Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Vëlla i dashur! Më poshtë janë disa prej vendimeve të rëndësishme të agjërimit:
1 – Çdo mashkull dhe femër musliman/e të cilët janë përgjegjës për veprimet e tyre janë të detyruar të agjërojnë Ramazanin. Është e rekomanduar për fëmijët e moshës shtatë vjet dhe më të vjetër të agjërojnë në qoftë se ata munden. Në këtë rast, është detyrë e kujdestarit të tyre që t’i urdhërojnë ata ashtu sikurse i urdhërojnë ata për të falur namazin. Baza për këtë janë fjalët e Allahut (azze ue xhel):
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ فَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَهُوَ خَيْرٌ لَّهُ وَأَن تَصُومُواْ خَيْرٌ لَّكُمْ إِن كُنتُمْ تَعْلَمُونَ شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِيَ أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ وَمَن كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
”O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të bëheni të devotshëm. Agjërimi zgjat disa ditë, por nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar (e nuk agjëroi), le të agjërojë më vonë aq ditë. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por agjërimi juaj është më i dobishëm për ju, veç sikur ta dinit. Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.“ El-Bekare 2:183-185
Ndërsa profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
بني الإسلام على خمس شهادة أن لا إله إلا الله وأن محمدا رسول الله وإقام الصلاة وإيتاء الزكاة وحج البيت
“Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla: dëshmia se s’ka të adhuruar tjetër pos Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit.” [1]
Të gjithë dijetarët janë të konsensusit për vërtetësinë e këtij hadithi i cili transmetohet nga Ibn Umeri (radijAllahu anhu).
2 – Si rregull, është e detyrueshme agjërimi i Ramazanit dhe bërja nijet për agjërim para agimit. Këtë e kanë obligim të gjithë muslimanët që janë përgjegjës për veprimet e tyre. Përjashtim i vetëm janë ata të cilët Allahu i ka liruar nga agjërimi. Mes tyre janë të sëmurët, udhëtarët dhe ata që u bashkëngjiten gjykimit të tyre.
Atij që i bëhet me dije se ka filluar Ramazani pasi te ketë hyrë agimi, është i detyruar për tu ndaluar nga çdo gjë që e prishin agjërimin për pjesën tjetër që ka mbetur nga ajo ditë. Sepse kjo është ditë Ramazani në të cilën nuk është e lejueshme për njeriun e shëndoshë dhe që nuk është mysafir për të bërë diçka që e prishë agjërimin. Pos kësaj, ai duhet ta përsërs këtë ditë pasi që ai nuk kishte bërë nijetin për agjërim përpara agimit. Është konfirmuar se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
من لم يجمع الصيام قبل الفجر فلا صيام له
“Nuk ka agjërim për atë që nuk ka bërë nijetin para agimit.” [2]
Muveffekudin bin Kudame e ka cekur këtë në “el-Mugni” dhe këtë mendim e kanë shumica e dijetarëve. Agjërimi i përmendur është agjërimi i detyrueshëm. Ndërsa, agjërimi i rekomanduar është i lejuar për ta filluar gjatë ditës me kusht që nuk është bërë asgjë që e prish agjërimin më përpara. Dhe kjo është transmetuar në formë autentike nga Profeti (salAllahu alejhi ue selem).
3 – Muslimani është i detyruar të agjërojë me bindje të plotë dhe me shpresë që Allahu do ta shpërblejë. Ai nuk duhet të agjërojë për shkak të syefaqësisë ose për të krijuar reputacion pozitiv në sytë e njerëzve. Muslimani nuk duhet të agjëroje sepse ai ndjek të tjerët verbërisht ose për shkak të traditës. Është e detyrueshme që agjërimi të kryhet për shkak të bindjes se Allahu e ka obliguar atë që të agjërojë dhe të shpresoj shpërblimin e Tij.
E njëjta gjë vlen edhe për namazin e natës gjatë Ramazanit. Është detyrë për muslimanin që ta falë atë nga bindja e plotë dhe shpresa për tu shpërblyer. Pra, nuk guxon të ketë ndonjë motiv tjetër. Prandaj, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
“Kush agjëron ramazanin me bindje të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëhershme. (3 herë)” [3]
Kini frikë Allahun, madhëroni urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Pendohuni sa më shpejtë për të gjitha mëkatet tuaja. Mbështetuni vetëm tek Allahu, me të vërtetë Ai është Krijuesi i krijesave dhe Furnizuesi i tyre. Ai ka pushtet mbi ta. Asnjë krijesë nuk e ka në dorën e tij dëmin, dobinë, vdekjen, jetën apo ringjalljen. Jepini përparësi të drejtës së Zotit tuaj dhe të drejtës së të Dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem) para gjithë të tjerëve, pavarësisht nga kush janë ata.
Urdhëroni njëri-tjetrin në mirësi dhe ndaloni nga e keqja. Kini mendime të mira për Allahun. Përkujtoheni shumë Allahun dhe kërkoni shpesh falje. Bashkëpunoni ndërmjet vete në atë që është e mirë dhe e devotshme, e mos bashkëpunoni në mëkate dhe armiqësi. Parandaloni të afërmit tuaj mëkatarë nga mëkati. Urdhërojini ata me atë që Allahu i ka urdhëruar ata dhe ndaloni nga ajo që Allahu i ka ndaluar. Duaj për hir të Allahut dhe urrej për hir të Allahut. Duaj miqtë e Allahut dhe urrej armiqtë e Allahut. Bëhuni këmbëngulës dhe bëhuni të durueshëm derisa ta takoni Zotin tuaj, në mënyrë që të fitoni lumturinë përfundimtare, grada, nder dhe pozita të larta në xhenet.
[1] Buhariu (8) dhe Muslimi (16).
[2] Tirmidhiu (730), Darakutni (2/171) dhe Bejhekiu në “Es-Sunnenul-Kubra” (7701). Autentik sipas Imam Albanit në “Sahihul-Xhami´” (6534).
[3] Buhariu (1901) dhe (2014) dhe Muslimi (670). Hadithi transmetohet i plotë nga Tirmidhi (683) dhe Ahmedi (10159).