Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

46.I mençuri dhe bojkotimi

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Profeti ka thënë:

”Mos e urreni njëri-tjetrin, mos garoni kundër njëri-tjetrit, mos keni zili njëri-tjetrin dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por jini robër të Allahut, vëllezër të vërtetë!”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Ebu Hatim ka thënë:

”Nuk është e lejuar për muslimanët që të urrejnë njëri-tjetrin, të garojnë kundër njëri-tjetrit, ta kenë zili njëri-tjetrin apo t’ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Ata janë të obliguar që të jenë muslimanë ashtu siç ka urdhëruar Allahu dhe i dërguarit i Tij ﷺ.

Nëse njëri vuan nga një dhimbje vuan edhe tjetri po nga ajo dhimbje. Nëse njëri është i lumtur edhe tjetri është i lumtur. Ai nuk gënjen dhe nuk mashtron. Ia dorëzon veten Allahut të Lartësuar duke qenë i kënaqur me obligueshmërinë e të gjitha dispozitave. Nuk është e obliguar që muslimanët të bojkotojnë njëri-tjetrin për shkak të një gabimi që dikush vepron. Në vend të kësaj ata janë të obliguar që ta zëvendësojnë gabimin me një sjellje të bukur dhe me një përkujdesje dhe ta braktisin bojkotimin e njëri-tjetrit.

Ebu Hatim ka thënë:

”Personi nuk duhet të jetë sikurse një njeri i rëndomtë dhe injorant i cili e përdhos dashurinë ndaj vëllezërve për shkak të faktorëve që shkaktojnë bojkotin, gjë të cilin profeti ﷺ e ndaloi. Në vend të kësaj duhet të sigurohet që të injorojë gabimet dhe të mos diskutoj në lidhje me gabimet që kanë ndodhur. Kjo vlen në veçanti në lidhje me çështjet që mund të kuptohen në mënyrë të saktë dhe në të gabuar.”

Muhammed Ibn Abdirr-Rrahman ka thënë:

”Kam dëgjuar Ebu Amar Husejn Ibn Hurejthin të thotë:

”Iu tha një burri; A ke të meta?”

Ai tha: ”Jo.”

Iu tha atij: ”A ekziston dikush i cili është në kërkim të të metave tua?”

Ai tha: ”Po.”

Iu tha atij: ”Sa shumë të meta që paske!”

Ebu Hatim ka thënë:

”Shkaqet që çojnë në bojkotimin midis muslimanëve janë tre; Gabimi i vëllait të tij, e cila është diçka e pashmangshme. Shpifja e personit që merret me thashetheme dhe mërzitshmëria e cila iu bashkëngjitet njërës prej këtyre dy gjërave. Mërzija të çon në shkëputjen e lidhjeve, dhe personi i mërzitshëm nuk ka asnjë shok.

Ebu Hatim ka thënë:

”Nuk i lejohet asnjë muslimani që ta bojkotojë vëllain e tij më shumë se 3 ditë (për çështje të dunjas). Ai që vepron këtë ka rënë në ndalesën e profetit ﷺ. Më i miri prej tyre është ai i cili fillon të japë selamin. Ai i cili jep selamin i pari do të hyjë në xhenet i pari. Të bojkotosh vëllain tënd për 1 vit është sikurse ta vrasësh. Ai i cili e ka bojkotuar vëllain e tij dhe vdes do të hyjë në zjarr nëse Allahu nuk e fal dhe nuk e mëshiron. Maksimumi që u lejohet muslimanëve të bojkotohen (për çështje të dunjas) është 3 ditë.”

Shpërndaje: