Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

49.I mençuri dhe gojëtaria

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – Profeti ka thënë:

”Vërtetë ka gojëtari që është magji.”

2 – Profeti e krahasoi gojëtarinë me magjinë sepse magjistari tërheq zemrën e shikuesve përmes magjisë ndërsa gojëtari tërheq zemrën e dëgjuesve nëpërmjet gojëtarisë dhe retorikës.

3 – Ibn Shubrumeh ka thënë:

”Nuk kam parë tipar më të mirë te burri sesa gojëtaria dhe nuk kam parë tipar më të mirë te gruaja sesa trashësia e saj. Kur njeriu flet me gojëtari është sikurse të ketë veshur mëndafsh të errët. Kur njeriu ka defekte në të folurit e tij është sikurse të jetë i veshur me rroba të grisura. Nëse dëshiron ta nënvlerësosh personin e moshuar dhe ta vlerësosh të riun duhet ta mësosh gramatikën.”

4 – Gojëtaria është veshja më e bukur që i mençuri mund ta ketë dhe izari më i bukur që i mençuri mund ta ketë. Letërsia është mik yt në vetmi, shoqërim në boshllëk, bukuri në turmë, shtesë e mençurisë dhe dëshmi e dinjitetit. Ai që përfiton nga letërsia në rini do të përfitojë prej saj edhe si i moshuar. Ai që mbjell një palme të vogël së shpejti do të ha hurmat e freskëta të saj. Të mençurit nuk i konsiderojnë të barabartë dy njerëz; gojëtarin dhe të kundërtën e tij.

5 – Selim bin Kutejbeh ka thënë: ”Ishim ulur dhe bisedonim tek Ibn Hubejreh kur ra biseda për gjuhën arabe.

Ai tha: ”Betohem në Allahun se dy burra nuk janë të barabartë: të dy kanë të njëjtën origjinë dhe të dy posedojnë dinjitet por njëri ka defekt në fjalimin e tij ndryshe nga tjetri. Më i miri prej tyre në të dy jetët është ai që nuk ka defekte në të folur.”

I thashë: ”Allahu e përmirësoftë udhëheqësin! Unë e kuptoj se ai është më i mirë në këtë jetë për shkak të gojëtarisë dhe gjuhës arabe, por çfarë e bënë që të jetë më i mirë në jetën tjetër?”

Ai u përgjigj: ”Ai e lexon Kuranin sikurse është shpallur. Njeriu me defekte në të folurit e tij fut në Kuran atë që nuk i përket atij dhe heq prej tij atë që i përket atij.”

Unë i thashë: ”Udhëheqësi ka thënë të vërtetën!”

6 – I mençuri është i detyruar që ta ndez zemrën e tij me letërsi në të njëjtën mënyrë sikurse zjarri ndezët me dru. Ai që nuk e ndez zemrën e tij do të ketë zemër të errët.

7 – Abdurr-Rrahman bin Mehdi ka thënë:

”Nuk pendohem për asgjë sikurse pendohem se nuk kam studiuar gjuhën arabe.”

8 – El-Esma’i ka thënë:

”Mësojeni gramatikën! Izraelitët dolën nga feja për shkak të një germe. Allahu tha: ”O Isa! Unë të kam krijuar (uel-ledtuk) ty!”

Ata lexuan: ”O Isa! Unë të kam lindur (ueledtuk) ty!

”Si rezultat i kësaj dolën nga feja.”

9 – Njerëzit që kanë nevojë më së shumti për letërsi dhe gojëtari janë dijetarët sepse ata lexojnë shumë hadithe dhe merren me aftësi të ndryshme.

10 – El-Esma’i ka thënë:

”Asaj që i frikësohem më së shumti për studentin është se në qoftë se ai nuk e di gramatikën bie në fjalët e profetit :

”Kush gënjen qëllimisht për mua (trillon fjalë të pathëna), le ta përgatisë vendin e tij në zjarr.” Muslimi (3).

Profeti nuk bënte gabime në të folur. Sido që të rrëfesh për të me një pengesë në të folur, ti ke gënjyer rreth tij.”

11 – Shu’beh ka thënë:

”Ai që e studion hadithin pa e ditur gramatikën është sikurse një kafshë që bartë një trastë bosh rreth qafës.”

Shpërndaje: