Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ramazani është muaji më i mirë i vitit. Allahu (subhanehu ue te ala) e ka veçuar atë për agjërim, i cili përbën një obigim dhe shtyllën e katërt të Islamit. Ai pos kësaj ka ligjësuar gjithashtu që muslimanët të falen gjatë netëve të tij. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla; shahadeti se nuk meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Allahut, namazi, zekati, agjërimi i Ramazanit dhe Haxhi në Qabe.” Bukhari (8) dhe Muslimi (16).
“Ai që falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe shpresë do ti falen mëkatet e tij të kaluara.” Bukhari (1901) dhe (2014) Muslimi (670).
Agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi madhështore. Njëri prej tyre është se shpirti pastrohet dhe filtrohet nga karakteret e këqija dhe tiparet e shëmtuara si sherri, arroganca dhe koprracia. Ato zëvendësohen me cilësië fisnike sikurse bujaria, durimi, butësia. Shpirti luftohet në atë që e kënaq Zotin dhe e afron robin më afër Allahut.
Dobi tjetër dhe urtësi është që robi e njeh veten e tij, dobësinë e tij dhe nevojën e tij për Zotin. Agjërimi i kujton mirësitë e Allahut ndaj tij. Agjërimi e kujton atë gjithashtu në lidhje me nevojat e vëllezërve të tij të varfër dhe se ai duhet të kujdeset mirë për ta. Kjo kërkon që ai ta falëndëroj Allahun (subhaneh) dhe që ai të përdorë mirësitë e Tij për t’iu bindur Atij. Kjo gjithashtu kërkon që ai t’i trajtojë vëllezërit e tij të varfër mirë dhe të kujdeset mirë për ta. Allahu ka treguar për këto përfitime kur Ai tha:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” El-Bekare 2:183
Allahu (subhaneh) e bëri të qartë se ka urdhëruar agjërimin për ne, kështu që ne të jemi të devotshëm nda Atij (subhaneh). Kjo dëshmon se agjërimi çonë në devotshmëri ndaj Allahut. Devotshmëria ndaj Allahut do të thotë ti bindesh Allahut dhe të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem) duke kryer obligimet dhe duke u shmangur nga ndalesat. E gjithë kjo duhet të bëhet sinqerisht dhe nga dashuria për Allahun, shpresa në Allahun dhe frika nga Allahu. Në këtë mënyrë, robi i shpëton dënimit dhe zemërimit të Allahut. Pra agjërimi përbën një nivel madhështorë të devotshmërisë dhe afërsisë ndaj Zotit (azze ue xhel). Agjërimi gjithashtu ndihmon fuqishëm me frikë ndaj Allahut në të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote dhe fetare. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka treguar disa nga përfitimet e agjërimit, kur ai tha:
“O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi le të martohet sepse martesa ndihmon në uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet le të agjërojë sepse agjërimi është mburojë për të.” Transmeton Bukhari (5066) dhe Muslimi (1400).
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka bërë të qartë se agjërimi është mburoja e agjëruesit e cila e pastron atë dhe e mban atë të dëlirë. Shejtani qarkullon në trupin e njeriut ashtu si qarkullon gjaku në damar, ndërsa agjërimi ia ngushton rrugët dhe ia kujton atij Allahun dhe Madhështinë e Tij. Si rezultat i kësaj dobësohet fuqia e shejtanit ndërsa fuqia e besimit bëhet më e fortë. Në këtë mënyrë veprat e mira shumohen ndërsa mëkatet reduktohen.
Prej dobive të agjërimit janë gjithashtu se stomaku pastrohet nga përzierjet jo të shëndosha. Agjërimi sjell shëndet dhe fuqi. Kjo pranohet nga shumë mjekë të cilët trajtojnë shumë sëmundje me agjërim. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Njeriu nuk ka mbushur një enë më të keqe se sa barku i tij. Është e mjaftueshme për njeriun të hajë disa kafshata të cilat ia drejtojnë kurrizin e tij. Në qoftë se ai me të vërtetë ka nevojë më shumë, atëherë le të jetë një e treta ushqim për të, një e treta ujë dhe një e treta për frymëmarrje.” Tirmidhi (2380), Ibn Maxheh (3349) dhe Ahmedi (17225). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami” (5674).
Ky hadith është autentik dhe nënkupton se kjo nuk është e rekomanduar për të ngrënë jashtë mase. Kjo në të vërtetë është e rrezikshme. Është e mjaftueshme për njerëzit që të hanë gjatë ditës atë që i bën ata të jenë të shëndetshëm dhe që ua drejton kurrizin.
O muslimanë! Nxitoni në devotshmëri ndaj Allahut (azze ue xhel) dhe kërkoni kënaqësinë e Tij. Luftoni kundër vetes suaj për hir të Allahut (azze ue xhel) dhe nxitoni që vazhdimisht të pendoheni sinqerisht për të gjitha mëkatet. Luftojeni epshin, shejtanin dhe shpirtin që tenton të keqen.
Nxitoni pas jetës së përtejme. Nënshtrojuni të përulur Allahut. Lutuni Atij vazhdimisht, dhe shpesh kujtojeni Atë, dhe kërkoni falje prej Tij. Ai do tju përgjigjet lutjeve tuaja, do të përmirësojë gjendjen tuaj, do tua lehtësoj çështje tuaja, do t’ju dhurojë mirësi, do t’ju kursej nga të gjitha vështirësitë dhe do t’ju mbrojë nga kurthet e armiqve tuaj dhe nga çdo e keqe në të dy jetët. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
Allahu (azze ue xhel) ka thënë
”E ata të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve.” 29:69
”Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua.” 24:55
”Por nëse ju qëndroni të duruar dhe bëheni muttekinë (të përkushtuar ndaj Allahut), as dëmi më i vogël nuk do t’ju vijë nga dinakëria e tyre. Sigurisht, Allahu është Rrethues për gjithçka që ata bëjnë.” 3:120
”Padyshim që për muttekinët (të përkushtuarit, në besimin e vërtetë Islam) janë kopshtet e kënaqësisë (në xhenet) tek Zoti i tyre.” 68:34
Sot, është veçanërisht koha për t’iu afruar Allahut me anë të mëshirës dhe ndihmës ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Lëmosha është një nga veprat më të mëdha me të cilat Allahu largon vështirësitë dhe u dhuron mëshirë. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
”Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” El-Bekare 2:195
”S’ka dyshim se mëshira e Allahut është pranë atyre të mirëve.” El-A’raf 7:56
”Por nëse ju ia falni (borxhin) në shenjë mirësie, kjo është shumë më mirë për ju, vetëm sikur ta dinit.” El-Bekare 2:280
”Besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh.” El-Hadid 57:7
Profeti ﷺ ka thënë:
“Lëmosha shuan mëkatet në të njëjtën mënyrë siç shuan uji zjarrin. E njëjta gjë vlen edhe për namazin e burrit në mes të natës.” Ibn Maxheh (3973) dhe Ahmedi (22069). Autentik përmes tjerëve sipas Albanit në ”Sahih-ut-Targhib uet-Tarhib” (2866).
Pastaj lexoi:
”Ata që e braktisin gjumin për ti’u lutur Zotit të tyre me frikë dhe shpresë dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Askush nuk di se çfarë gëzime të fshehta janë për ta – shpërblimi për atë që kanë punuar.” Es-Sexhde 32:16-17
Profeti ﷺ ka thënë:
“Mëshiruesi i mëshiron të mëshirshmit. Mëshironi ata që janë në tokë, Ai që është mbi qiell do të mëshirojë ty.” Ebu Daudi (4941), Tirmidhi (1924) dhe Ahmedi (6494). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami” (3522).
Ai ﷺ gjithashtu ka thënë:
“Ai që nuk mëshiron nuk mëshirohet.” Bukhari (5997) dhe Muslimi (2318).
Ne e lusim Allahun që të përmirësoj gjendjen e të gjithë muslimanëve, duke i mbushur zemrat e tyre me frikë dhe të përmirësoj udhëheqësit e tyre dhe ti bëj ata të gjithë që të pendohen sinqerisht për mëkatet e tyre dhe t’i përmbahen Librit të Allahut (azze ue xhel) në të gjitha çështjet. E lusim Atë që ti mbrojë ata nga komplotet e armiqve të tyre. Ai është i aftë për çdo gjë. Allahu e nderoftë. Salavatet, selamet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, dhe mbi shokët e tij në përgjithësi.