Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.Parimi i parë

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 13-14

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Parimi i parë

Parimi i parë është që ta dish se kufarët të cilët i dërguari i Allahut ﷺ i luftoi, pranonin se Allahu -te ala- ishte Krijuesi dhe Sistemuesi i të gjitha çështjeve. Por kjo nuk i futi ata në Islam. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:

Thuaju (O Muhammed): “Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve?” Ata do të thonë: ”Allahu”.”  Junus, 10:31

Shpjegimi

Parimi i parë është që ta dish se kufarët që i luftoi i dërguari i Allahut ﷺ pohonin se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij (Teuhid-ur-Rububijeh). Megjithatë, ata nuk hynë në Islam dhe ata nuk i siguruan as jetët e tyre, e as pasuritë e tyre. Kjo nënkupton se teuhidi nuk është i plotë nëse pohon vetëm Teuhidin Rububijeh, se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij, dhe shirku nuk është vetëm shirk në Teuhidin Rububijeh. Në fakt këtë lloj shirku e kanë vetëm një numër i veçuar i njerëzve të devijuar. Të gjitha umetet pohojnë se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij. Që Allahu është i vetëm në veprimet e Tij do të thotë se Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi që jep jetë, Ai që jep vdekje dhe mbikëqyrë krijesat.

Asnjë njeri nuk ka pohuar kurrë se dikush krijon, furnizon, jep jetë ose vdekje karshi Allahut -te ala-. Idhujtarët besonin se Allahu ishte Krijuesi dhe Furnizuesi që jep jetë dhe vdekje, dhe kontrollon rendin e krijimit:

”Nëse ti i pyet ata: Kush krijoi qiejt dhe tokën? Me siguri do të thonë: “Allahu!” Llukman, 31:25

”Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i arshit të madh?” Ata do të thonë: “Allahu!” Mu’minun, 23:86-87

Lexoni në fund të sures “el-Mu’minun” për të parë se si idhujtarët pohuan se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij. E njëjta gjë është edhe në surën “Junus”: 

Thuaju (O Muhammed): “Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve?” Ata do të thonë: ”Allahu”.” Junus, 10:31

Pa mëdyshje ata e pohuan këtë.

Teuhidi pra nuk është vetëm Teuhidi Rububijeh, se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij, gjë të cilën e pohojnë filozofët dhe shkencëtarët në besimet e tyre. Ata besojnë se teuhidi është që të pohosh se Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi që jep jetë dhe vdekje. Si shtesë, ata thonë:

“Ai është i vetmi në qenien e Tij, i vetmi me cilësitë e Tij dhe Ai nuk i ngjan askujt me veprimet e Tij dhe Ai nuk ka ndihmues.”

Ky pra është Teuhidi Rububijeh, besimi se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij. Nuk ka libër të shkruar nga filozofët fetarë vetëm se ju do të gjeni se ata vetëm merren me këtë temë dhe asgjë tjetër. Ky nuk është lloji i teuhidit me të cilin Allahu i dërgoi të dërguarit. Vetëm pohimi i tij nuk i sjell dobi personit në fjalë. Ky lloj i teuhidit u pohua edhe nga idhujtarët por megjithatë ata as nuk e braktisën mosbesimin e as nuk hynë në Islam. Ky është një gabim tepër i madh. Ata që besojnë në këtë mënyrë nuk besojnë më tepër se Ebu Xhehli dhe Ebu Lehebi.

Disa intelektualë modernë pohojnë vetëm llojin e teuhidit që thotë se Allahu është i vetëm në veprimet e Tij dhe ata nuk i kushtojnë as vëmendjen më të vogël Teuhidit Uluhijeh që do të thotë se vetëm Allahu ka të drejtë të adhurohet. Ky është pra një keqkuptim i teuhidit.

Lidhur me shirkun, ata thonë se shirk do të thotë:

“Të besosh se dikush tjetër krijon dhe furnizon karshi Allahut.”

Ne i përgjigjemi: Këtë e thanë edhe Ebu Xhehli dhe Ebu Lehebi. Ata nuk thanë se dikush tjetër krijon ose furnizon karshi Allahut. Në fakt, ata pohuan se Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi që jep jetë dhe jep vdekje.

Shpërndaje: