“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

4.Ngushëllimi hyjnorë dhe profetik për ata që janë goditur me fatkeqësi

Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi 

Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 13-14

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ngushëllimi hyjnor gjendet në fjalët e Allahut (te ala):

وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُواْ إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ أُولَئِكَ عَلَيْهِمْ صَلَوَاتٌ مِّن رَّبِّهِمْ وَرَحْمَةٌ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُهْتَدُونَ

“Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” El-Bekare, 2:155-157

E në realitet, ka ajete të shumta, të cilat flasin për çështjen e durimit.

Ngushëllimi profetik qëndron në fjalët e profetit (salAllahu alejhi ue selem):

ما من مسلم تصيبه مصيبة قيقول ما أمره الله به إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ اللهم اؤجرني في مصيبتي و أخلف لي خيرا منها إلا آجره الله في مصيبته و أخلف الله له خيرا منها

“S’ka musliman i cili goditet nga një fatkeqësi dhe thotë atë që është urdhëruar: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! O Allah! Më shpërblej mua në fatkeqësinë time dhe më jep diçka edhe më të mirë pas”, veçse Allahu do t’ia shpërblejë atë në fatkeqësi dhe i jep atij diçka edhe më të mirë pas saj.” Muslimi, Ahmedi dhe Ibn Maxheh.

Fjala: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” është ilaçi i dhënë nga ana e Allahut dhe të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem), për ata që janë goditur nga fatkeqësia. Ky ilaç është nga më të mirët dhe më të dobishmit që mund t’i jepet robit në të dy jetët. Ai përbëhet nga dy parime madhështore, nëse robi vërtetë ka dije rreh tyre dhe ngushëllohet me to, e që janë:

Parimi i parë është që robi ta kuptojë se me të vërtetë ai, familja e tij, pasuria e tij dhe fëmijët e tij janë pronësi e Allahut (azze ue xhel) i cili në realitet i ka huazuar prej Tij. Kur Allahu e merr atë që ia ka huazuar, është ashtu sikurse puna e huadhënësit, i cili përsëri e merr të huazuarën nga ai që ia ka huazuar atë. Gjithashtu, robi është i rrethuar nga dy jo-ekzistenca, njëra para se ai të jetonte dhe njëra pas vdekjes së tij. Prandaj, pasuria e robit është vetëm huazim i kufizuar për një kohë të shkurtër. Për më tepër, nuk është vetë ai që pasurinë e tij e ka bërë të ekzistojë nga asgjëja, në mënyrë që pasuria e tij të jetë në të vërtetë e tij.

Njeriu nuk mund ta ruajë pasurinë që ka (nëse nuk do Allahu), ai nuk ka ndikim dhe posedim real në të. Ai e shfrytëzon atë, në të njëjtën mënyrë siç bën edhe skllavi i urdhëruar e i ndaluar nga zotëria i tij, e nuk sillet si pronar absolut me atë pasuri. Prandaj, nuk i lejohet njeriut që ta përdorë pasurinë e vet, pos në atë mënyrë siç e kërkon Pronari i Vërtetë i saj.

Parimi i dytë është që robi të kthehet tek Allahu, i Cili është Zoti i tij i vërtetë, ta kuptojë se këtë jetë duhet ta lëjë pas shpine dhe se ai do të shkojë i vetëm tek Zoti i tij në Ditën e Gjykimit, siç Ai e krijoi herën e parë, e që i mungon familja, pasuria dhe shoqëria. Në vend të kësaj, njeriu vjen me veprat e tij të mira dhe të këqija. Pasi që ky është fillimi dhe fundi i robit, atëherë vjen pyetja: si mund të ndiejë dikush gëzim për pasardhësit e dhënë, pasurin e tij apo diçka tjetër nga kjo botë dhe si mund të ndiejë pikëllim për diçka që ai ka humbur?! Mendimet e robit rreth fillimit se si ka qenë dhe përfundimit është një nga trajtimet më të mira. Prej marrjes së ilaçit të dobishëm, është edhe bindja e plotë se ajo që e ka goditur atë nuk ka mundur assesi t’i shpëtojë, dhe se nga ajo nga e cila ka shpëtuar, nuk ka mundur t’i ndodhë në asnjë mënyrë. Thotë Allahu (te ala):

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي أَنفُسِكُمْ إِلَّا فِي كِتَابٍ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَا إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ لِكَيْلَا تَأْسَوْا عَلَى مَا فَاتَكُمْ وَلَا تَفْرَحُوا بِمَا آتَاكُمْ وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُورٍ

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë.” El-Hadid, 57:22-23

Çdokush që mediton mbi këtë ajet fisnik, gjen ilaçin dhe shërimin e çdo lloj fatkeqësie. Gjithçka që do të përmendim në këtë kapitull, janë të lidhura me këtë ajet, prandaj medito rreth tij.

Shpërndaje: