Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

44.Këndimi dhe të rënit e defit në dasmë

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lejohet që gratë në dasmë të shpallin martesën duke i rënë vetëm defit si dhe duke kënduar kënge të lejuara në të cilat nuk ka përshkrime të bukurisë apo gjëra të turpshme. Kjo dëshmohet nga disa hadithe:

1 – Rubej bint Mueu’uidh -radijAllahu anha- ka thënë: “I dërguari i Allahut ﷺ hyri te unë natën kur u martova, u ul në shtratin tim, ndërsa vajzat e vogla i binin defit dhe këndonin për të parët e mi që kishin rënë dëshmorë në luftën e Bedrit, derisa një vajzë tha:

“Në mesin tonë është e profeti i cili e di se çfarë do të ndodh nesër.”

Profeti tha: “Mos thuaj kështu por thuaje atë që thoshe më parë.” 

Transmeton Bukhari (4001).  

2 – Nga Aishah -radijAllahu anha- transmetohet se si ajo e përgatiti një grua (e cila kishte qenë një vajzë jetime që ishte rritur tek ajo), ajo martohej me një burrë nga Ensarët.

Profeti ﷺ tha:

”O Aisheh! A nuk argëtoheni? Vërtet, Ensarëve u pëlqen argëtimi.”

Transmeton Bukhari (5162).

Në një tjetër formulim thuhet:

”A nuk dërguat një vajzë që t’i binte defit dhe të këndonte?” 

Unë i thashë: ”E çfarë të këndojë?”

Ai tha: “Le të thotë:

“Erdhëm te ju, erdhëm te ju!

Na përshëndesni, u përshëndesim.

Po të mos ishte ari i kuq ajo nuk do të vinte te ju.

Po të mos ishte gruri nuk do të trasheshin vajzat tuaja.” 

Transmeton Tabarani siç thuhet në “Mexhma’-uz-Zeueid”, Ibn Haxhari e ka transmetuar në “Fet’h-ul-Bari”. Vërtet përmban dobësi, por unë gjeta një rrugë tjetër përmes Aishes që e forcon atë, shih “Irua-ul-Ghalil (1995)”.

3-Ajo gjithashtu tha:

“Profeti ﷺ dëgjoi të ftuarit e dasmës duke kënduar:

Po i dhuroj asaj desh
Që do të kenë jetë të mirë
e dashura jote në shoqëri
e di çfarë sjell e nesërmja

Një transmetim tjetër thuhet:

Po i dhuroj asaj desh
Që do të kenë jetë të mirë
Burri yt në shoqëri
e di çfarë sjell e nesërmja 

Atëherë i dërguari i Allahut ﷺ tha:

“Askush përveç Allahut -subhaneh- nuk e di se çfarë do të ndodh nesër.”

Transmeton Tabarani në “el-Mu’xhem es-Saghir”, Hakimi dhe Bejhaki. Hakim tha: “Hadithi është i saktë sipas kushteve të Muslimit.” Dhehebi u pajtua me këtë. Hafidh Ibn Haxheri ia atribuoi këtë transmetim Tabaranit në “el-Eusat” me një zinxhir të mirë transmetimi.

4 – Nga Amir bin Sad Bexhelij:

“Hyra tek Karadhah bin Ka’bi dhe Ebu Mesudi dhe një person i tretë, ndërsa Aliu iku, ndërkohë disa vajza të vogla po i binin defit dhe këndonin.

Unë thashë: “E pranoni këtë kur ju jeni shokë të Muhamedit ﷺ?”

Ata thanë: “Na është lejuar kjo nëpër dasma si dhe na është lejuar të qajmë në rast fatkeqësie.”

Një transmetim tjetër thuhet:

“… dhe të qajmë për të vdekurin pa vajtuar.”

Transmeton Hakimi, Bejhaki dhe të dy transmetimet janë të tij, Nesai dhe et-Tajalisi.

5 – Nga Ebi Belxh Jahja bin Sulejm i cili tha:

I thashë Muhamed bin Hatibit:

”U martova me dy gra dhe në asnjërën prej dasmave nuk pati zë (d.m.th. nuk pati def).

Muhamedi -radijAllahu anhu- tha: “I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Ndarja mes haramit dhe hallallit është këndimi dhe rrahja e defit.” 

Transmeton Tirmidhi (1088) i cili tha se hadithi është i mirë, Nesai (3369), Ibn Maxheh (1896) dhe Ahmedi (3/418), Ibn Maxheh, el-Hakim dhe teksti është i tij, Ahmedi dhe Ebu Ali et-Tusi në “Mukhtasar-ul-Ahkam”, Hakimi, i cili po ashtu tha: “Zinxhiri i transmetimit është autentik.” Dhehebi u pajtua. Besoj se zinxhiri i transmetimit është i mirë, diçka që e kam sqaruar në “Irua-el-Ghalil (1994)”.

6 – Profeti ﷺ tha:

“Përhapeni lajmin e martesës.”

Transmeton Ibn Hibani, Tabarani në “el-Mu’xhem el-Eusat”, el-Mukhelis në ” el-Muntakah min hadith” dhe ed-Dija el-Makdisi në “el-Mukhtarah” përmes Abdullah bin el-Esuedit, nga Amir bin Abdilah bin ez-Zubejri, nga babai i tij, nga profeti ﷺ, zinxhiri i tij i transmetimit është i mirë dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm dhe të njohur përveç Abdullah bin el-Esuedit.

Ebu Hatim tha për të: “Shejkh”.

Ibn Hibani e përmendi atë në “eth-Thikat”, transmetimi është saktësuar nga Hakimi dhe Ibn Dakik el-Id i cili e përfshiu atë në “el-Ilmam bi Ahadith-el-Ahkam” ku ai sqaroi në parathënie se ai do të citonte nga hadithet vetëm se ato që janë të sakta.

Shpërndaje: