Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

5.Bartja e të vdekurit dhe varrosja e tij

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
El-Mulakhas el-Fikhi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Bartja dhe varrosja e të vdekurit është farz kifajeh (obligim kolektiv)1 për muslimanët të cilët e njohin gjendjen e tij, dhe varrimi është i ligjësuar në Kuran dhe sunnet.

Allahu -te ala- ka thënë: 

”A nuk e kemi bërë tokën vendqëndrim të të gjallëve dhe të të vdekurve?El-Murselat, 77:25-26 

”E pastaj e vdes dhe i cakton një varr.” Abese, 80:21

d.m.th.: të varroset personi. Hadithet të cilat përmendin varrimin e të vdekurve janë të shumta. Ky është ibadet dhe nderim për të vdekurin.

Është sunnet për të përcjellë xhenazen.

Tek Bukhari (1325) dhe Muslimi transmetohet:

“Kush merr pjesë në përcjelljen e xhenazes derisa t’i falet namazi i xhenazes, do të ketë (shpërblim) një kirat, e kush vazhdon të marrë pjesë derisa të varroset, do të ketë dy kirate.”

Te Bukhari thuhet: “Kush merr pjesë në përcjelljen e xhenazes.”

Te Muslimi thuhet: “Kush shkon me të dhe e përcjell derisa të varroset.”

Në këto hadithe është një inkurajim për të përcjellë xhenazen deri tek varri.

Është prej sunnetit për atë që e përcjell xhenazen që tu ndihmoj në bartjen e xhenazes nëse është e mundur, dhe lejohet transportimi i të vdekurit me makinë ose me një kafshë, veçanërisht në qoftë se varrezat janë shumë larg.

Është sunnet për të përshpejtuar xhenazen sipas fjalëve të profetit ﷺ:

“Nxitoni me xhenazen se nëse ka qenë njeri i mirë, po e dërgoni në mirësi, e nëse ka qenë njeri i keq, atëherë një barrë po hiqni prej supeve tuaja. 

Transmeton Bukhari, Muslimi dhe të tjerët.

Nuk duhet nxituar tepër, por bartësit dhe përcjellësit duhet të jenë të qetë. Ata nuk duhet të ngrenë zërin qoftë duke lexuar Kuran apo diçka tjetër sikurse thënia tehlil (La ilahe ilAllah), dhikr ose të thonë: kërkoni falje për të ose diçka të ngjashme sepse këto veprime janë bidate.

Është e ndaluar për gratë që të marrin pjesë në përcjelljen e xhenazes duke u bazuar në hadithin e Umm Atijes:

“Ne u ndaluam nga përcjellja e xhenazes.”

Gratë nuk e përcjellin xhenazen në kohën e profetit ﷺ, prandaj përcjellja e xhenazes është diçka që duhet ta bëjnë vetëm burrat.

Është prej sunnetit që varri të hapet i thellë dhe i gjerë sipas fjalëve të profetit ﷺ:

“Hapni varret, zgjeroni dhe thelloni.”

Transmeton Tirmidhi dhe hadithi është hasen sahi sipas tij.

Është prej sunnetit që të mbulohet varri i gruas kur ta zbresin në varr sepse ajo është auret.

Është prej sunnetit për atë që e zbret të vdekurin që të thotë:

“Bismilah ala sunneti resulilah (Në emër të Allahut dhe sipas sunnetit të dërguarit të Allahut).”

Transmetuar nga të pestit, me përjashtim të Nesait. Hasen sipas Tirmidhiut.

I vdekuri vendoset në lahd (hapjen anësore në fund të varrit) në anën e djathtë dhe i kthyer kah Kibla sipas fjalëve të profetit ﷺ lidhur me Qaben:

“Ajo është Kibla juaj, për të gjallët dhe të vdekurit tuaj.” 

Te koka i vendoset një gur apo dhe. Duhet afruar atë me murin para tij dhe prapa shpinës së tij vendoset diçka që të mbështetet ne të dhe që dheu të mos bjerë mbi fytyrën e tij dhe që ai të mos kthehet në shpinë. Pastaj mbyllet lahdi me gurë dhe tjegulla në mënyrë që të mbyllet dhe më pas hedhet dheu në varr. Nuk shtohet në varr përveç dheut që u nxor nga varri për ta mbuluar atë.

Varri ngritët nga toka sa një bërryl [transmeton Ebu Daudi dhe të tjerët] dhe ai duhet të jetë si një kodër e vogël në mënyrë që shiu mund të rrjedh prej tij. Pastaj i vendosen guralecë dhe i hidhet ujë në mënyrë që dheu të ngjitet dhe të mos e largojë era. Urtësia prapa ngritjes deri në këtë nivel është që të dihet se është varr dhe të mos shkelët. Është në rregull për të vënë shenja në skajet e tij në mënyrë që mund të shihen kufijtë e tij dhe që të dihet se ai është aty, pa shkruar diçka mbi të.

Është ligjësuar për muslimanët që pasi ta kenë përfunduar varrimin të qëndrojnë tek varri dhe të luten për të dhe të kërkojnë falje për të, profeti ﷺ e kishte zakon që pas varrimit të thoshte:

 “Kërkoni falje për vëllain tuaj! Lutjuni Allahut që ta forcojë atë sepse ai tani po merret në pyetje” 

Transmeton Ebu Daudi.

Të lexohet diçka nga Kurani tek varri është bidat sepse kjo nuk u veprua nga i dërguari i Allahut dhe as nga shokët e tij fisnik dhe çdo bidat është devijim.

Ndalohet ndërtimi mbi varre, mbulimi i tyre me gëlqere dhe të shkruhet mbi to, sipas transmetimit të Xhabirit i cili tha:

“Profeti ﷺ ka ndaluar lyerjen e varreve me gëlqere, uljen në to dhe ndërtimin mbi to.”

Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Nesai, Ahmedi dhe Tirmidhi i cili tha se hadithi është sahi.

Pasi që këto janë mjete që shpien në shirk dhe në të lidhurit për varre sepse në qoftë se të paditurit shohin ndërtimin dhe dekorimin e një varri, ata do të lidhen për të.

Ndalohet ndriçimi i varreve, do të thotë ndriçimi i tyre me drita elektrike ose në ndonjë mënyrë tjetër, dhe ndalohet që varret të bëhen si xhami, d.m.th. që të ndërtohen xhami mbi varre, të falet namazi pranë tyre ose drejt tyre. 

Është e ndaluat për gratë që të vizitojnë varret duke u bazuar në fjalët e profetit ﷺ:

“Allahu i ka mallkuar gratë që vizitojnë varret dhe ata që i marrin varret për xhami dhe ndezin kandila mbi to.”

Transmeton Muslimi.

Në Sahihun e Bukharit thuhet:

“Allahu i ka mallkuar jehudët dhe nasarat sepse ata i shndërruan varret e profetëve në xhami.”

Transmeton Bukhari, Muslimi, Ahmedi dhe Nesai.

Sepse themeli i shirkut në botë është nga ngritja e varreve duke ndërtuar mbi to.

Është e ndaluar që të nënçmohen varret duke ecur mbi to, duke qëndruar mbi to me këpucë, duke ulur mbi to, duke i përdorur për hedhjen e mbeturinave dhe që të çohet uji mes tyre sipas asaj që është transmetuar në Sahih Muslim nga Ebu Hurejrja -radijAllahu anhu- nga profeti ﷺ i cili i ka thënë:

“Të ulet ndonjëri prej jush në gacën e zjarrit e t’i digjen rrobat deri në atë masë sa t’i digjet edhe lëkura është më mirë për të sesa të ulet mbi varr.”

Transmeton Muslimi (971).

Imam Ibn Kajimi -rahimehullah- ka thënë:

“Ai që mediton rreth ndalimit për tu ulur mbi varr, të mbështeturit mbi të dhe qëndrimit mbi të, do ta kuptojë se ndalimi është për respekt për atë që gjendet në varr, që të mos shkel me këmbët e tij mbi kokën e tij.”


1 Obligim kolektiv që nëse një pjesë prej tyre e kryen, të tjerët lirohen nga kjo detyrë, e nëse askush nuk e kryen, të gjithë mëkatojnë.

Shpërndaje: