Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

69.Obligimi i të qenurit i qetë në ruku

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 113-114

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Profeti ﷺ qëndronte i qetë në ruku dhe e urdhëroi burrin i cili u fal në mënyrë të gabuar që të bëj të njëjtën gjë, siç është përmendur.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Përsose rukunë dhe sexhden. Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, unë mund t’ju shoh juve nga prapa1 kur ju jeni në ruku dhe në sexhde.”2

Kur profeti ﷺ pa një njeri që nuk e plotësonte rukunë e tij duke çukitur (ngritej dhe ulej shpejt) në sexhden e tij ai tha:

”Në qoftë se ai kishte vdekur në atë gjendje nuk do të kishte vdekur përgjatë fesë së Muhammedit. Ai çukit në namazin e tij sikurse çukit korbi në gjak. Një person i cili nuk e plotëson rukunë e tij dhe çukit në sexhden e tij është si personi i uritur që ha një ose dy hurme; ato nuk i bëjnë dobi fare.”3

Ebu Hurejra -radijAllahu anh- ka thënë:

”I besueshmi im ﷺ më ka ndaluar mua që të çukiti në namaz si gjeli, të kthej kokën anash si dhelpra dhe të ulem galiç si majmuni.”4

Ai ﷺ ka thënë:

”Vjedhësi më i keq është ai që vjedh nga namazi i tij.”

Ata thanë: ”O i dërguari i Allahut! Si vjedh nga namazi i tij?”

Ai tha: ”Duke mos plotësuar rukunë dhe sexhden e tij.”5

Një herë, kur ai falej, pa me cep të syrit një burrë i cili nuk shtriu shpinën e tij në ruku dhe sexhde. Kur ai ﷺ e mbaroi namazin tha:

”O muslimanë! Ai që nuk e shtrinë shpinën e tij në ruku dhe sexhde nuk ka namaz.”6

Në një hadith tjetër tha:

”Namazi i burrit nuk është i vlefshëm derisa të mos e shtrijë shpinën e tij në ruku dhe sexhde.”7


1 Ky shikim është i vërtetë dhe një prej mrekullive të tij ﷺ. Megjithatë, kjo vlen vetëm gjatë namazit. Nuk ka asnjë dëshmi se kjo është e përgjithshme.

2 Bukhari dhe Muslimi.

3 Ebu Ja’la në “El-Musned (1/349)”, El-Axhuri në “El-Arba’in”, Bejhaki, Tabarani (1/192/1), Edh-Dhija në “El -Muntaka (1/276)” dhe Ibn Asakir (2/226/2) me një zinxhir të mirë transmetimi. Hadithi është shpall autentik nga Ibn Khuzejmeh (1/82/1). Kuptimi i tij i parë ka një dëshmitar në transmetimin “El-Ibanah (1/43/5)” të Ibn Battas, megjithatë, ajo ka një lidhje të dështuar në mes të sahabiut dhe të dërguarit ﷺ.

4 Tajalisi, Ahmedi dhe Ibn Ebi Shejbeh. Hadithi është i mirë, të cilën e kam përmendur në komentet e mia në Hafidh Abdul-Hak El-Ishbilis “El-Ahkam (1348)”.

5 Ibn Ebi Shejbeh (2/89/1), Tabarani dhe Hakimi i cili tha se hadithi është autentik dhe Dhehebi u pajtua me të.

6 Ibn Ebi Shejbeh (1/89/1), Ibn Maxheh dhe Ahmedi me një zinxhir të saktë transmetimi. Shih: “Es-Sahihah (2536)”.

7 Ebu Auaneh, Ebu Daudi dhe Es-Sehmi (61). Darakutni e shpalli hadithin autentik.

Shpërndaje: