Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Temim Bin Eus -radijAllahu anhu- ka thënë:
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Feja është këshillë.”
Thamë: ”Për kë, o i dërguari i Allahut?”
Ai tha: ”Për Allahun, për librin e Tij, për të dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për muslimanet në përgjithësi.”
Transmeton Muslimi (55).
Ebu Hatim ka thënë:
”I mençuri e ka obligim që të jetë këshillues për të gjithë muslimanët në përgjithësi dhe të mos e zhgënjej askënd në asnjë lloj mënyre. Profeti i zgjedhur ﷺ i vendoste kusht secilit prej shokëve të tij i cili iu besatohej, që: “T’ia dëshirojë të mirën çdo muslimani, ta falë namazin dhe ta jep zekatin.”
Ali Ibn Ebi Talib -radijAllahu anhu- ka thënë:
”Mos mashtro sepse mashtrimi është tipar i njerëzve të këqij. Dëshiroja të mirën vëllait tënd sido që ta kuptojë dhe zhduku kur ai të zhduket.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Vëllezërit më të mirë janë ata që ia duan të mirën vëllezërve të tyre. Sikurse edhe veprat më të mira janë ato që kanë frytet e mira dhe më të mirat prej tyre janë ato të sinqertat. Që të rrah ai i cili të këshillon është më e mirë sesa që të përshëndes ai i cili të urren.”
Hasan El-Basri ka thënë:
”Besimtari është pjesë e besimtarit. Ai është pasqyra e vëllait të tij. Nëse sheh diçka që nuk i pëlqen tek ai, e korrigjon, e udhëzon dhe e këshillon fshehurazi dhe haptazi.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Këshilla është e rrethuar nga akuzat. Këshilla duhet tu jepet vetëm atyre që e pranojnë atë, e njëjtë sikurse dunjaja është vetëm për ata që e braktisim atë dhe bota tjetër është vetëm për ata që e kërkojnë atë. Është më mirë që të konsultoheni me një person të shurdhur se sa me një person i cili ta kthen shpinën. Ta këshillosh një person i cili është përbuzës është e njëjtë sikur të mbjellësh në tokë të kripur. Shumica e njerëzve të cilët nuk i pranojnë këshillat janë ata të cilët janë të dashuruar në vetvete. Është obligim që t’ia duash të gjithëve të mirën, gjë të cilën e kemi thënë më lartë. Megjithatë, këshilla duhet të bëhet vetëm fshehurazi. Ai që e qorton vëllain e tij publikisht vetëm se e ka shëmtuar atë, ndërsa ai që e qorton vëllain e tij fshehurazi vetëm se e ka zbukuruar atë. Është më mirë për muslimanin që të veprojë atë që e zbukuron vëllain e tij sesa atë që e shëmton atë.
Sufjani ka thënë:
”I thashë Mis’arit: “A dëshiron të vijë një burrë te ti dhe të të tregojë për të metat e tua?”
Ai u përgjigj: “Jo, nëse do të më qortojë. Megjithatë, e dëshiroi këtë nëse ai më këshillon.”
Ibnul Mubarak ka thënë:
”Kanë qenë burrat që kur shikonin prej vëllezërve të tyre atë gjë që e urrenin, i këshillonin ata fshehurazi dhe i ndalonin ata fshehurazi. Ata shpërblehen për shkak të këshillimit dhe ndalimit fshehurazi. Ndërsa sot nëse dikush sheh vëllain e tij duke bërë diçka që e urren, fillimisht e provokon dhe më pas e ekspozon.”
Sufjan eth-Theuri ka thënë:
”Erdhi Talhah te Abdul-Xhebar Ibn Ue’il, dhe te ai ishte një grup njerëzish. Talhah i tha atij diçka të cilën nuk e dëgjoj askush dhe më pas u largua.
Abdul-Xhebar tha: ”A e dini se çfarë më tha?
Ai më tha: ”Unë të pashë dje se si u ktheve ndërsa ishe duke u falur.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Nëse këshilla jepet në mënyrën të cilën e përmendëm atëherë ajo do të plotësohet dhe të drejtat vëllazërore do të përmbushen.”