Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

35.Shkaqet e shtimit dhe pakësimit të imanit

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shtimi i imanit ka disa shkaqe:

1 – Dituria dhe njohja rreth emrave dhe cilësive të Allahut. Sa më shumë dije të ketë robi rreth emrave dhe cilësive të Allahut, kuptimit të tyre dhe ndikimit të tyre aq më shumë do t’i shtohet imani dhe aq më shumë do ta dojë dhe do ta madhërojë Zotin e tij.

2 – Meditimi rreth argumenteve në univers dhe atyre fetare. Sa më shumë të meditojë robi rreth tyre si p.sh., rreth fuqisë absolute dhe urtësisë së përsosur të Allahut aq më shumë do t’i shtohet besimi dhe bindja.

3 – Kryerja e veprave (ibadeteve) të mira që janë bindje ndaj Allahut. Imani shtohet në varësi të përsosjes së kryerjes së veprës, llojit të saj dhe sasisë së tyre. Sa më mirë ta kryejë robi një vepër aq më shumë do t’i shtohet imani. Përsosmëria e veprës është në varësi të sinqeritetit dhe pasimit të sunnetit.

Sa i përket llojit të veprës, obligimet që Allahu ka caktuar janë më të mira se ato vepra që janë sunnet. Disa vepra janë më të vlefshme se të tjerat. Sa më i vlefshëm të jetë një ibadet në krahasim me një tjetër aq më shumë do t’i shtohet imani me kryerjen e atij ibadeti.

Sa i përket sasisë së veprave, sa më të shumta të jenë ato aq më shumë do t’i shtohet imani pasi vetë vepra duke qenë pjesë e imanit me shtimin e tyre do të shtohet dhe imani.

4 – Braktisja e mëkateve nga frika ndaj Allahut (azze ue xhel). Sa më e fortë të jetë tërheqja drejt një mëkati aq më i fortë është imani nëse robi e braktis kryerjen e atij mëkati. Fakti që një person tërhiqet fort drejt një mëkati dhe megjithëkëtë, ai nuk e bën këtë mëkat është argument për besimin e tij të fortë dhe dhënien përparësi të asaj që do Allahu dhe i dërguari i Tij para dëshirave të epshit të tij.

Imani pakësohet për shkak të disa arsyeve:

1 – Injoranca rreth emrave dhe cilësive të Allahut (te ala).

2 – Neglizhimi dhe injorimi i meditimit rreth argumenteve dhe ligjeve të Allahut si në univers ashtu dhe në sheriat pasi kjo shkujdesje sjell sëmundjen e zemrës apo vdekjen e saj për shkak të pushtimit të saj nga epshet dhe dyshimet.

3-Veprimi i mëkateve. Imani pakësohet në varësi të llojit të mëkatit, madhësisë së tij, marrjes me lehtësi të tij si dhe në varësi të dëshirës së madhe apo jo për kryerjen e mëkatit.

Sa i përket llojit të mëkatit dhe madhësisë së tij padyshim që imani pakësohet më shumë me kryerjen e mëkateve të mëdha sesa me kryerjen e mëkateve të vogla. Imani (p.sh) pakësohet më shumë në rastin e vrasjes së një njeriu të pafajshëm se në rastin e marrjes së pasurisë së tjetrit në mënyrë të padrejtë. Imani pakësohet më shumë me kryerjen e dy mëkateve në krahasim me kryerjen e një mëkati dhe kështu me radhë.

Sa i përket marrjes me lehtësi të mëkatit, imani pakësohet më shumë tek ai zemra e të cilit nuk e konsideron të rëndësishëm Atë që e kundërshtoi me mëkat pasi frika nga Ai është e vogël në krahasim me personin që e madhëron Allahun, ka shumë frikë nga Ai por ndodhi që t’i bëjë mëkat Atij.

Lidhur me tërheqjen drejt mëkatit, imani pakësohet më shumë në qoftë se mëkati kryhet nga një person tërheqja e të cilit ndaj mëkatit është më e dobët se në rastin kur tërheqja ndaj mëkatit është më e fortë. Prandaj i varfëri mendjemadh dhe plaku zinaqar (imoral) e kanë mëkatin më të madh se i pasuri mendjemadh dhe se i riu që bën zina siç ka ardhur në hadith:

Janë tre lloje njerëzish të cilëve Allahu nuk do t’i flasë dhe as që do t’i pastrojë dhe për ta do të ketë dënim të ashpër. Ata janë: “Zinaqari i thinjur, i varfëri mendjemadh dhe ai i cili e ka bërë betimin në Allahun si mall tregu duke bërë shitblerje vetëm duke u betuar.’’

Transmeton Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Kebir (6111)” me një zinxhir të saktë transmetimi. Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (3072)”.

Dhe përmendi prej tyre plakun zinaqar dhe të varfërin mendjemadh pasi shtysat e tyre për të bërë mëkat janë më të pakta.

4 – Braktisja e ibadetit. Imani bie me moskryerjen e ibadeteve. Ai pakësohet në varësi të peshës së ibadetit. Sa më i vlefshëm të jetë ibadeti aq më shumë pakësohet imani me moskryerjen e tij. Imani gjithashtu mund të zhduket plotësisht nëse p.sh., braktiset namazi.

Pakësimi i imanit për shkak të braktisjes së ibadetit është dy llojesh:

1 – Braktisja e kryerjes së obligimeve (uaxhibateve) pa patur arsye. Për këtë lloj ka ndëshkim.

2 – Braktisja e kryerjes së obligimeve me arsye sheriatike apo fizike si dhe braktisja e ibadeteve vullnetare (mustehab). Në këto raste nuk ka ndëshkim. Rasti i parë është p.sh., braktisja e namazit nga gruaja kur ajo është në periudhën e ciklit menstrual ndërsa rasti i dytë është p.sh., braktisja e namazit duha (të paradites) dhe Allahu e di më së miri.

Shpërndaje: