Idhujtarët arritën të plagosin të dërguarin e Allahut ﷺ. Fytyra e tij fisnike u lëndua rëndë: dhëmballët e nofullës së djathtë iu thyen nga goditja e një guri ndërsa helmeta që kishte në kokë u plasarit nga goditjet e shumta. Ata e goditën me breshërinj gurësh derisa ai ﷺ ra në krah dhe përfundoi në një gropë që mëkatari Ebu Amir e kishte gërmuar me qëllim për të dëmtuar muslimanët. Ali bin Ebi Talib -radijAllahu anhu- ia kapi dorën profetit ﷺ për ta ndihmuar të ngrihej ndërsa Talhah bin Ubejdilah -radijAllahu anhu- e mori në prehrin e tij.
Nga ata që morën pjesë në sulmin ndaj të dërguarit të Allahut ﷺ ishin Amr bin Kam’iah dhe Utbeh bin Ebi Uekas. Disa burime përmendin gjithashtu Abdullah bin Shihab Ez-Zuhri, stërgjyshi i dijetarit të njohur Muhamed bin Muslim bin Shihab Ez-Zuhri, si një nga ata që e plagosën atë.
Mus’ab bin Umejr -radijAllahu anhu- ra dëshmor para syve të profetit ﷺ teksa mbante flamurin e muslimanëve. Pas rënies së tij, profeti ﷺ ia besoi flamurin Ali bin Ebi Talibit -radijAllahu anhu-.
Nga sulmet e ashpra dy unaza hekuri u shtypën në helmën e profetit ﷺ. Ebu Ubejdeh bin El-Xherrah -radijAllahu anhu- i nxori ato me dhëmbët e tij të përparshëm të cilët i ranë. Mungesa e këtyre dhëmbëve u bë një zbukurim në fytyrën e tij fisnike.
Ndërkohë Malik bin Sinan, babai i Ebu Said El-Khudrit, e thithi gjakun nga plaga e profetit ﷺ.
Idhujtarët arritën pranë të dërguarit të Allahut ﷺ por një grup prej më shumë se 10 sahabësh i dolën përpara për ta mbrojtur. Të gjithë ranë dëshmorë një nga një. Pastaj Talhah bin Ubejdilah luftoi me guxim dhe ia doli t’i largonte armiqtë nga profeti ﷺ.
Ebu Duxhaneh Simak bin Kharashah e mbrojti profetin ﷺ me trupin e tij duke marrë mbi shpinë shigjetat që vinin nga të gjitha anët. Ai qëndroi i pa lëvizur duke e mbrojtur me përkushtim të plotë. Allahu qoftë i kënaqur me të.
Sa’d bin Ebi Uekas -radijAllahu anhu- tregoi një aftësi të jashtëzakonshme në gjuajtje atë ditë. I dërguari i Allahut ﷺ i tha:
“Gjuaj, u sakrifikofshin prindërit e mi për ty!”
Transmeton Bukhari (2905) dhe Muslimi (2411).
Ndërkohë Katadeh bin Nu’man -radijAllahu anhu- u plagos rëndë, një shigjetë ia dëmtoi syrin dhe i ra syri. Ai ia solli syrin të dërguarit të Allahut ﷺ, i cili ia vendosi me dorën e tij të bekuar. Me lejen e Allahut, syri u shërua plotësisht dhe madje u bë më i fortë dhe më i qartë se më parë.
Në atë çast, shejtani – Allahu e mallkoftë – lëshoi një britmë të fortë mes idhujtarëve dhe muslimanëve dhe tha:
“Muhamedi ka vdekur!”
Kur shejtani përhapi këtë thirrje mes muslimanëve, shumë prej tyre u tronditën. Disa u ndalën nga lufta, të tjerë u dëshpëruan dhe një pjesë ikën nga fusha e betejës. Zemrat e tyre u mbushën me pikëllim e hutim, dhe radhët u shpërndanë. Por ndodhi ajo që Allahu e kishte caktuar dhe dashur.