Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I mençuri, përmes virtyteve të tij të mira bëhet i bukur në dukje edhe nëse është i shëmtuar. Ndërsa virtytet e këqija të njeriut jo aq të mençur sa duhet e shëmtojnë atë në dukje edhe nëse është i bukur.
2 – I mençuri nuk shqetësohet se do të jetë i varfër ngase i mençuri në përgjithësi do të bëhet i pasur. As nuk duhet besuar se pasuria e të pasurit injorant do të mbetet për një kohë të gjatë sepse pasuria e vërtetë janë mençuria dhe veprat e mira.
3 – Sëmundjet e mençurisë janë mendjemadhësia dhe arroganca, sprovat e rënda dhe luksi i tepruar. Nëse sprovat janë të vazhdueshme dhe të shumta atëherë mençuria humbet, e nëse e teprohen në luks në mënyrë të vazhdueshme shkatërrohet pasuria dhe njeriu llastohet së tepërmi.
4 – Më mirë është që të kesh një armik të mençur sesa një mik injorant.
5 – Muauijeh bin Kurrah ka thënë:
“Ka njerëz që e bëjnë haxhin, umren, marrin pjesë në luftë, falen dhe agjërojnë. Megjithatë, në ditën e gjykimit ata shpërblehen vetëm sipas vlerës së mençurisë së tyre.”
6 – Hafs bin Humejd el-Ekkaf ka thënë:
“I mençuri nuk mashtrohet, dhe nuk mashtron.”
7 – Ashtu sikurse zelli pa sukses nuk sjell dobi, sikurse bukuria pa tërheqje nuk sjell dobi, ashtu sikurse gëzimi nuk sjell dobi pa siguri, dhe ashtu sikurse afërsia familjare nuk sjell dobi pa dashuri (ndërmjet të afërmve), e njëjta gjë është edhe me mençurinë e cila nuk sjell dobi pa devotshmëri në zemër dhe vepra të duhura. Karakteri i pastër varet nga mençuria e njeriut.
8 – I mençuri nuk flet derisa të pyetet, nuk diskuton shumë nëse fjalët e tij nuk pranohen dhe nuk përgjigjet derisa të jetë i sigurt se ajo që e thotë është e drejtë.
9 – I mençuri nuk e nënvlerëson askënd. Ai që nënvlerëson pushtetarin e ka shkatërruar jetën e tij. Ai që nënvlerëson të devotshmit e ka shkatërruar fenë e tij. Ai që nënvlerëson vëllezërit e tij e ka humbur karakterin e tij dhe ai që nënvlerëson një njeri të rëndomtë e ka rrezikuar veten e tij.
10 – I mençuri është i vetëdijshëm për të metat që i ka ndërsa ai që nuk i sheh të metat e tij nuk i sheh të mirat e të tjerëve. Dënimi më i rënd me të cilin mund të goditet njeriu është që mos t’i sheh të metat e tij, ai që nuk i di të metat e tij nuk mund t’i braktisë ato, po ashtu nuk mund t’i vlerësojë të mirat që i kanë të tjerët nëse nuk i di ato.