Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

41.Detyra për të njohur virtytet e profetit ﷺ (fundi i librit)

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

338 – Ne duhet ti’a sqarojmë muslimanëve disa libra të vërteta tek të cilët Allahu i ka udhëzuar. Ai i ka urdhëruar ata që t’i përmbahen Xhematit dhe t’i binden Atij dhe të dërguarit të Tij . Unë do të sqarojë disa nga virtytet e profetit në mënyrë që ata t’i njohin virtytet me të cilat Allahu (azze ue xhel) e ka veçuar bërë umet kur Allahu e bëri që ata t’i përkasin umetit të tij . Prandaj, ata duhet të falënderojnë Allahun (azze ue xhel) për këtë. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

“Po kështu (për të plotësuar mirësitë e Mia mbi ju) Ne ju kemi sjellë në mesin tuaj një të dërguar nga vetë ju duke ju shpallur ajete Tona (Kur’anin), duke ju pastruar ju, duke ju mësuar ju Librin (Kur’anin) dhe Hikmetin (Sunnetin, rrugën e profetit, Ligjin dhe Drejtësinë Islame), duke ju mësuar juve atë që nuk e dinit. Kështu pra, më kujtoni Mua (me falje, lavdërime etj), (që) Unë t’ju kujtoj ju dhe jini falënderues ndaj Meje (për mirësitë e Mia të panumërta mbi ju) dhe kurrë mos u bëni mosmirënjohës ndaj Meje e mohues.” El-Bekare 2:151-152

339 – Është e shëmtuar që muslimanët të jenë të paditur rreth virtyteve të profetit të tyre dhe rreth atyre mrekullive dhe mirësive me të cilat Allahu (azze ue xhel) e ka veçuar atë si në këtë jetë ashtu edhe në jetën e tjetër.

Disa nga cilësitë e profetit ﷺ në Kuran

340 – Dijeni Allahu ju mëshiroftë juve dhe neve! Se Allahu (azze ue xhel) e ka nderuar profetin e Tij me nderin më të lartë, e përshkroi atë me përshkrimet më të mira, e veçoi atë me përshkrimet më të veçuara dhe e lartësoi mbi të gjithë njerëzit.

341 – Zoti ynë Fisnik na ka treguar se Ai e ka dërguar atë si të dërguar përgëzues dhe qortues, si dhe thirrës për në fenë e Allahut dhe si një fener ndriçues:

“O ti profet, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues.” En-Nur 24:35

Ne të dërguam ty me atë që është e vërtetë, lajmgëzues e qortues, e nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar. Edhe nëse të përgënjeshtrojnë ty, përgënjeshtruan edhe ata që ishin para tyre.” El-Fatir 35:25

342 – I dërguari vërtetë ka paralajmëruar ka thirrur dhe ka përhapur shpalljen e mirë në një mënyrë të përkryer.

343 – Zoti ynë fisnik na ka treguar se Muhammedi është rezultat i lutjes së Ibrahimit dhe Ismailit dhe përgëzimi i Isait . Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di! “Zoti ynë, na bëj ne të dy besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tanë dhe na falë ne, vërtet Ti je që falë shumë, je mëshirues!” Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga mesi i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë ata. S’ka dyshim se Ti je Ngadhënjyesi, i Dijshmi.” El-Bekare 2:128-129

344 – Allahu (azze ue Xhel) iu përgjigj Ibrahimit dhe Ismailit . Ai zgjodhi prej pasardhësve të tyre atë që Ai e donte dhe ai ishte Muhammedi . Ai i përkiste fisit më finsik të Kurejshve, me pozitën më të lartë, ishte nga familja më fisnike dhe familja më e mirë. Prandaj Allahu e dërgoi atë si lajmgëzues dhe qortues.

345 – Allahu (azze ue xhel) thotë:

“Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i Allahut te ju, jam vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” Es-Saff 61:6

346 – Allahu (azze ue xhel) përforcoi argumentin kundër nasarave që Isa ibn Merjem ua kishte përhapur atyre lajmin e gëzuar për ardhjen e Muhammedit .

347 – Pastaj Allahu (subhaneh) tregoi se jehudët dhe nasarat i gjejnë përshkrimet dhe tiparet e Muhammedit në Teurat dhe në Inxhil. Në to ata gjejnë se ai është profet dhe se ata janë të detyruar që ta pasojnë dhe ta mbështesin atë.

Allahu (te ala) ka thënë:

Allahu tha: “Unë godas me dënimin Tim kë të dua, ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zekatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona dhe atyre që ndjekin të dërguarin Tonë, profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Inxhil. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” Al-Imran 3:156-157

348 – Kështu Allahu (azze ue xhel) bëri që argumentet e jehudëve dhe të nasarave të shkojnë huq. Ai u tha atyre në lidhje me përshkrimet e Tij në librat e tyre se ajo me të cilën Muhammedi ka ardhur nuk është asgjë tjetër pos se një dritë dhe një e vërtetë, me të cilën ai i nxjerr njerëzit nga errësira në dritë dhe në një rrugë të drejtë.

349 – Pastaj Allahu (azze ue xhel) tregoi se Muhammedi i thërret njerëzit në të vërtetën dhe në rrugën e drejtë. Prandaj Ai i urdhëroi të gjithë xhinët dhe njerëzit që ta pasojnë atë .

350 – Ai na tregoi se xhinët dëgjuan të dërguarin e Allahut duke predikuar obligimet e Zotit. Ata e dinin se kjo ishte e vërteta dhe prandaj ata i besuan atij, e pohuan atë dhe e pasuan.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Dhe (kujto) kur Ne dërguam drejt teje (O Muhammed) një grup të vogël xhindësh të dëgjojnë Kuranin dhe sapo u gjendën tek ai, thanë: “Dëgjoni në heshtje!” Dhe kur mbaroi, ata u kthyen te shoqëria e tyre si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Me të vërtetë që kemi dëgjuar një Libër (Kuranin) të zbritur pas Musait, duke vërtetuar çfarë ka ardhur para tij: ai të udhëzon tek e vërteta dhe tek udha e drejtë. O populli ynë! Përgjigjuni thirrësit të Allahut (të dërguarit të Allahut dhe besojeni atë. Ai (Allahu) do t’ua falë juve gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i dhimbshëm (i xhehenemit).”  El-Ahkaf 46:29-31

351 – Pastaj Ai (azze ue xhel) ka thënë se Ai do të bëjë që feja e profetit të Tij të latrësohet mbi të gjitha fetë e tjera:

“(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.” Teube 9:33

352 – Pastaj Allahu (azze ue xhel) tha se besimi i asnjë personi në Allahun nuk është i plotë derisa të besoni në Allahun dhe në të dërguarin e Tij :

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë në Njësinë e Allahut dhe në të dërguarin e Tij dhe kur ata janë me të në një çështje që ndikon mbi të gjithë bashkësinë, nuk largohen derisa të kërkojnë lejen e tij. Vërtet se ata që kërkojnë lejen tënde, mu këta janë ata të cilët vërtet kanë besuar në Allahun dhe në të dërguarin e Tij. Kështu pra, në qoftë se ata kërkojnë lejen tënde për ndonjë çështje të tyre, lejo kë të duash dhe lute Allahun për falje të tyre. Sigurisht që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” En-Nur 24:62

353 – Zoti ynë na ka mësuar se ne e duam Atë vetëm nëse e duam dhe e pasojmë të dërguarin e Tij Muhammedin :

Thuaju (o Muhammed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Al-Imran 3:31

Allahu (azze ue xhel) bëri që dashuria ndaj të dërguarit dhe pasimi i tij të jetë argument ndaj dashurisë së vërtetë për Të.

354 – Allahu ka thënë se ai që nuk i beson të dërguarit të Tij është si ai që nuk beson në Të. Dhe ai që e mohon të dërguarin e Tij është si ai që e mohon Allahun:

“Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (xhenazen) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij. Me të vërtetë që ata nuk besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe vdiqën duke qenë fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Tij.)” Teube 9:84

355 – Ai i ndaloi besimtarët që të refuzojnë xhihadin me të dërguarin e Allahut . Po ashtu, ai i urdhëroi ata që të durojnë me vështirësitë që ndodhin:

“Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.” Teube 9:120

356 – Ai e vuri profetin e Tij në pozitën që të sqaroj në emër të Allahut:

“Ndërsa ty (o Muhammed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” En-Nahl 16:44

Prej gjërave që ua shpjegoi umetit të tij janë obligimet, si abdesi dhe namazi që përmenden në Librin e Tij. Allahu (në Kuran) nuk e shpjegoi kur namazi duhet të kryhet, sa ruku dhe sa sexhde ato i kanë, çfarë duhet të lexohet, me çfarë e fillon, ose me çfarë e mbaron atë. Një pjesë e madhe e dispozitave të tyre nuk janë përmendur në të. Prandaj profeti sqaroi qëllimin e Allahut (azze ue xhel) në të gjitha këto.

Allahu e urdhëroi zekatin në Librin e Tij, pa shpjeguar se sa paguhet për argjend, për ari, për dele, për deve, për lopë dhe për korrje. Prandaj profeti përmendi qëllimin e Allahut (azze ue xhel) në gjitha këto.

E njëjta gjë vlen edhe me agjërimin. Ai shpjegoi se çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar.

Përveç kësaj, Allahu (azze ue xhel) i urdhëroi robërit e Tij që të bëjnë haxhin në Qabe në qoftë se ata mund ta bëjnë këtë. Allahu as nuk tregoi se si haxhi fillohet apo me çfarë është i obliguar ai që kryen haxhin. Këtë e shpjegoi profeti hap pas hapi.

E njëjta gjë vlen edhe për dispozitat e xhihadit dhe tregtisë.

Allahu (azze ue xhel) i ndaloi muslimanët nga shitblerja me kamatë dhe i kërcënoi ata me dënim të dhembshëm. Ndërsa Ai nuk shpjegoi se çfarë është kamata në Librin e Tij. Këtë ia la të dërguarit .

Kështu është rasti me shumë dispozita. Ajo që gjendet në Kuran mund të kuptohet vetëm nëpërmjet sqarimeve dhe shpjegimeve të dërguarit .

357 – Pastaj Allahu urdhëroi të gjitha krijesat që t’i binden atij (Muhammedit). Ai i ndaloi ata të veprojnë me mosbindje ndaj tij . Kjo është përmendur disa herë në Kuran. Allahu e ka lidhur bindjen ndaj të dërguarit me bindjen ndaj Tij. Ai i ka mësuar ata se ai që nuk i bindet të dërguarit nuk i bindet Allahut:

“Kush i bindet të dërguarit, i është bindur Allahut.” En-Nisa’ 4:80.

358 – Allah obligoi bindjen ndaj të dërguarit të Tij . Ai i paralajmëroi ata që të kundërshtojnë urdhrin e të dërguarit të Tij dhe që t’i flasin atij sikurse i flasin të tjerëve. Pos kësaj, Ai u tregoi atyre se kushdo që e bën këtë do t’i nënshtrohet sprovës:

“Mos ia drejtoni thirrjen të dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit; Allahu, me siguri, i di ata që shkëputen prej jush tinëzisht. Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e të dërguarit se ata do t’i zë ndonjë fitne (sprovë), ose do t’i godasë dënimi i dhembshëm.” En-Nur 24:63

359 – Pastaj Allahu (azze ue xhel) i obligoi ata që gjykohen tek profeti që të mos kenë asnjë kundërshtim ndaj të dërguarit . Në vend të kësaj, ata duhet t’i nënshtrohen urdhrit të tij dhe të jenë të kënaqur me të. Ndërsa nëse ata nuk e bëjmë këtë, ata nuk konsiderohen të jenë besimtarë.

Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

“Jo, për Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë të vërtetë derisa të zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë pakënaqësi ndaj gjykimit tënd dhe derisa t’i pranojnë vendimet e tua plotësisht të nënshtruar.” En-Nisa’ 4:65

360 – Pastaj Allahu (azze ue xhel) i lavdëroi ata që janë të kënaqur me gjykimin e profetit ﷺ:

“Vetëm sikur të ishin kënaqur me atë që u dha Allahu dhe i dërguari i Tij dhe të thoshin: “Allahu është më se i Mjaftueshëm për ne! Allahu do të na dhurojë neve nga begatitë e Tij dhe i dërguari i Tij nga sadakatë (lëmosha)! Tek Allahu i kthejmë shpresat tona duke iu lutur Atij!” Teube 9:59

361 – Allahu (azze ue xhel) ka treguar se banorët e zjarrit do të pendohen për shkak se nuk iu bindën Allahut dhe të dërguarit të Tij . Një ditë ata do të pendohen, atëherë kur pendimi është i kotë dhe do të vajtojnë kur vajtimi është i kotë:

“Ditën kur fytyrat t’u kthehen përmbys në zjarr, do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe t’i ishim bindur të dërguarit.” El-Ahzab 33:66

362 – A po e shihni Allahu ju mëshiroftë! Se si Allahu e nderoi profetin e Tij në çdo rast? Çdo herë Ai e nderoi atë gjithnjë e më shumë në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

363 – O umeti i Muhammedit ! O besimtarë! Dijeni se Allahu i ka obliguar të gjithë njerëzit që të respektojnë dhe të vlerësojnë profetin e Tij . Ai i ka ndaluar ata që të ngrenë zërin e tyre mbi zërin e tij dhe që ata t’i flasin atij ashtu sikurse i flasin njëri-tjetrit. E gjithë kjo është për ta respektuar atë . Ai i mësoi ata se ata që e kundërshtojnë urdhrin e Tij dhe nuk e nderojnë atë në një mënyrë të lavdërueshme do të humbasin të gjitha veprimet e tyre pa vërejtur atë:

O ju që keni besuar! Mos vendosni për asgjë para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe kini frikë Allahun. Vërtetë që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur. O ju që keni besuar! Mos e ngritni zërin tuaj përmbi zërin e Pejgamberit, as mos i flisni atij në bisedë me zë të lartë siç flisni me njëri-tjetrin, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ditur ju. El-Huxhurat 49:1-2

364 – Allahu (azze ue xhel) i ka premtuar atyre falje det shpërblim të måst styre që ulin zërat e tyre kur ata flasin me të dërguarin e Tij dhe e respektojnë atë :

“Vërtet se ata të cilët e ulin zërin e tyre në prani të të dërguarit të Allahut, ata janë të atillë, zemrat e të cilëve Allahu i ka provuar për Et-Takua (frikë dhe përkushtim ndaj Allahut). Për ta ka falje dhe shpërblim të madh.” El-Huxhurat 49:3

365 – Allahu (azze ue xhel) u ka treguar njerëzve dhe profetit të Tij se të gjithë mëkatet e tij nga e kaluara e tij dhe mëkatet e ardhshme i janë falur. Ai e ka nderuar atë në një mënyrë të përsosur, e ka udhëzuar në rrugën e drejtë dhe i ka treguar atij se Ai i ka dhënë atij një fitore të fuqishëm:

“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty (O Muhammed) fitore të qartë. Që Allahu të të falë ty gjynahet tua të kaluara dhe të ardhshme, dhe të plotësojë Mirësitë e Tij mbi ty, dhe të të udhëzojë ty në Rrugën e Drejtë. Edhe që Allahu të të japë ndihmë të madhe pa kufi.” El-Fet’h 48:1-3

366 – Allahu tha se ata që iu besatuan të dërguarit të Allahut ata iu kanë besatuar Allahut (azze ue xhel). E gjithë kjo është një dëshmi për pozitën e lartë të Muhammedit tek Allahu (azze ue xhel):

“Ata që të janë betuar për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut.” El-Fet’h 48:10

367 – Allahu (azze ue xhel) tregoi se Ai ishte i kënaqur me ata të cilët sinqerisht iu besatuan profetit të Tij për besim dhe bindje:

“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” El-Fet’h 48:18

368 – Pastaj Allahu (te ala) ka urdhëruar besimtarët që të marrin si shembull të dërguarin e Allahut :

”Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, për atë që shpreson në takimin me Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë. El-Ahzab 33:21

369 – Pastaj Allahun (azze ue xhel) i urdhëroi besimtarët që të jenë të sinqertë ndaj Allahut. Ai i mësoi ata se ai që është i sinqertë ndaj Allahut është gjithashtu i sinqertë ndaj të dërguarit të Tij . Ai bashkoi këto dy çështje dhe tha:

“Nuk është mëkat të mos shkojnë në luftë të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të dërguarin e Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Teube 9:91

370 – Ai tha se ai që e tradhton të dërguarin është si ai që e tradhton Allahun (azze ue xhel):

“O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” El-Enfal 8:27

371 – Allahu i paralajmëroi njerëzit që të mos lëndojnë dhe të ofendojë të dërguarin e Allahut ndërsa ai ishte gjallë dhe pas vdekjes së tij. Ai që e zemëron dhe e lëndon të dërguarin e Allahut ﷺ, ai e ka lënduar Allahun. Ai tregoi se ai që e lëndon Allahun dhe të dërguarin e Tij meriton të mallkohet si në këtë jetë ashtu edhe në botën tjetër:

“Pa dyshim, ata që fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën. Ai ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues.” El-Ahzab 33:57

372 – Pastaj Allahu tha se ai që ka kundërshtim dhe armiqësi kundër të dërguarit gjithashtu ka armiqësi kundër Allahut:

“Nuk gjen popull i cili beson në Allahun dhe në ditën e fundit, të bëjë miqësi me ata që i kundërvihen Allahut dhe të dërguarit të Tij edhe sikur ata të jenë baballarët e tyre, apo bijtë e tyre, apo vëllezërit e tyre, apo të afërmit e tyre.” El-Muxhadilah 58:22

373 – Zoti ynë na ka mësuar se profeti është më afër besimtarëve se sa ata janë mes veti. Nëse ai na urdhëron diçka, ne duhet ti nënshtrohemi atij urdhri. Ne nuk kemi zgjedhje pos asaj që i dërguari na ka dhënë. Kjo vlen për të gjitha çështjet si në jetën familjare, si në pasuri dhe në pasardhës.

Allahu (subhaneh) ka thënë:

“I dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre.” El-Ahzab 33:6

374 – Allahu (azze ue xhel) e ka nderuar profetin e Tij dhe e ka zgjedhur atë mbi të gjithë njerëzit e tjerë. Këtë Ai e ka bërë ndër të tjera duke ndaluar të gjithë njerëzit që të martohen me gratë e tij pas vdekjes së tij .

375 – Dijeni Allahu ju mëshiroftë! Se çdo gjë që profeti e ka ndaluar është e ndaluar për të gjithë njerëzit. Është e ndaluar që të kundërshtohen ndalesat e tij derisa nuk ka argument tjetër që sugjeron se kjo nuk është e ndaluar por vetëm e urryer:

“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që kur Allahu dhe i dërguari i Tij vendosin për një çështje ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” El-Ahzab 33:36

376 – Pastaj Allahu (azze ue xhel) i urdhëroi krijesat e Tij që të dërgojnë selame dhe salavate mbi të .

Allahu (te ala) tha:

“Allahu dërgon Salat-in (mirësitë, derimet, bekimet, mëshirën) e Tij mbi profetin, edhe melekët e Tij gjithashtu (i luten Allahut për bekimin dhe faljen e tij). O ju që keni besuar! Dërgoni Salat (luteni Allahun të bekojë) mbi të dhe përshëndeteni atë me nderim me përshëndetjen Islame!” El-Ahzab 33:56

Selamet dhe salavatet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij ditë e natë.

Shpërndaje: