“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

50.Dallimi mes lartësisë dhe afërsisë së Allahut

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 74-76

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Nga besimi në Allahun është të besosh në atë që Allahu ka thënë në Librin e Tij, që transmetohet në mënyrë të shumëfishtë nga i dërguari i Tij ﷺ dhe për të cilën selefët ishin unanim se Allahu (subhaneh) është mbi qiejt e Tij, mbi arshin e Tij dhe i ndarë nga krijesat e Tij, ndërsa Ai (subhaneh) është me ta kudo që janë dhe Ai e di se çfarë veprojnë. Ai i bashkoi të dy cilësitë dhe tha:

هُوَ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ يَعْلَمُ مَا يَلِجُ فِي الْأَرْضِ وَمَا يَخْرُجُ مِنْهَا وَمَا يَنزِلُ مِنَ السَّمَاء وَمَا يَعْرُجُ فِيهَا وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

”Ai është që krijoi qiejt dhe tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi arsh. Ai e di çka futet në tokë dhe çka del prej saj, çka zbret nga qielli dhe çka ngrihet në të dhe Ai është me ju kudo që të jeni, Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.” 1

Ajeti që thotë se Ai është me ju kudo nuk do të thotë se Ai përzihet me krijesat. Këtë nuk e nënkupton as aspekti gjuhësor. Hëna është një nga argumentet e Allahut dhe një nga krijesat e Tij më të vogla. Ajo është në qiell dhe megjithatë është me udhëtarin kudo që ai është. Allahu (subhaneh) është mbi arshin e Tij, i vëzhgon krijesat e Tij dhe i mbikëqyr ata.

E gjithë ajo që Allahu e ka përmendur se Ai është mbi arsh dhe është me ne është e vërtetë. Nuk ka nevojë të shtrembërohet. Megjithatë, ajo duhet të mbrohet nga supozimet e pavërteta sikurse gjoja fjala e Tij:

أَأَمِنتُم مَّن فِي السَّمَاء

“A u siguruat ju prej Atij që është mbi qiell.” 2

do të thotë që qielli e mbulon Atë ose e bartë Atë. Kjo është e pavërtetë sipas të gjithë dijetarëve dhe besimtarëve. Kursiji (krijesa mbi të cilën Allahu vendos këmbët) i Allahut rrethon qiejt dhe tokën dhe është Allahu që i mban lart qiejt dhe tokën që ato të mos zhduken. Ai është që e mban qiellin që të mos bie në tokë pa lejen e Tij:

وَمِنْ آيَاتِهِ أَن تَقُومَ السَّمَاء وَالْأَرْضُ بِأَمْرِهِ ثُمَّ إِذَا دَعَاكُمْ دَعْوَةً مِّنَ الْأَرْضِ إِذَا أَنتُمْ تَخْرُجُونَ

”Nga argumentet e Tij është se qielli dhe toka qëndrojnë me urdhrin e Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (do të ringjalleni).”3

Shpjegimi

Ky kapitull është një nga kapitujt më të rëndësishëm të këtij libri dhe është në përputhje me pjesën e parë të librit. Autori (rahimehullah) ka thënë:

Nga besimi në Allahun është të besosh në atë që Allahu ka thënë në Librin e Tij, që transmetohet në mënyrë të shumëfishtë nga i dërguari i Tij ﷺ dhe për të cilën selefët ishin unanim. Allahu (subhaneh) është mbi qiejt e Tij, mbi arshin e Tij dhe i ndarë nga krijesat e Tij, ndërsa Ai (subhaneh) është me ta kudo që janë dhe Ai e di se çfarë veprojnë.

Është konfirmuar me Kuran, sunnet dhe me konsensusin e Selefëve. Të gjithë selefët besuan se Allahu (subhanehu ue te ala) është mbi qiejt e Tij, mbi arsh dhe i ndarë nga krijesat e Tij. Se Ai është i ndarë nga krijesat e Tij do të thotë se Ai është i ndarë prej tyre. Asnjë nga krijesat nuk është në qenien e Tij dhe asgjë nga qenia e Tij nuk është në krijesat e Tij.

Abdullah bin el-Mubarak dhe të tjerët kanë thënë:

“Ne e njohim Zotin tonë duke e ditur se Ai është mbi shtatë qiej dhe se Ai është ngritur mbi arsh. Ai është i ndarë nga krijesat e Tij ndërsa dituria e Tij është në çdo vend.”

Kështu thanë të gjithë selefët (rahimehumullah); Ai është mbi qiej dhe mbi arsh, ndërsa dija e Tij është kudo. Kjo nuk është paradoksale. Ai (subhaneh) është mbi arsh ndërsa dija e Tij përfshin gjithçka. Allahu bashkoi këto dy cilësi dhe tha:

أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِمَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَى مِن ذَلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا ثُمَّ يُنَبِّئُهُم بِمَا عَمِلُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّ اللَّهَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

“A nuk e ke parë se Allahu është në dijeni për gjithë ç’gjindet në qiej dhe gjithë ç’gjindet në tokë? Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta kudo që të jenë.” 4

Ai e filloi ajetin me dijen dhe e përfundoi me dijen. Kjo dëshmon dallimin mes dijes dhe lartësisë. Se Allahu di gjithçka është konfirmuar në Kuran, në sunnet dhe tek konsensusi i selefëve. E njëjta gjë vlen edhe për lartësimin e Tij mbi arsh. Nuk ka asnjë kundërshtim. Megjithatë, kjo duhet të mbrohet nga supozimet e pavërteta sikurse qielli e mbulon Atë ose që e bartë Atë, ose se Ai ka nevojë për qiejt. Jo, është Ai që i mbanë qiejt dhe arshin. Është Ai që thotë:

إِنَّ اللَّهَ يُمْسِكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ أَن تَزُولَا وَلَئِن زَالَتَا إِنْ أَمْسَكَهُمَا مِنْ أَحَدٍ مِّن بَعْدِهِ

“Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s’ka askush pos Tij që mund t’i mbajë.” 5

وَمِنْ آيَاتِهِ أَن تَقُومَ السَّمَاء وَالْأَرْضُ بِأَمْرِهِ ثُمَّ إِذَا دَعَاكُمْ دَعْوَةً مِّنَ الْأَرْضِ إِذَا أَنتُمْ تَخْرُجُونَ

”Nga argumentet e Tij është se qielli dhe toka qëndrojnë me urdhrin e Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (do të ringjalleni).”

Të gjitha krijesat qëndrojnë nga Ai (xhele ue ala). Ai i mbanë ato, i ruan ato, i rregullon dhe i krijon ato. Në të njëjtën kohë Allahu (subhanehu ue te ala) është mbi arsh dhe mbi të gjitha krijesat e tjera.

Se Allahu është me ne dhe është mbi arsh është e vërtetë. Nuk ka nevojë të shtrembërohet. As nuk duhet të kuptohet se Ai është i përzier me krijesat e Tij kundrejt besimit të Mutezilivie dhe të Xhehmive. Jo, Allahu (subhaneh) është mbi arsh dhe dija e Tij është kudo. Asgjë, qoftë në qiell apo në tokë nuk është e fshehur për Të (xhele ue ala).

Besimtari është i detyruar të posedojë këtë besim madhështor që konfirmohet në Kuran dhe sunnet dhe në përputhje me konsensusin e selefëve. Ai duhet ta dijë se lartësia e Allahut nuk bie në kundërshtim me të qenurit e Tij me krijesat me diturinë dhe gjithëpërfshirjen e Tij. Lartësimi është një gjë dhe dituria një gjë tjetër. Asgjë, as në qiej as në tokë nuk i fshihet dijës së Tij. Në të njëjtën kohë Ai (subhanehu ue te ala) është mbi arsh dhe mbi të gjitha krijesat e tjera:

لِتَعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ وَأَنَّ اللَّهَ قَدْ أَحَاطَ بِكُلِّ شَيْءٍ عِلْمًا

“Që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka me diturinë e Tij.6

إِنَّ اللّهَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

“Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” El-Enfal, 8:75

إِنَّ اللَّه عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Allahu ka Fuqi për çdo send.” 8

وَكَانَ اللَّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ مُّقْتَدِرًا

“Allahu ka fuqi për çdo send.” 9


1 El-Hadid 57:4.

2 El-Mulk 67:16-17.

3 Er-Rum 30:25.

4 El-Muxhadilah 58:7.

5 El-Fatir 35:41.

6 Et-Talak 65:12.

7 El-Enfal 8:75.

8 El-Bekare 2:20.

9 El-Kehf 18:45.

Shpërndaje: