derisa të varroset, do të ketë dy kirate.”

I thanë: “Çfarë janë dy kirate?”

Profeti ﷺ tha: “Sa dy male të mëdhenj.”

Transmeton Bukhari (1325) dhe Muslimi.

Ky namaz është farz kifajeh – obligim kolektiv që nëse një pjesë prej tyre e kryen, të tjerët lirohen nga kjo detyrë, e nëse askush nuk e kryen, të gjithë mëkatojnë.

Kushtet e namazit të xhenazes janë si më poshtë:

– Qëndrimi drejt kiblës.

– Mbulimi i auretit.

– Të qenurit i pastër si për atë që ia falë namazin e xhenazes po ashtu edhe i vdekuri duhet të jetë i pastër.

– Largimi i papastërtive.

– Ai i cili ia falë namazin duhet të jetë musliman po ashtu edhe i vdekuri.

– Pjesëmarrja në namazin e xhenazes nëse je në njëjtin vend me të vdekurin.

– Të jesh në moshën e pjekurisë.

Shtyllat e tij janë:

– Qëndrimi në këmbë.

– Katër tekbiret.

– Leximi i sures El-Fatihah.

– Dërgimi i salavateve mbi profetin ﷺ.

– Lutja për të vdekurin.

– Kryerja e këtyre veprimeve sipas radhitjes.

– Bërja teslim (dhënia selam).

Sunetet e tij janë:

– Ngritja e duarve në çdo tekbir

– Istiadheh (të thuash eudhu bil-lahi mine shejtani-raxhim) para leximit të sures El-Fatihah.

– Të lutesh për veten dhe për muslimanët

– Leximi të bëhet në heshtje.

– Të pushosh një moment pas tekbirit të katërt dhe para selamit.

– Vendosja e dorës së djathtë mbi dorën e majtë në gjoks.

– Të kthehesh në të djathtë kur bënë teslip (jep selam).

Namazi i xhenazes bëhet në mënyrë që imami dhe xhemati qëndrojnë në këmbë pranë gjoksit të burrit vdekurit dhe në mes të gruas së vdekur. Xhemati qëndrojnë pas imamit dhe është sunnet që ata të qëndrojnë në tre safa. Pastaj imami bën tekbir, pastaj e thotë istiadhen pa lexuar duan hapëse, pastaj thotë bismilahin dhe e lexon suren El-Fatihah. Pastaj bënë tekbir dhe dërgon salavate mbi profetin ﷺ në të njëjtën mënyrë sikurse bëhet në teshehud në namazin e rregullt. Pas kësaj bëhet tekbir dhe bëhet lutje për të vdekurit sikurse është përmendur, si për shembull:

O Allahu fale të gjallin prej nesh dhe të vdekurin, të pranishmin dhe atë që mungon, të voglin dhe të madhin, burrin dhe gruan.

Pastaj bën tekbir dhe pret për një moment të shkurtër dhe pastaj bënë teslim në anën e djathtë.

Atij që i ik një pjesë e namazit me xhemat, hyn në namaz me imamin në atë që ka mbetur nga namazi dhe pasi që imami të bën teslim, ai falë pjesën që i ka ikur. Ndërsa nëse ka frikë se ata do ta marrin të vdekurin, ai i kryen tekbiret një pas tjetrit dhe bën teslim.

Atij që i ka ikur namazi i xhenazes para se të varroset i vdekuri, ia falë namazin pranë varrit.

Ai që nuk është në vendin e të vdekurit dhe mëson se personi ka vdekur, mund t’ia falë namazin e personit në mungesë, me nijet.

Nëse një grua dështon dhe fetusi ka mbushur katër muaj ose më shumë, duhet t’i falet namazi i xhenazes, dhe në qoftë se ka mbushur më pak se katër muaj nuk i falet namazi i xhenazes.

Shpërndaje: