Imam Muhammed el-Amin esh-Shenkiti (v. 1393)
Burimi: Islami është feja e përsosur
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
Dijetarët janë të pajtimit se Allahu (te ala), nuk ka zbritur këshillë dhe paralajmërim më të madh se sa përkujtimin se Allahu na përcjell dhe diturinë, d.m.th. që njeriu ta di se Zoti i tij e di se çfarë ai bën dhe se Ai e di atë që ai fsheh dhe atë që e shfaqë.
Dijetarët kanë dhënë një shembull të kësaj këshille, paralajmërim të fuqishëm, ku ata thonë:
Le të imagjinojmë një mbret mizor i cili shkakton gjakderdhje dhe vret njerëz në turma. Mbi kokën e një personi qëndron xhelati me shpatë në dorë nga e cila rrjedh gjak. Rreth mbretit janë vajzat dhe gratë e tij. A është e mundur që disa prej atyre që janë të pranishëm që të mendojnë që të sulmojnë dikë prej vajzave apo grave të tij ndërsa mbreti e di se çfarë është duke ndodhur dhe po e sheh atë? Kurrë. Megjithëse Allahut i takon shembulli më i lartë. Të gjithë të pranishmit do të jenë të frikësuar dhe nënshtruar. E vetmja gjë që ata shpresojnë është shpëtimi.
Nuk ka dyshim se Allahu (azze ue xhel) sheh dhe di më shumë se ky mbreti. Po ashtu dënimi i Tij është gjithashtu shumë më i ashpër dhe më i dhimbshëm. Kufijtë e Tij në tokë janë haramet. Nëse banorët e një vendi ta dinin se mbreti i tyre di çdo gjë që ata bëjnë gjatë natës, ata do të kalonin netët në frikë dhe nuk do të bënin asgjë të keqe.
Allahu (te ala), ka shpjeguar urtësinë e krijimit të krijesave, pra, që t’i sprovojë ata për të parë se kush është më vepër miri.
”Gjithçka që është mbi tokë Ne e bëmë stoli të saj për t’i provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.” 1
Ai tha në fillim të sures Hud:
”Ai është i Cili krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve, e arshi (froni) i Tij ishte mbi ujë, që t’ju sprovojë, se cili prej jush është më vepërmirë.” 2
Ndërsa Ai nuk tha ”ai i cili vepron më së shumti”. Ai tha në suren ”el-Mulk”:
”Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.” 3
Këto dy ajete sqarojnë fjalët e Tij:
”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Kur urtësia prapa krijimit është në sprovimin e lartpërmendur, Xhibrili dëshiroi që t’i tregojë njeriut rrugën e shpëtmit. Ai i tha profetit ﷺ:
”Çka është ihsani?”
Ihsan është pikërisht ajo për të cilin janë krijuar krijesat për t’u testuar me të. Profeti ﷺ e sqaroi edhe këtë ihsan që është këshilla e madhe dhe paralajmërim, dhe tha:
”Është që ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh Atë sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtetë të sheh ty.” 5
Prandaj nuk shfletohet një faqe e vetme në Kuranin fisnik vetëm se e gjen këtë këshillë të madhe:
”Dhe sigurisht që Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se çfarë i pëshpërit atij vetvetja (nefsi i vet). Dhe Ne jemi më afër tij se sa vena e qafës së tij. (Mbani mend!) Se dy marrësit (melekët shkrues të caktuar për të shënuar veprat) marrin (shënimet) të vendosur një në të djathtë dhe një në të majtë. Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” 6
”Dhe duke e ditur mirë Ne do t’u rrëfejmë atyre për atë që vepruan, se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm).” 7
”Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet, as në tokë, E as në qiell, as sa grimca, e as më e vogël se ajo, e as më e madhe, por vetëm se është e evidentuar në librin e sigurt.” 8
”Ja, ata mbështjellojnë (armiqësinë në) gjokset e tyre që ta fshehin nga Ai, po ta dini se edhe kur mbulohen ata me petkat e tyre, Ai e di se çka fshehin dhe çka shfaqin. S’ka dyshim se Ai e di shumë mirë çka mbajnë zemrat (qëllimet) e tyre.” 9
Shembuj të ngjashëm në Kuran janë të shumta.
1 18:7.
2 11:7.
3 67:2.
5 Bukhari (1/18) dhe Muslimi (1/38-39).
6 50:16-18.
7 7:7.
8 10:61.
9 11:5.