Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Metodologjia e Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati janë ata që janë unanim për t’iu përmbajtur sunnetit të profetit dhe për të vepruar sipas fjalëve, veprave dhe besimit të tij, si shpirtërisht ashtu edhe në veprimet e jashtme. Besimi i tyre në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut është sikurse vijon:

1 – Pohimi. D.m.th. pohimi i asaj që Allahu ia pohoi vetvetes së Tij në Kuran dhe asaj që ia ka pohuar i dërguari i Tij Atij. Ky pohim duhet të bëhet pa shtrembërim, mohim, imagjinim ose krahasim.

2 – Mohimi. Ata mohojnë atë që Allahu ia mohon vetes së Tij dhe atë që ia mohon i dërguari i Tij. Në të njëjtën kohë ata besojnë se Allahu (te ala) përshkruhet me përsosmëri që është e kundërta e asaj që i mohohet.

3 – Qëndrimi ndaj emrave dhe cilësive, që as nuk janë pohuar dhe as nuk janë mohuar rreth të cilave njerëzit kanë mospajtime. Shembuj të emrave dhe cilësive të tilla janë trupi, përfshirja dhe drejtimi. Sa i përket emrave dhe termave të tilla, Ehl-us-Sunneti nuk deklarohen lidhur me to, as nuk i pohojnë e as nuk i mohojnë pasi që nuk ka argument për to. Ndërsa sa i përket kuptimeve të tyre, ata kërkojnë sqarim për to. Nëse me to është për qëllim një kuptim jo i saktë atëherë Allahu është i pastër prej tij. Nga ana tjetër nëse është për qëllim një kuptim i saktë dhe i mundur atëherë ata e pranojnë atë.

Kjo është metodologjia e obligueshme. Ajo është mesatare dhe është ndërmjet atyre që mohojnë cilësitë e Allahut dhe atyre që e krahasojnë Allahun me krijesat. Kjo metodologji e detyrueshme vërtetohet nga logjika dhe shpallja.

Sa i përket dëshmive logjike, vetëm përmes shpalljes mund të dihet se me çfarë është obligim të përshkruhet Allahu (te ala) dhe me çfarë lejohet dhe me çfarë është e pamundur të përshkruhet Ai. Prandaj, është obligim të pasohet shpallja për të pohuar atë që Allahu ia ka pohuar vetes dhe për të mohuar atë që Allahu ia ka mohuar vetes dhe të heshtësh rreth asaj që shpallja nuk e ka përmendur.

Lidhur me dëshminë e shpalljes, Allahu (te ala) ka thënë:

وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا ۖ وَذَرُوا الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَائِهِ ۚ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij.” 7:180

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk i përngjason Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 42:11

وَلَا تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri.”17:36

Ajeti i parë dëshmon se është e detyrueshme që të pohohen emrat pa shtrembërim ose mohim sepse që të dyja janë devijim nga e sakta.

Ajeti i dytë dëshmon se është e detyrueshme që të mohohet krahasimi (i emrave dhe cilësive të Allahut).

Ajeti i tretë dëshmon se është e detyrueshme që të refuzohet imagjinimi i formës së emrave dhe cilësive, si dhe obligohet të heshturit rreth asaj që nuk ka argumente për pohimin apo mohimin e saj.

Të gjitha cilësitë e pohuara të Allahut janë të përsosura. Atij i bëjmë hamd dhe e lavdërojmë për to. Ato cilësitë nuk kanë ndonjë mangësi në asnjë aspekt. Të gjitha cilësitë e Allahut janë të përsosura në çdo mënyrë.

Gjithçka që Allahu ka mohuar nga vetja e Tij është cilësi e mangët sepse ato e kundërshtojnë përsosmërinë e Tij të pashmangshme. Të gjitha cilësitë e mangëta janë të pamundura të jenë cilësi të Allahut për shkak se përsosmëria e Tij është e obligueshme (detyrueshme). Kurse mohimi i një cilësie nuk tregon përsosmëri derisa ai mohim të përfshijë një cilësi të pohuar me të cilën lavdërohet Allahu sepse mohimi një cilësie (pa e pohuar të kundërtën e saj të përsosur) mund të jetë për shkak të paaftësisë e cila tregon mangësi dhe mund të jetë edhe për shkak se nuk e pranon atë cilësi sikurse të thuash: “Muri nuk bën padrejtësi”.

Nëse kjo është e qartë atëherë themi se: prej gjërave që Allahu i ka mohuar nga vetja e Tij është padrejtësia. Në këtë rast kjo do të thotë që Allahu nuk është përshkruar me padrejtësi duke e pohuar përsosmërinë e të kundërtës së saj e që është drejtësia. Përveç kësaj Allahu ka mohuar nga vetja e Tij lodhjen që është për qëllim mohimi i lodhjes duke e pohuar të kundërtën e saj pra fuqinë. Kështu është mënyra e besimit lidhur me cilësitë e tjera që i ka mohuar Allahu nga vetja e Tij.

Allahu e di më mirë.

Shtrembërimi: “Tahrif” (i emrave dhe cilësive të Allahut).

 Përkufizimi i tij gjuhësor është “ndryshim”. Përkufizimi i tij fetar është “të ndryshosh formulimin ose kuptimin e një teksti”. Kur formulimi i një teksti ndryshohet është gjithashtu e mundur që kuptimi të ndryshohet. Shtrembërimi ndahet në tri lloje:

1 – Shtrembërimi tekstual me të cilin edhe kuptimi ndryshon. Për shembull disa shtrembërojnë fjalët e Allahut:

وَكَلَّمَ اللّهُ مُوسَى تَكْلِيمًا

”Dhe Musait Allahu i foli me fjalë.” 4:164

Ata përpiqen ta bëjnë atë të duket sikurse ishte Musai  i cili i foli Allahut dhe jo anasjelltas.

2 – Shtrembërimi tekstual me të cilin nuk ndryshon edhe kuptimi si për shembull kur:

الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

Në vend të “Elhamdu lilahu Rabbil a’lemin” e lexon “Elhamde lilahi Rabbil a’lemin”

Kjo zakonisht vjen nga një person injorant që në shumicën e rasteve nuk ka për qëllim shtrembërimin.

3 – Shtrembërimi kuptimor. Kjo do të thotë që teksti kuptohet në mënyrë të pa dëshmuar dhe jo fjalë për fjalë. Një shembull i kësaj është që të shtrembërosh domethënien e duarve të Allahut (te ala) dhe të thuash se ato do të thonë forcë, mirësi e të ngjashme.

Mohimi: Përkufizimi i tij gjuhësor është “zbrazje”. Përkufizimi i tij fetar është “Mohimi i të gjitha emrave dhe cilësive të Allahut që janë të detyrueshëm për t’i pohuar apo disa prej tyre.” Kjo mund të bëhet në dy mënyra:

1 – Mohimi total. Për shembull, këtë e bëjnë Xhehmitë të cilët i mohojnë të gjitha cilësitë e Allahut, kurse ekstremët e tyre madje i mohojnë edhe emrat e Allahut.

2 – Mohimi i pjesshëm. Për shembull, këtë  e bëjnë Esharitë të cilët mohojnë disa cilësi për dallim prej të tjerave.

I pari që njihet se ka mohuar cilësitë  e Allahut në këtë umet është El-Xha’d bin Dirhem.

Imagjinimi i  formës: Kjo do të thotë të imagjinosh dhe të përfytyrosh cilësitë e Allahut dhe të thuash për shembull se dora e Allahut ose zbritja e Tij në qiell është në një mënyrë të caktuar.

Krahasimi dhe përngjasimi: Krahasim do të thotë të krahasosh diçka me diçka në çdo gjë. Përngjasim do të thotë të krahasosh diçka me diçka tjetër në shumë gjëra. Ndoshta një koncept zbatohet mbi tjetrin. Dallimi midis këtyre dy termave dhe besimit është si në vijim:

1 – Një krahasim qëndron për të përshkruar një natyrshmëri në një mënyrë të pakufizuar ose të kufizuar. Nga ana tjetër përngjasimi dhe shëmbëlltyra tregojnë një natyrshmëri që krahasohet me një tjetër dhe i ngjan asaj. Në këtë mënyrë krahasimi është më i përgjithshëm pasi që çdo krahasim është një shëmbëlltyrë por jo anasjelltas.

2 – Imagjinimi vlen veçanërisht për cilësitë. Krahasimi i referohet madhësisë, cilësisë dhe qenies. Nga kjo pikëpamje krahasimi është më i përgjithshëm sepse ai lidhet me qenien, cilësitë dhe pozitën.

Përngjasimi, që devijuan në të shumë njerëz mund të ndahet në dy lloje:

1 – Të ngjasosh krijesën me Krijuesin.

2 – Të ngjasosh Krijuesin me krijesën.

Të ngjasosh krijesën me Krijuesin do të thotë të përshkruash krijesën me vepra, me të drejta dhe cilësi që janë specifike për Krijuesin. Shembuj të veprimeve të tilla janë të mendosh se ka një krijues karshi Allahut. Shembuj të të drejtave të tilla janë të konsiderosh se statujat kanë të drejtë të adhurohen. Prandaj, adhuruesit e idhujve i adhuronin ato karshi Allahut. Shembuj të cilësive të tilla janë ato që bëjnë disa ekstremistë kur lavdërojnë me teprim profetin .

Të ngjasosh Krijuesin me krijesën do të thotë të pohosh qenien e Tij specifike dhe cilësitë në të njëjtën mënyrë sikurse ia pohon ato krijesave. Shembuj të kësaj janë të thuash se dy duart e Allahut janë sikurse duart e krijesave, ngritja e Tij mbi arsh (fron) është sikurse ngritja e krijesave mbi fronin e tyre dhe kështu me radhë. I pari që është i njohur për këtë është Hisham bin el-Hakam er-Rafidhi.

Devijimi. Përkufizimi i tij gjuhësor është “devijimi”. Përkufizimi i tij fetar është “largimi nga besimi dhe vepra e obligueshme”. Ai përbëhet nga dy lloje:

1 – Devijimi në emrat e Allahut.

2 – Devijimi në ajetet Tij.

Devijimi i emrave të Tij nënkupton largimin nga e vërteta e obligueshme rreth tyre. Kjo është katër lloje:

1 – Mohimi i ndonjë gjëje prej tyre ose mohimi i cilësisë që nënkupton ai emër. Këtë e vepruan Mu’atilah.

2 – Të pohosh se ato nënkuptojnë një përngjasim mes Allahut dhe krijesës së Tij. Këtë e vepruan Mushebihah.

3 – Të emërohet Allahu me emra që Ai nuk e ka emërtuar veten e Tij sepse të gjithë emrat e Allahut pohohen vetëm nëpërmjet shpalljes. Për shembull nasarat (të krishterët) e quajnë Allahun “Ati” ndërsa filozofët e quajnë Atë “Shkaku (veprues)” dhe të ngjashme.

4 – Nxjerrja e emrave të Allahu dhe aplikimi i tyre mbi idhujt. Për shembull, ata emëruan statujat el-Lat dhe el-Uzza sipas emrit të Allahut El-Ilah dhe El-Aziz.

Devijimi i argumenteve të Tij ose mund të jetë në argumentet fetare (të cilat të dërguarit i kumtuan në formën e gjykimeve dhe informimeve) ose argumenteve kozmologjike siç janë krijesat e Allahut në qiej dhe në tokë.

Devijimi i argumenteve fetare do të thotë t’i shtrembërosh ato, mos t’u besosh atyre ose të kundërshtosh gjykimet e tyre.

Devijimi i argumenteve kozmologjike do të thotë t’ia atribuosh ato dikujt tjetër pos Allahut, të besosh se Ai ka ortak apo ndihmës e të ngjashme. Të dy devijimet janë të ndaluara. Allahu (te ala) i kërcënoi këta njerëz dhe tha:

وَذَرُواْ الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَآئِهِ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ

“Dhe largojuni shoqërisë së atyre të cilët i përgënjeshtrojnë emrat e Tij. Ata shpejt do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.” 7:180

إِنَّ الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي آيَاتِنَا لَا يَخْفَوْنَ عَلَيْنَا أَفَمَن يُلْقَى فِي النَّارِ خَيْرٌ أَم مَّن يَأْتِي آمِنًا يَوْمَ الْقِيَامَةِ

“Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në ditën e ringjalljes do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni. Vërtet që Ai është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju bëni.” 41:40

Ka devijime që nuk janë kufër (dalje nga feja), në varësi të asaj që tekstet në Kuran dhe sunnet nënkuptojnë.

Shpërndaje: