Në betejën e Uhudit, Allahu -azze ue xhel- i sprovoi robërit e Tij besimtarë dhe bëri të qartë dallimin mes atyre që ishin të sinqertë në besim dhe hipokritëve. Pasi Allahu kishte bërë që udhëheqësi i Kurejshëve të vritej në betejën e Bedrit dhe ata kishin pësuar humbje të rënda, udhëheqësia e tyre iu dha Ebu Sufjan bin Harbit, pasi nuk kishin askënd tjetër. Më parë ai kishte ardhur në afërsi të Medinës në të ashtuquajturën Ekspedita e Qullit por pa arritur ndonjë rezultat të rëndësishëm. Pastaj filloi të mobilizonte fisin e Kurejshëve dhe aleatët e tyre duke i nxitur të luftonin kundër të dërguarit të Allahut ﷺ dhe besimtarëve. Ai arriti të grumbullojë një ushtri prej rreth 3000 burrash nga Kurejshët, aleatët e tyre dhe disa abisinë. Madje morën edhe gratë me vete në mënyrë që burrat të mos kishin mundësi të tërhiqeshin nga beteja. Pastaj u nisën drejt Medinës dhe u vendosën në zonën Ajnejn, pranë kodrës së Uhudit. Ishte muaji Sheual.
I dërguari i Allahut ﷺ u konsultua me sahabët e tij lidhur me atë se si duhej vepruar përballë armikut: a t’i prisnin në Medine apo të dilnin për t’i sulmuar jashtë saj. Disa prej sahabëve të devotshëm të cilët nuk kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit, ishin të etur për të luftuar dhe e lutën me ngulm profetin ﷺ që të dilnin në betejë. Ndërkohë Abdullah bin Ubej bin Seluli së bashku me disa të tjerë mendonin se ishte më e mençur të qëndronin brenda Medinës dhe ta mbronin qytetin. Edhe ata i kërkuan profetit ﷺ me këmbëngulje të pranonin këtë mendim. Profeti ﷺ u ngrit dhe shkoi në shtëpi. Pas një kohe u kthye i armatosur dhe i përgatitur për të dalë në betejë. Kur disa e panë kështu, humbën shpresat se mendimi i tyre do të pranohej dhe thanë:
“O i dërguari i Allahut, qëndro në Medine nëse kjo është ajo që dëshiron.”
Profeti ﷺ u përgjigj: “Nuk i takon një profeti që pasi të ketë veshur armatimin e tij ta heqë atë para se të ketë luftuar.”
Transmrton Ahmedi (3/351). Hadithi është i dobët sipas Albanit në Da’if-ul-Xhami (2075).
Më pas u soll një xhenaze nga fisi Benu Nexhxhar, profeti ﷺ ia fali namazin e xhenazes dhe u lut për të. Ishte ditë e premte, dhe ai e caktoi Ibn Um Mektumin si zëvendës të tij në Medine.