“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

5.E tërë feja në katër çështje

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Sherh Thalathat-il-Usul, fq 9-10

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com 

Argument për këto katër çështje janë fjalët e Allahut -te ala-:

وَالْعَصْرِ إِنَّ الْإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” El-Asr 103:1-3

Në këtë sure madhështore ka argument për këto çështje. Kjo është e tërë feja. Qëllimi i tërë fesë është që të besosh, të veprosh, të thërrasësh në fe dhe të durosh. E vërteta duhet besuar dhe praktikuar. Pastaj duhet thirrur në të dhe duhet duruar me telashet. Të gjithë njerëzit janë në humbje: 

إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

”Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”

Allahu i ka veçuar vetëm këto grupe njerëzish. Të gjithë njerëzit janë të humbur dhe janë duke ecur në rrugën e shkatërrimit përveç atyre që besojnë, veprojnë, thërrasin në të vërtetën dhe në durim. Ata janë fituesit me fat. Allahu është betuar në kohën për këtë. Ai -subhanehu ue te ala- e thotë të vërtetën edhe nëse Ai nuk betohet. Megjithatë, Ai betohet për të theksuar situatën. Allahu -subhanehu ue te ala- betohet në kë të dojë nga krijesat e Tij. Askush nuk ka të drejtë që ta ndalojë Atë. Ai betohet në qiellin e stolisur me yje, në qiellin, në yllin, në mëngjesin, në diellin dhe në dritën e tij, në natën e errët, në yjet që bien dhe në gjëra të tjera. Krijesat dëshmojnë Madhështinë e Tij dhe se Ai -subhaneh- i Vetmi meriton të adhurohet. Ai gjithashtu betohet në këto krijesa për të karakterizuar madhështinë e tyre sepse ato dëshmojnë njëshmërinë e Tij dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet.

Ndërsa lidhur me krijesat, kështu që atyre ju lejohet që të betohen vetëm në Zotin e tyre. Atyre nuk u lejohet që të betohen në diçka tjetër përveç Allahut. Atyre nuk u lejohet që të betohen në profetët, në statujat, në njerëzit e devotshëm, në përgjegjësinë, në qabën apo në diçka tjetër. Kjo është detyrë e muslimanit.

Profeti ka thënë:

“Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ka bërë kufër ose shirk.”

Transmeton Ahmedi (1/47), Abdurr-Rrazaku në ”El-Musanaf (15926)”, Ebu Daudi (3251), Tirmidhi (1535) dhe El-Hakim (7814).

Profeti ka thënë:

“Ai që do të betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë.”

Transmeton Bukhari (6646) dhe Muslimi (1646).

Të gjithë muslimanët janë të detyruar të kujdesen që të mos betohen në diçka tjetër pos Allahut dhe që ata të betohen në Allahun -subhanehu ue te ala-, të Vetmin.

Shpërndaje: