“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

4.Frika ndaj idhujtarisë

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

 Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 27-29

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

1 – Allahu -azze ue xhel- ka thënë:

إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء

”Pa dyshim se Allahu nuk fal t’i bëhet Atij ortak dhe përveç këtij (mëkati) fal kë të dojë. Ai që i bën ortak Allahut ka trilluar një mëkat të madh.” En-Nisa, 4:48

2 – Ibrahimi ka thënë:

وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعْبُدَ الأَصْنَامَ

”Dhe më mbro mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” Ibrahim, 14:35

3 – Profeti ka thënë:

”Ajo që unë kam frikë më së shumti për ju është shirku i vogël.” Kur ai u pyet për të, ai tha: ”Syfaqësia.” Ahmedi (23680). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (1555)”.

4 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Ai që vdes duke adhuruar dikë karshi Allahut, do të hyjë në zjarr.” Bukhari (4497).

Transmetuar nga Bukhari.

5 – Muslimi transmeton se Xhabiri -radijAllahu anhu- ka treguar se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Kush e takon Allahun pa i bërë shirk Atij, do të hyjë në xhenet, ndërsa kush e takon Atë duke i bërë shirk Atij, do të hyjë në zjarr.” Bukhari (129) dhe Muslimi (93).

Shpjegimi

Kapitulli ka të bëjë me frikën e detyrueshme nga idhujtaria. Besimtari është i obliguar që të ketë frikë nga idhujtaria dhe mëkatet. Ai duhet të qëndrojë larg tyre dhe në veçanti larg idhujtarisë. Ai nuk duhet të ndihet i sigurt ndaj saj.

Idhujtari do të thotë që dikush tjetër pos Allahut të marrë pjesë nga adhurimi pavarësisht se çfarë adhurimi është. Prandaj kjo quhet idhujtari. Adhurimi është e drejtë vetëm e Allahut. Më e rëndë se kjo është që t’i dedikohet i tërë adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut -azze ue xhel-.

1 – Allahu -azze ue xhel- ka thënë:

إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء

”Pa dyshim se Allahu nuk fal t’i bëhet Atij ortak dhe përveç këtij (mëkati) fal kë të dojë. Ai që i bën ortak Allahut ka trilluar një mëkat të madh.” En-Nisa, 4:48

Këtu është qartësuar serioziteti dhe rreziku i idhujtarisë. Nëse njeriu vdes në një gjendje të tillë, atij nuk do t’i falet kjo. Ai do të qëndrojnë në xhehenem përgjithmonë. Kështu nuk është rasti me mëkatet e tjera sepse kjo çështje është në dëshirën e Allahut, nëse Ai dëshiron ta dënojë personin dhe pastaj ta fusë në xhenet, ose nëse Ai dëshiron ta falë atë. Por kur vjen puna për idhujtarinë, Allahu -te ala- thotë:

إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللّهُ عَلَيهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ

”Nuk ka dyshim se ai që i bën ortak Allahut, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” El-Maideh, 5:72

2 – Ibrahimi ka thënë:

وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعْبُدَ الأَصْنَامَ

”Dhe më mbro mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” Ibrahim, 14:35

Aty gjendet rreziku i idhujtarisë. Zotëria i profetëve pas profetit tonë  kishte frikë prej idhujtarisë. Është e detyrueshme që t’i pasojmë ata dhe të frikësohemi prej idhujtarisë më shumë se ata.

Statujat janë skulptura të gdhendura në formën e njeriut apo kafshëve. Ka lloje të ndryshme të idhujtarëve. Disa adhuronin statujat. Të tjerët adhuronin gjëra të tjera si pemët, detin, diellin dhe hënën. Ata të gjithë janë të bashkuar në dedikimin e adhurimit dikujt tjetër përveç Allahut -azze ue xhel-. Një statujë gjithashtu mund të quhet ”idhull”.

3 – Profeti ka thënë:

”Ajo që unë kam frikë më së shumti për ju është shirku i vogël.” Kur ai u pyet për të, ai tha: ”Syfaqësia.”

Ahmedi (23680). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (1555)”.

Ky hadith është transmetuar nga Ahmedi me një zinxhir të mirë transmetimi nëpërmjet Mahmud bin Lubejd nga profeti . Hadithi është transmetuar edhe nga rrugë të tjera me zinxhirë të saktë të transmetimeve. Të gjitha ato dëshmojnë se është e detyrueshme për t’u ruajtur nga syfaqësia dhe se ajo është e rrezikshme. Ka njerëz të drejtë që bien në të. Ata mund të bien në syfaqësi kur falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja.

Profeti ka thënë:

“Ai që dëshiron reputacion, Allahu do t’i japë atij reputacion, Ai që dëshiron që puna e tij të shihet, Allahu do ta bëjë që të shihet puna e tij.” Bukhari (6499) dhe Muslimi (93).

Vazhdimi i hadithit është:

”Në ditën e gjykimit Allahu do t’u thotë njerëzve që ranë në syfaqësi: ”Shkoni tek ata të cilëve iu shtireshit dhe shikoni nëse ata kanë ndonjë shpërblim.”

Ahmedi (23680). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (1555)”.

Profeti ka thënë:

”Allahu -te ala- ka thënë: ”Unë jam më i Vetëmjaftueshmi që nuk ka nevojë për ndonjë ortak. Kushdo që kryen një vepër duke më shoqëruar Mua ndonjë ortak, Unë do ta braktis atë dhe idhujtarinë e tij.

Transmeton Muslimi (2985), Ahmedi (2/301, 435), Ibn Maxheh (4202) dhe Ibn Khuzejmeh (938).

Prandaj është e detyrueshme për njerëzit që ta adhurojnë vetëm Allahun të Vetmin.

4 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Ai që vdes duke adhuruar dikë karshi Allahut, do të hyjë në zjarr.” Bukhari (4497).

D.m.th. ai që adhuron dhe i kërkon ndihmë dikujt tjetër karshi Allahut. I tilli do të jetë në xhehenem përgjithmonë. Në një formulim thuhet se Ibn Mesudi ka thënë:

”Dhe ai që vdes pa adhuruar dikë karshi Allahut, do të hyjë në xhenet.”

Kjo do të thotë se ai që vdes me teuhid hyn në xhenet. Kjo dëshmon se ai që adhuron karshi Allahut, njerëz të devotshëm, profetë, pemë apo gurë hyn në xhehenem.

5 – Muslimi transmeton se Xhabiri -radijAllahu anhu- ka treguar se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Kush e takon Allahun pa i bërë shirk Atij, do të hyjë në xhenet, ndërsa kush e takon Atë duke i bërë shirk Atij, do të hyjë në zjarr.Bukhari (129) dhe Muslimi (93).

Këtu duket rreziku i idhujtarisë dhe se është e detyrueshme të kihet frikë prej saj, dhe të kihet kujdes që të mos bihet në të.

Në hadith obligohen dy gjëra:

1 – Ai që e takon Allahun pa i bërë shirk Atij, hyn në xhenet.

2 – Ai që e takon Atë duke qenë idhujtar, hyn në xhehenem. Prandaj është përmendur në një formulim tjetër se i dërguari i Allahut tha:

”A të mos ju tregoj në lidhje me dy gjëra obliguese?” Ata thanë: ”Po.” Ai tha: ”Kush e takon Allahun pa i bërë shirk Atij, do të hyjë në xhenet, ndërsa kush e takon Atë duke i bërë shirk Atij, do të hyjë në zjarr.”

 

Shpërndaje: