Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

51.I mençuri dhe besueshmëria

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – I mençuri është i obliguar të jetë i denjë në mënyrë që të zotëroj cilësi të bukura aq sa të mundet dhe t’i shmanget cilësive të këqija aq sa të mundet.

2 – Nuk kam parë askënd që është aq humbës i madh, aq budalla dhe qesharak sesa personi që mburret me cilësitë e paraardhësve të tij ndërsa vetë nuk i ka ato.

3 – Hasan el-Basri ka thënë:

”Nuk ka fe pa dinjitet.”

4 – Disa thanë se dinjiteti është që t’i japësh ushqim axhallarëve, të shtosh pasurin dhe të ulesh në karrige në shtëpinë tënde.

Disa thanë se dinjiteti është të jesh i drejtë ndaj atij që është më i ulët se ti, ta nderosh atë që është më i lartë se ti dhe të shpërblesh për dhuratën që të është dhënë me po aq shumë.

Disa thanë se dinjiteti është ta pranosh të vërtetën dhe të kujdesesh për mysafirët.

Disa thanë se dinjiteti është ta flasësh të vërtetën, të durosh më të këqijat e fqinjit, tu japësh njerëzve dhe të mos i bezdisësh njerëzit e huaj dhe fqinjët.

Disa thanë se dinjiteti është vetëm të mos posedosh cilësi të shëmtuara.

Disa thanë se dinjiteti është të jesh i butë dhe të ke cilësi të bukura.

Disa thanë se dinjiteti është të përmbahesh nga dynjaja dhe të punosh; të përmbahesh nga ajo që Allahu e ka ndaluar dhe të punosh atë që Allahu e ka lejuar.

Disa thanë se dinjiteti është të jesh mirënjohës kur të jepet diçka, të jesh i durueshëm kur sprovohesh, të falësh kur ke mundësi të dënosh dhe të përmbushësh premtimin kur premton.

Disa thanë se dinjiteti është të jesh i dashur dhe i zgjuar.

Disa thanë se dinjiteti është t’i shmangesh çdo gjëje të dyshimte sepse i dyshuari nuk është fisnik, ta shtosh pasurin tënde sepse i varfëri nuk është fisnik dhe ta furnizosh familjen tënde sepse ai familja e të cilit ka nevojë për të tjerët nuk është fisnik.

Disa thanë se dinjiteti është të qenurit i pastër dhe të vijë era e mirë.

Disa thanë se dinjiteti është elokuenca dhe tolerimi.

Disa thanë se dinjiteti është të kujdesurit për marrëveshjet dhe respektimi i kontratave.

Disa thanë se dinjiteti është të bësh shaka dhe të buzëqeshësh.

5 – Ata kanë mendime të ndryshme për dinjitetin por të gjitha ato janë të përafërta.

6 – Sipas meje dinjiteti është t’i shmangesh të gjitha veprave që Allahu dhe muslimanët i urrejnë dhe të bësh të gjitha veprat që Allahu dhe muslimanët i duan.

7 – Ibn Sirin ka thënë:

”Tre gjëra nuk i përkasin dinjitetit; ngrënia jashtë në treg, të lyhesh me parfum te shitësi i parfumeve dhe të shikosh në pasqyrë te ai që bën hixhame.”

8 – Esh-Sha’bi ka thënë:

”Nuk është dinjitet të shikosh në pasqyrë te ai që bën hixhame.”

9 – Ebu Kilabe ka thënë:

”Nuk është dinjitet që të fitosh para nga shoku yt.”

10 – Muauijeh bin Ebi Sufjan ka thënë:

”Sëmundja e dinjitetit qëndron në të paturit shokë të këqij.”

11 – Sherik ka thënë:

”Poshtërimi i botës është në pesë gjëra: të vizitosh hamamet para agimit pa kovë, të kalosh udhëkryqin që nuk ka kalim për këmbësorë, të shkosh në leksion pa libër, që personi i nderuar të ketë nevojë për personin që është më i ulët sesa ai dhe që burri të ketë nevojë (financiare) për gruan e tij.”

Shpërndaje: