“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

5.Kapitali i mençurisë qëndron në njohjen e pasojave të mundshme

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti 
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – Kapitali i mençurisë qëndron në njohjen paraprake të pasojave të mundshme.

2 – Është e detyrueshme për të mençurin që t’i shmanget tre gjërave ngase ato e shkatërrojnë mençurinë e tij më shpejt sesa zjarri që djeg barin e thatë: të qeshurit e shumtë, shpresat e shumta dhe konfirmimi i pasaktë.

3 – I mençuri për shokun e tij e jep jetën dhe pasurinë, ia ofron njohuritë, tregohet me të i afërt dhe ia dhuron çdo gjë që posedon; armikut ia jep drejtësinë dhe devotshmërinë, ndërsa personit të rëndomtë i buzëqesh dhe e përshëndet.

4 – I mençuri merr ndihmë vetëm nga personi që e di se dëshiron ta ndihmojë, flet vetëm me atë i cili përfiton prej tij, dhe flet në ndonjë rast urgjent.

5 – I mençuri nuk tregon për dijen që posedon ngase cilësi e të mençurve nuk është të pretendojnë se dinë por cilësi e të mençurve është që të tjerët t’ua atribuojnë dijen atyre. I mençuri nuk duhet të shqetësohet për gjërat e kësaj bote sepse shqetësimi nuk sjell dobi, shqetësimi i gjatë e përbuzë mençurinë, dhe nuk mërzitet sepse mërzia nuk e largon fatkeqësinë dhe mërzia për një kohë të gjatë e dobëson mendjen. 

6 – I mençuri respektohet edhe nëse nuk ka pasuri ashtu siç ia kanë frikën luanit edhe nëse është i sëmurë.

7 – Të folurit e të mençurit është i drejtë sikurse trupi i shëndetshëm ndërsa të folurit e injorantit është i mangët sikurse trupi i sëmurë.

8 – I mençuri edhe nëse flet shkurt le përshtypje shumë pozitive. Mëkati i mëkatarit edhe nëse është i vogël përshtypja që do të lerë është shumë e madhe.

9 – Prej mençurisë është që të sigurohesh para se të veprosh.

10 – Nëse të mençurin e kaplon mendjemadhësia atëherë kjo është fatkeqësi për të. I mençuri e ka për detyrë që të bëjë durim me fqinjin e keq, mikun e keq dhe me njerëzit që takon sepse këtyre nuk mund t’u shmanget gjatë tërë jetës së tij.

Shpërndaje: