Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 10-12
Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab
Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Imam Muhammed bin Abdil-Uehabi -rahimehullah- ka thënë:
“Kur ta dish se adhurimi do të shkojë huq dhe vepra do të anulohet në qoftë se përzihet me shirk dhe se praktikuesi i tij mbetet në zjarr përgjithmonë, atëherë e kupton se kjo çështje është detyrimi më i rëndësishëm për ty që ta dish. Shpresojmë se Allahu do të lirojë nga kjo rrjetë, e që është të adhurosh dikë tjetër pos Allahut.
Allahu -te ala- ka thënë:
”Vërtet që Allahu nuk e fal (mëkatin e) të vënit ortak Atij, por mëkatet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” En-Nisa, 4:116
Kjo dihet përmes dijes së katër parimeve të cilat Allahu -te ala- i ka përmendur në librin e Tij.”
Shpjegimi
Pasi ta dish se çka është teuhidi, që do të thotë të adhurohet vetëm Allahu, ti gjithashtu duhet ta dish se çka është shirku. Ai që nuk ka dijeni për një gjë si pasojë do të bjerë në të. Ti duhet të kesh njohuri lidhur me llojet e ndryshme të shirkut për t’iu shmangur atyre sepse Allahu ka paralajmëruar ndaj shirkut dhe ka thënë:
”Vërtet që Allahu nuk e fal (mëkatin e) të vënit ortak Atij, por mëkatet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” En-Nisa, 4:48
Ky është shirku rreziku i të cilit do të thotë përjashtim nga xheneti:
”Nuk ka dyshim se ai që i bën ortak Allahut, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” El-Maide, 5:72
Dhe shirku e ndalon robin nga falja e Allahut:
”Padyshim që Allahu nuk e fal (gjynahun e) të vënit ortak Atij në adhurim.” En-Nisa, 4:48
Pra, ky është një rrezik i madh për të cilin duhet të kesh dije para çdo rreziku tjetër sepse shirku e devijon mendjen dhe logjikën. Le ta dimë pra çka është shirk sipas Kuranit dhe sunnetit. Allahu nuk ka paralajmëruar ndaj diçkaje pa e sqaruar atë sikurse nuk i ka obliguar njerëzit me diçka pa ua qartësuar atë njerëzve. Ai nuk e ndaloi shirkun duke e lënë në mënyrë të përgjithshme, por Ai në fakt e sqaroi gjerësisht në Kuranin madhështorë dhe kështu bëri i dërguari ﷺ në sunnet, në një mënyrë të qartë dhe të mjaftueshme. Për ta ditur se çka është shirku ne duhet t’i referohemi Kuranit dhe sunnetit dhe jo mendimit të ndonjë personi.