Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I mençuri është i obliguar të jetë i butë në të gjitha çështjet dhe të mos nxitohet. Allahu -azze ue xhel- e do butësinë në të gjitha çështjet. Ai që privohet nga butësia është privuar nga mirësia. Atij që i jepet butësia i jepet mirësia. Njeriu vështirë që do të zbatojë ëndrrën e tij nëse nuk i përmbahet butësisë dhe nuk i shmanget nxitimit.
2 – I mençuri nganjëherë është i butë e nganjëherë mesatarë sepse teprimi është e metë, e mangësimi është paaftësi. Ai që nuk korrigjohet nga butësia nuk korrigjohet as nga dhuna. Nuk ka dëshmi më të përsosur se sa mirësia, nuk ka ndihmë më të fortë se sa mençuria. Butësia të shpie në kujdes e me kujdes shpresohet shpëtimi. Mungesa e butësisë shpie në marrëzi e nga marrëzia shkatërrohesh.
3 – Njeriu i butë vështirë se mund të tejkalohet sikurse që është vështirë të arrihet personi që nxitohet. Ai që hesht vështirë që do të ndjejë keqardhje. Ai që flet vështirë që do të shpëtoj. Personi në nxitim flet para se të di, përgjigjet para se të kuptoj, lavdëron pa e provuar, qorton pasi ka lavdëruar, vendos para se të mendoj dhe vepron para se të vendos. Nxitimin e shoqëron keqardhja dhe e ka braktisur shpëtimi. Arabët e kishin zakon ta quanin nxitimin: ”Nëna e keqardhjeve.”
4 – Nxitimi është nga ashpërsia. Askush nuk nxitohet pa u penduar më vonë dhe pa u fajësuar. Është më vendosmëri të bësh një veprim pasi ta ke shqyrtuar sesa ta braktisësh atë pasi ke filluar ta veprosh. Nxitimi kurrë nuk është i lavdërueshëm.
5 – Esh-Shamardal ka thënë:
”Paaftësia u martua me vonesën dhe iu lindi keqardhja.”
6 – Shkaku i suksesit qëndron në mungesën e vonesës, ndërsa faktor i privimit është përtacia sepse ajo është armik i dinjitetit dhe dënimi i rinisë. Vonesa dhe paaftësia shpien në shkatërrim. Ndërsa ngadalësimi pasi të vjen rasti është gabimi më i madh. Nxitimi para se të vjen rasti është gabim i njëjtë. Njeriu i udhëzuar është ai që i shpëton nxitimit, ndërsa i humburi është ai që humb për shkak të ngadalësisë. Ai që nxitohet gjithmonë gabon. Ai që sigurohet mirë gjithmonë është korrekt.