“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

49.“Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të ndodh kijameti.”

Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 144-146
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

وَلَئِنْ أَذَقْنَاهُ رَحْمَةً مِّنَّا مِن بَعْدِ ضَرَّاء مَسَّتْهُ لَيَقُولَنَّ هَذَا لِي وَمَا أَظُنُّ السَّاعَةَ قَائِمَةً

“Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të ndodh kijameti.” Fusilet, 41:50

Muxhahidi e komentoi kështu:

”Kjo është falë veprës sime dhe unë e meritojë atë.”

Ibn Abbasi e komentoi kështu:

”Kjo është meritë e imja.”

2 –

قَالَ إِنَّمَا أُوتِيتُهُ عَلَى عِلْمٍ عِندِي

Ai (Karuni) tha: “Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”.” El-Kasas, 28:78

Katadeh e komentoi kështu:

”Kjo pasuri më është dhuruar për shkak të meritës dhe dijes sime lidhur me rrugët e përfitimit.”

Të tjerë thanë:

”Kjo është falë njohurive që mi ka dhuruar Allahu për shkak se e meritojë atë.”

Muxhahidi e komentoi kështu:

”Kjo është falë fisnikërisë sime.”

3 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut  duke thënë:

Allahu dëshiroi të sprovonte tre persona nga bijtë e Israilit: një lebroz, një qeros dhe një të verbër, prandaj ua dërgoi një engjëll.

Fillimisht engjëlli shkoi te lebrozi dhe i tha: ”Çfarë dëshiron më së shumti?”

Lebrozi iu përgjigj: ”Ngjyrë të bukur, lëkurë të mirë dhe dua që të shërohem prej kësaj sëmundje që i bën njerëzit të kenë neveri ndaj meje.”

Engjëlli e preku dhe menjëherë iu largua sëmundja, iu dha ngjyrë e bukur dhe lëkurë e bukur.

Engjëlli i tha: ”Cila pasuri të pëlqen më së shumti?”

Lebrozi iu përgjigj: ”Devetë (ose lopët, Is’haku transmetuesi nuk është i sigurt).” Atij iu dha një deve me barrë, dhe iu tha: Allahu të dhëntë begati në të!”

Pastaj shkoi te qerosi dhe i tha: ”Çfarë dëshiron më së shumti?”

Qerosi iu përgjigj: “Flokë të bukur dhe dua që të shërohem prej kësaj sëmundje që i bën njerëzit të kenë neveri ndaj meje.”

Engjëlli e preku dhe atij menjëherë iu largua sëmundja dhe iu dhanë flokë të bukur.

Engjëlli i tha: ”Cila pasuri të pëlqen më së shumti?”

Qerosi iu përgjigj: ”Lopët (ose devetë).” Atij iu dha një lopë me barrë, dhe iu tha: Allahu të dhëntë begati në të!”

Engjëlli shkoi tek i verbëri dhe i tha: ”Çfarë dëshiron më së shumti?”

I verbëri iu përgjigj: “Dua që Allahu të ma kthejë shikimin që të shoh njerëzit.” Engjëlli ia preku sytë dhe Allahu ia ktheu shikimin.

Engjëlli i tha: ”Cila pasuri të pëlqen më së shumti?”

I verbëri iu përgjigj: “Delet.” Atij iu dha një dele gati në lindje. 

Pastaj që të treve iu shtuan kafshët saqë i pari u bë me një tufë me deve që mbushte një luginë, i dyti u bë me një tufë me lopë që mbushte një luginë dhe i treti u bë me një tufë me dele që mbushte një luginë.

Pastaj engjëlli në pamjen e një lebrozi i shkoi atij që kishte qenë lebroz dhe i tha: Jam një rrugëtar i shkretë që ka humbur të gjitha mjetet e jetesës e nuk mund ta vazhdoj udhëtimin tim. Nuk ka kush të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti që të vazhdojë më tutje udhëtimin. Të lutem ty, në emër të Atij që të ka dhënë ngjyrë kaq të bukur, lëkurë të mirë dhe të gjithë këtë pasuri, të më japësh një deve që të mundem të vazhdojë udhëtimin tim.”

Ai ia ktheu: “S’kam ç’të bëj! Kam shumë detyrime!”

Engjëlli i tha: “Më duket se po të njoh! A nuk ke qenë ti një lebroz që të kishin neveri njerëzit, ishe i varfër dhe Allahu të dhuroi pasuri?”

Ai iu përgjigj: “Këtë pasuri e trashëgoj nga të parët e mi!”

Engjëlli i tha: “Nëse po gënjen, atëherë Allahu të ktheftë në gjendjen që ishe më parë!”

Pastaj engjëlli në pamjen e një qerosi i shkoi atij që kishte qenë qeros dhe ia tha të njëjtat gjëra që ia tha dhe të parit por edhe ai iu përgjigj në të njëjtën mënyrë. Engjëlli i tha: “Nëse po gënjen, atëherë Allahu të ktheftë në gjendjen që ishe më parë!”

Në fund engjëlli në pamjen e një personit të verbër shkoi tek ai që kishte qenë i verbër dhe i tha:

Jam një rrugëtar i shkretë që ka humbur të gjitha mjetet e jetesës e nuk mund ta vazhdoj udhëtimin tim. Nuk ka kush të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti që të vazhdojë më tutje udhëtimin. Të lutem ty, në emër të Atij që ta ka kthyer shikimin, të më japësh një dele që të mundem të vazhdojë udhëtimin tim.”

Ai ia ktheu: “Nuk ka dyshim që unë kam qenë i verbër dhe Allahu ma ktheu shikimin, isha i varfër dhe Allahu më bëri të pasur, andaj merr ç’të duash nga pasuria ime! Betohem në Allahun, se nuk kam për të thënë asgjë për gjithçka që do të marrësh për hir të Allahut.”

Engjëlli i tha: “Jo, mbaje pasurinë që ke. Ju u vutë në sprovë. Allahu është i kënaqur me ty, dhe i zemëruar me dy shokët e tu!” Bukhari (3464) dhe Muslimi (2964).

Shpjegimi:

Autori e shkroi këtë kapitull për të treguar se njerëzit në thelb kanë tendencë për të mohuar begatitë dhe refuzojnë të pranojnë se ato janë prej Allahut -subhanehu ue te ala-.

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

وَلَئِنْ أَذَقْنَاهُ رَحْمَةً مِّنَّا مِن بَعْدِ ضَرَّاء مَسَّتْهُ لَيَقُولَنَّ هَذَا لِي وَمَا أَظُنُّ السَّاعَةَ قَائِمَةً

“Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të ndodh kijameti.” Fussilet, 41:50

Ajeti dëshmon se është natyrë e njeriut që të thotë kështu. Ai mohon begatitë dhe refuzon të pranojë se ato janë nga Krijuesi i tij -azze ue xhel-. Është natyrë e tij që të mohojë begatitë dhe të thotë se ai i ka arritur ato nëpërmjet veprave të tij, me mundin e tij dhe kështu me radhë.

Qëllimi i këtij kapitulli është që njeriu duhet të tregojë mirënjohje dhe falënderim për begatitë dhe të pranojë se ato janë prej Allahut. Edhe pse është njeriu ai që vepron, ajo që arrihet është falë begatisë së Allahut. Ai është që bën bimët të rriten për të. Ai është që ia lehtëson tregtinë dhe fitimet atij. Nuk ka gjë të keqe për të theksuar shkaqet por para së gjithash ai duhet të qartësojë se begatia është prej Allahut dhe duhet ta falënderojë Atë. Është e ndaluar të theksohen shkaqet dhe të harrohet Ai që i dhuron ato.

3 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se e dëgjoi të dërguarin e Allaut  duke thënë:

Allahu dëshiroi të sprovonte tre persona nga bijtë e Israilit: një lebroz, një qeros dhe një të verbër.”

Ky hadith përbëhet nga shumë kuriozitete. Profeti ﷺ e tha atë në formë mësimi në mënyrë që të mos biem në gabimet e izraelitëve.

Allahu së pari i sprovoi këta tre persona me kohë të vështira dhe pastaj me kohë të lehta. Dy prej tyre mohuan dhuntitë e Allahut ndërsa njëri prej tyre tregoi mirënjohje. Këtë e forcojnë fjalët e Allahut:

وَقَلِيلٌ مِّنْ عِبَادِيَ الشَّكُورُ

“Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” Sebe’ë, 34:13

Hadithi e nxitë njeriun që të tregoj mirënjohjen për begatitë dhe të pranojë se ato janë nga Allahu.

Hadithi gjithashtu na mëson se duhet pasur sjellje të bukur kur të kërkosh:

Nuk ka kush të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti, që të vazhdojë më tutje udhëtimin.

Hadithi gjithashtu dëshmon aftësinë e Allahut dhe se Ai vetëm thotë: ”Bëhu!” dhe ajo bëhet.

Besimtari duhet të ketë kujdes nga ndëshkimi i Allahut dhe gjithmonë ta falënderojë Atë -subhaneh-.

 

Shpërndaje: