“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

5.Metodologjia e selefëve është e sakta

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Metodologjia e selefëve u sqarua më parë dhe u përmend argumenti për obligueshmerinë e të kapurit për të. Ndërsa tani ne duam të argumentojmë se metodologjia e selefëve është metodologjia e saktë. Kjo bëhet në dy aspekte:

1 – Metodologjia e selefëve vërtetohet nga Kurani dhe sunneti. Ai që hulumton rreth metodologjisë së tyre shkencërisht dhe paanshëmrish e gjen atë në përputhje me Kuranin dhe sunnetin plotësisht. Duhet të jetë kështu sepse  Allahu (te ala) e ka shpallur Kuranin në mënyrë që njerëzit të mendojnë rreth tij, të praktikojnë dispozitat e tij dhe të pohojnë lajmërimet që janë në të. Nuk ka dyshim se selefët ishin ata që e kuptuan atë më së miri, e besuan atë më së miri dhe e praktikuan më së miri. Është kështu sepse ai u shpall në gjuhën e tyre (arabe të kulluar) dhe në kohën e tyre. Prandaj nuk është çudi që ata janë më të diturit dhe se veprat e tyre janë më të mirat.

2 – E vërteta e kësaj çështje është ose me selefët (brezat e para) ose me halefët (brezat e fundit). E dyta është e pasaktë pasi që do të thotë se Allahu, i dërguari i Tij, Muhaxhirunët dhe Ensarët shprehën shprehimisht gënjeshtra ose të paktën në dukje dhe se asnjëherë ata nuk kanë folur të vërtetën konkretisht apo dukshëm. Pra kjo do të thotë se ekzistenca e Kuranit dhe sunnetit vetëm se e dëmton fenë. Nëse po atëherë d.m.th. është më mirë që njerëzit të jenë pa Kuranin dhe sunnetin. Kjo është padyshim kotësi.

Disa njerëz budallenj kanë thënë se metodologjia e selefëve është më e sigurt ndërsa metodologjia e atyre që erdhën pas tyre është më e ditur dhe më me urtësi. Ky mendim buron nga nga dy faktorë:

1 – Personi që thotë këtë e bënë për shkak të dyshimeve të prishura, beson se Allahu nuk përshkruhet me ndonjë cilësi të vërtetë siç dëshmohet nga Kurani dhe sunneti.

2 – Ai beson se metodologjia e selefëve është që t’u besosh teksteve në lidhje me cilësitë e Allahut pa pohuar domethënien e tyre. Kështu çështja ose sillet rreth besimit të teksteve pa domethënie, e që ai beson se është metodologjia e selefëve ose të pohohet dhe besohet një kuptim i teksteve që është në kundërshtim me kuptimin tekstual të cilësive të Allahut, e mu kjo është metodologjia e halefëve (brezave të vonshme). Nuk ka dyshim se është më me dije dhe më me mençuri të pohohet dhe besohet kuptimi i teksteve sesa të besohen vetëm tesktualisht pa ndonjë kuptim. Në këtë mënyrë ky person budalla beson se metodologjia e halefëve (brezave të vonshme) është më e ditur dhe më e mençur sesa e selefëve.

Fjalët e këtij budallai përbëhen nga e vërteta dhe e kota. Sa i përket të vërtetës është në fjalët e tij “Metodologjia e selefit është më e sigurt”, dhe sa i përket të kotës së tij, ajo është në “Metodologjia e atyre që erdhën pas tyre, është më e ditur dhe më me urtësi”. Kjo është e pavërtetë për shkak të arsyeve të mëposhtme:

1 – Fjalët e tij janë kundërthënëse, “Metodologjia e selefëve është më e sigurt”. Se metodologjia e tyre është më e sigurt do të thotë gjithashtu se është më e ditur dhe më e urtë sepse nuk ka siguri pa dije dhe urtësi. Duhet pasur dije për të arritur sigurinë dhe duhet pasur urtësi për të ditur se si duhet ecur për ta arritur atë. Kjo sqaron se metodologjia e selefëve është më e sigurt, më e ditur dhe më me urtësi. Kësaj nuk mund t’i shpëtojë njeriu budalla.

2 – Besimi i tij se tekstet nuk kanë dëshmuar asnjë cilësi të vërtetë për Allahun është besim i kotë sepse kjo bazohet në dyshime të prishura dhe për shkak se cilësitë e përsosura të Allahut (te ala) janë pohuar përmes mendjes, natyrshmërisë dhe Kuranit.

Sa i përket mendjes çdo gjë që ekziston duhet të ketë ndonjë cilësi. Kjo cilësi mund të jetë e përsosur ose e mangët. Me të dytën nuk mund të përshkruhet Allahu (te ala) pasi që Ai është Zoti i përsosur që meriton të adhurohet. Kështu Allahu (te ala) dëshmoi adhurimin e kotë që u përkushtohet idhujve të mangët e të paaftë. Idhujt as nuk dëgjonin, as nuk shihnin, as nuk sillnin dobi, as dëm, as nuk krijonin apo ndihmonin. Nëse alternativa e dytë bie, e para pohon cilësitë e përsosura të Allahut.

Pos kësaj është pohuar nëpërmjet shqisave se ekzistojnë edhe krijesa me cilësi të plota. Këto cilësi ua ka dhënë Allahu (subhaneh) dhe Ai që jep përsosmëri ka më shumë të drejtë për të (përsosmërinë).

Sa i përket natyrshmërisë së njeriut, shpirtrat e shëndoshë janë të prirë në një mënyrë të tillë që ata e duan, e respektojnë dhe e adhurojnë Allahun. A e do, e respekton dhe e adhuron dikë tjetër përveç Atij që e di se është i përshkruar me cilësi të përsosura që i përkasin sundimit dhe hyjnisë së Tij?

Sa u përket argumenteve të Kuranit cilësitë e Allahut janë të panumërta. Për shembull Allahu (te ala) thotë:

هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ عَالِمُ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ ۖ هُوَ الرَّحْمَٰنُ الرَّحِيمُهُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ السَّلَامُ الْمُؤْمِنُ الْمُهَيْمِنُ الْعَزِيزُ الْجَبَّارُ الْمُتَكَبِّرُ ۚ سُبْحَانَ اللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ ۖ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ ۚ يُسَبِّحُ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

 “Ai është Allahu përveç të Cilit askush nuk meriton adhurim me të drejtë, Ai është Njohës i të fshehtës dhe të dukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Allahu është Ai përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar. Ai është Mbreti, i Shenjti, Paqja, i Besueshmi, Mbikëqyrësi, i Gjithëpushtetshmi, Mbizotëruesi absolut, i Madhëruari. I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i shoqërojnë Atij! Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Atij i përkasin emrat më të bukur e më të Lartë; Atë e madhëron gjithçka në qiej e në tokë, Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.” 59:22-24

وَهُوَ الَّذِي يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ وَهُوَ أَهْوَنُ عَلَيْهِ ۚ وَلَهُ الْمَثَلُ الْأَعْلَىٰ فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

 “Është Ai i Cili e fillon krijimin, pastaj do ta përsërisë atë (pasi të jetë shuar) dhe kjo është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë në qiej dhe tokë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti.” 30:27

اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ ۚ لَا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ ۚ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ ۗ مَنْ ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلَّا بِإِذْنِهِ ۚ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ ۖ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِنْ عِلْمِهِ إِلَّا بِمَا شَاءَ ۚ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ ۖ وَلَا يَئُودُهُ حِفْظُهُمَا ۚ وَهُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ

“Allahu! Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Atij Tij, të Gjallit, Mbajtësit të gjithçkaje. Atë nuk e kaplon as kotja, as gjumi. Atij i përkasin gjithë ç’është në qiej e gjithë ç’është në tokë. E kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveç se me lejen e Tij. Ai di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë, dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në botën tjetër. Kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi i Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë kujdesjen ndaj tyre. Ai është i Larti, Madhështori!” 2:255

Ka disa ajete dhe hadithe të ngjashme.

Veç kësaj profeti ﷺ ka thënë:

“O njerëz! Qetësohuni! Ju nuk po i luteni dikujt që është i shurdhër ose që nuk është i pranishëm. Ju po i luteni dikujt që dëgjon, sheh dhe është afër. Atij që po i luteni, me të vërtetë Ai është më afër jush sesa janë qafat e kafshëve tuaja kur i ngisni.” Bukhari (2992) dhe Muslimi (2704).

Ka shumë ajete dhe hadithe të tjera.

E treta: Besimi i tij se selefët i besonin tekstet pa besuar në domethënien e tyre është një besim i kotë dhe gënjeshtër kundër selefëve. Selefët ishin më të diturit në umet në lidhje me formulimin dhe kuptimin e teksteve të lidhura me cilësitë e Allahut. Përveç kësaj selefët ishin të pashembullt kur bëhej fjalë për konfirmimin e kuptimeve të duhura të cilësive ashtu siç kishin për qëllim Allahu dhe i dërguari i Tij.

E katërta: Selefët ishin trashëgimtarët e profetëve dhe të të dërguarve. Ata e morën dijen e tyre nga burimi i mesazhit hyjnor dhe nga besimi i vërtetë. Nga ana tjetër halefët (brezat e fundit) e morën dijen e tyre nga adhuruesit e zjarrit, idhujtarët dhe nga devijimet e jehudëve dhe grekëve. Si mund të jenë pasardhësit e adhuruesve të zjarrit, të idhujtarëve, të jehudëve dhe të grekëve më të ditur dhe më të mençur se trashëgimtarët e profetëve dhe të të dërguarit në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut?

E pesta: Këta që erdhën pas selefëve të cilët njeriu budalla i konsideronin më të ditur dhe më të urtë se selefët ishin të hutuar sepse ata ishin larguar nga mesazhi dhe udhëzimi me të cilin Allahu e kishte dërguar Muhammedin ﷺ. Ata kërkuan dije rreth Allahut (te ala) nga njerëz që nuk e njihnin Atë. Këtë e dëshmuan ata vetë dhe umeti. Fahrudin Er-Razi, i cili ishte një nga udhëheqësit e tyre sqaroi se si përfundon pyetja e tyre dhe tha:

Fundi i dhënies përparësi mendjes ndaj shpalljes është ndërlikim

Shumica e veprave të njerëzve janë harxhim

Shpirtërat në trupat tanë janë në mërgim

Synimi i jetëve tona në dynja është sprovë dhe ndëshkim

Gjatë gjithë jetës sonë nuk kemi pasur dobi nga hulumtimet tona

Përveç asaj që kemi mbledhur thashethëme pa mbarim

Pastaj ai tha:

“Unë kam menduar për metodologjitë që pasohet nga skolastikët dhe filozofët dhe kam parë se ato nuk sjellin dobi fare. Kam gjetur se metodologjia më e afërt është metodologjia e Kuranit. Lexo për pohimin e emrave dhe cilësive të Allahut:

الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

”I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.” 20:5

إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُهُ

”Tek Ai ngrihet fjala e mirë dhe vepra e mirë e lartëson atë (fjalën e mirë).” 33:10

Dhe lexoj në lidhje me mohimin (e cilësive që nuk i përkasin Allahut):

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 42:11

 وَلَا يُحِيطُونَ بِهِ عِلْمًا

“Po dija e tyre nuk mund ta përfshijë Atë.” 20:110

Ai (Allahu) e di çfarë u ndodh atyre (krijesave të Tij) në këtë botë dhe çfarë do t’u ndodh atyre (në jetën e fundit) dhe ata kurrë nuk do të përfshijnë gjë nga dija e Tij.

Ai që ka përvojën time e di atë që e di unë.” Shih ”Mexhmu-ul-Fataua” (5/11).

Si mundet metodologjia e këtyre njerëzve të hutuar të jetë me e ditur dhe më e urtë se ajo e selefëve kur ata vetë e pranojnë se janë të devijuar dhe të hutuar? Selefët ishin shenja dhe fenerë të udhëzimit. Allahu u kishte dhënë atyre dituri me të cilën ata i kalonin pasuesit e profetëve të tjerë. Ata e kuptonin realitetin e besimit dhe dijeve aq shumë saqë nëse ky person do të kishte pasur tërë dijen që të mëvonshmit posedonin ai do të kishte turp t’i krahasojë ata me selefët aq më tepër që t’u japë përparësi atyre para selefëve. Me këtë qartësohet se metodologjia e selefëve është më e sigurt, më e ditur dhe më e urtë.

Shpërndaje: