Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Thalathat-il-Usul, fq 8-9
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Çështja e katërt është durimi me problemet në këto gjëra. Njeriu mund të has në probleme. Ai mund të shqetësohet nga ata që i thërret në fe, nga familja e tij dhe të tjerët. Prandaj është e detyrueshme që të durosh dhe të shpresosh shpërblimin e Allahut. Besimtari duron me besimin në Allahun, me veprimet të cilat Allahu e ka urdhëruar dhe ndaluar atë, me thirrjen në fenë e Allahut, në mësimdhënien fetare dhe me urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Të gjitha këto kërkojnë durim. E tërë feja kërkon durim. Kërkohet durim që të thërrasësh në fenë e Allahut, të falesh, të japësh zekatin, të agjërosh, të kryesh haxhin, të urdhërosh në të mirë, të ndalosh nga e keqja dhe të përmbahesh tërësisht nga mëkatet. Njeriu pa durim bie në ndalesat e Allahut, ose dështon në kryerjen e obligimeve të Allahut. Prandaj, Allahu -te ala- i tha të dërguarit të Tij ﷺ:
فَاصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُوْلُوا الْعَزْمِ مِنَ الرُّسُلِ
“Ti (Muhammed) duro ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur.” El-Ahkaf, 46:35
وَاصْبِرْ لِحُكْمِ رَبِّكَ
“Duro me vendimin e Zotit tënd.” Et-Tur, 52:48
وَاصْبِرْ وَمَا صَبْرُكَ إِلاَّ بِاللّهِ
“Duro, se durimi yt është vetëm prej Allahut.” En-Nahl, 16:127
إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ
“Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë!” Ez-Zumer, 39:10
وَاصْبِرُواْ إِنَّ اللّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ
“Bëhuni të durueshëm se Allahu me të vërtetë është me të durueshmit.” El-Enfal, 8:46
Prandaj duroni në bindjen ndaj Allahut dhe në lënien e mosbindjes ndaj Tij, si dhe kini kujdes urdhrat e Tij dhe rënien në ndalesat që Ai u ka vendosur.