Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

43.Gruas i lejohet t’u shërbejë mysafirëve

Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420) 

Burimi: Adab-uz-Zifaf, fq. 112

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

36-Nuses i lejohet t’u shërbejë mysafirëve

Nuk ka problem që nusja t’u shërbejë mysafirëve me kusht që të jetë e mbuluar1 dhe të jetë e sigurt se nuk do të ketë fitne (sprovë). Kjo për shkak të hadithit të transmetuar nga Sehl bin Sa’d i cili tha:

“Pasi që Ebu Usejd es-Saidi hyri dhëndër, ai ftoi profetin dhe shokët e tij në shtëpi. Gruaja e tij Umm Usejd, ishte ajo që e kishte përgatitur ushqimin dhe që ua shërbeu ushqimin atyre. Gjatë natës ajo i kishte lagur hurmat në një enë prej guri. Pasi profeti mbaroi së ngrëni, ajo i shërbeu atij duke i dhënë të pijë prej asaj që ajo kishte përgatitur në mënyrë që ai të mbetej i kënaqur. (Atë ditë ishte nusja, pra gruaja e Ebu Usejd es-Saidit, ajo që u shërbeu atyre).” 1

Me këtë dua të them se duhet të plotësohen tetë kushte:

1- I gjithë trupi duhet të jetë i mbuluar përveç fytyrës dhe duarve.

2 -Rroba nuk duhet të jetë e zbukuruar.

3 -Rroba nuk duhet të jetë transparente.

4 -Rroba nuk duhet të jetë e ngushtë dhe nuk duhet të përshkruajë diçka nga format e trupit të saj.

5 -Rroba nuk duhet të jetë e parfumosur.

6 -Rroba nuk duhet të jetë veshje për burra.

7 -Rroba nuk duhet të jetë tipike për kufarët.

8 -Rroba nuk duhet të jetë e tillë që tregon famë dhe prestigj.

Kam sqaruar me argumente nga Kurani dhe sunneti saktësinë e këtyre kushteve në librin tim: ”Mbulesa e gruas muslimane sipas Kuranit dhe sunnetit.” dhe kush dëshiron, mund t’i rikthehet këtij libri për më shumë.


1 Bukhari (9/200), Muslimi (6/103), Ebu Auaneh (1-2/131/8), Ibn Maxheh (591) dhe të tjerë. Hafidh Ibn Haxheri tha:

“Hadithi dëshmon se gruas i lejohet që t’i shërbejë burrit të saj dhe mysafirëve të tij. Natyrisht nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së dikujt që kjo vlen nëse ajo nuk ka frikë nga ndonjë sprovë si dhe duke patur parasysh faktin që ajo duhet të jetë e mbuluar. Hadithi gjithashtu dëshmon se burri mund ta lejojë gruan e tij të shërbejë për qëllime të ngjashme dhe se është e lejuar të pihet në gostinë e dasmës përderisa pijet nuk janë alkolike dhe dehëse dhe njëkohësisht është e lejuar të dallosh më të madhin në ftesë ndryshe nga të tjerët.”

Them: Pretendimi se këto hadithe kanë qenë para se mbulesa e gruas të bëhej obligim, për këtë nuk ka asnjë argument. Nuk ka as dhe një tregues të vetëm në hadith që të shërbejë si dëshmi se gruaja nuk ishte e veshur me xhilbab e që në bazë të kësaj dikush mund të argumentohej duke thënë se hadithi është abroguar. Edhe sot, ne shohim gratë e fshatit të veshura me xhilbab që u shërbejnë mysafirëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Hadithi pra është i qartë dhe nuk është shfuqizuar aspak. Dhe për këtë arsye Bukhari e përmendi këtë hadith në temën me titull: “Gruaja vetë u shërben burrave në dasëm.”

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë kushtet e përmendura më sipër të cilat duhet të plotësohen, gjë që e bën çështjen më tepër teorike sesa praktike sepse në shumë prej qyteteve të sotme, gratë dalin duke mos iu përmbajtur normave që kërkon sheriati në lidhje me veshjen dhe moralin që ato duhet të kenë.

Shpërndaje: