Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 140
Përktheu: ValdetGashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
وَقَالُوا مَا هِيَ إِلَّا حَيَاتُنَا الدُّنْيَا نَمُوتُ وَنَحْيَا وَمَا يُهْلِكُنَا إِلَّا الدَّهْرُ
”Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”.” El-Xhathijeh, 45:24
2 – Është transmetuar në mënyrë autentike përmes Ebu Hurejrës se profeti ﷺ ka thënë:
Allahu -te ala- ka thënë: “Më shqetëson biri i Ademit, e fyen kohën e Unë jam koha, Unë sjell ndryshimin e natës dhe të ditës.”
Transmeton Bukhari (4826) dhe Muslimi (2246).
Në një transmetim tjetër ai ﷺ thotë:
”Mos e fyeni kohën se vërtet Allahu është koha.”
Transmeton Muslimi (2246).
Shpjegimi:
Me këtë titull autori dëshiron të qartësojë se fyerja e kohës dhe mëkatet e tjera e prishin dhe e dobësojnë teuhidin dhe e mangësojnë plotësinë e tij. Është obligim për t’u shmangur nga të gjitha mëkatet që dobësojnë besimin, prej tyre është fyerja e kohës, erës dhe çdo gjëje tjetër që nuk meriton të fyhet. Është obligim qëndrimi larg çdo gjëje që e zemëron Allahun sepse koha është e krijuar dhe e kontrolluar nga Allahu, prandaj ajo nuk mund të bëjë asgjë vetvetiu. Allahu -te ala- është Ai që e zotëron atë. Koha përbëhet nga nata dhe dita. Ai që e fyen atë e shqetëson Allahun. Askush nuk mund ta dëmtojë Allahun por mëkatet e shqetësojnë Atë për shkak se ato e zemërojnë Atë.
Allahu -te ala- ka thënë:
إِنَّ الَّذِينَ يُؤْذُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ لَعَنَهُمُ اللَّهُ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَأَعَدَّ لَهُمْ عَذَابًا مُّهِينًا
”Pa dyshim, ata që fyejnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën. Ai ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues.” El-Ahzab, 33:57
Fyerja e kohës do të thotë fyerja e ditës dhe natës. Shembull i kësaj është që t’i lutesh Allahut që ta mallkojë këtë çast kohe, apo një ditë, apo që t’i kërkosh që të mos e bekojë një ditë dhe kështu me radhë. Fyerja e kohës do të thotë ta nënçmosh atë, ta mallkosh ose të lutesh kundër saj.
Megjithatë nuk është fyerje e kohës nëse e përshkruan atë si të vështirë. Shembull i kësaj është që të thuash se është ditë e ashpër, e vështirë, e mërzitshme, e ftohtë apo e nxehtë.
2 – Është transmetuar në mënyrë autentike përmes Ebu Hurejrës se profeti ﷺ ka thënë:
Allahu -te ala- ka thënë: “Më shqetëson biri i Ademit, e fyen kohën e Unë jam koha, Unë sjell ndryshimin e natës dhe të ditës.”
Në një transmetim tjetër ai thotë:
”Mos e fyeni kohën se vërtet Allahu është koha.”
Këtu shpjegohet koha dhe se ajo është dita dhe nata. Allahu është Ai që i ndryshon ato. Ai që e fyen kohën e fyen Atë që e krijoi kohën dhe që e ndryshon atë. Kjo pra nuk lejohet.
Ata që thonë se ed-Dehr (koha) është një nga emrat e Allahut, gabojnë. Një prej tyre është Ibn Hazmi. Hadithi do të thotë se është Allahu që e ka krijuar kohën dhe ka krijuar gjithçka në të. Të njëjtin kuptim e kanë fjalët e të dërguarit ﷺ:
”Mos e fyeni erën.”
Transmeton Tirmidhi (2252), Ibn Maxheh (3727), Ahmedi (7407), Hakimi (3075) dhe Bukhari në ”el-Adeb el-Mufred (719)”. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Ibn Maxheh (3003)”.
E njëjta gjë vlen edhe me fyerjen e deveve, deleve, lopëve dhe çdo gjëje tjetër që nuk meriton të fyhet. Fyerja pra është mangësim i besimit dhe teuhidit.