Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

52.Çdo gjë në Kuran është fjalë e Allahut

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 79-80

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Nga besimi në Allahun dhe në Librat e Tij është besimi se Kurani është fjalë e zbritur e Allahut dhe nuk është i krijuar, ka filluar nga Ai dhe do të kthehet tek Ai. Allahu e ka shpallur atë në të vërtetë. Ky Kuran i cili i ka zbritur Muhammedit ﷺ është fjala e vërtetë e Allahut dhe jo fjalë e dikujt tjetër. Nuk lejohet të thuhet që Kurani është shprehje e fjalës së Allahut ose kuptimi i saj. Pavarësisht nëse njerëzit e lexojnë ose e shkruajnë atë, ajo mbetet fjala e vërtetë e Allahut (te ala). Një fjalë i atribuohet atij që e fletë atë së pari, jo atij që e tregon atë. Pra Kurani është fjalë e Allahut me shkronjat dhe kuptimet e tij. Fjalët e Allahut nuk janë as shkronja pa kuptim ose kuptim pa shkronja.

Shpjegimi

Nga besimi në Allahun dhe Librat e Tij, është besimi se Kurani është fjalë që i ka zbritur robit dhe të dërguarit dhe profetit të fundit të Tij ﷺ. Ai është fjalë e Allahut duke pasur parasysh shkronjat e tij dhe kuptimet e tyre. Është e detyrueshme të besojmë se është fjalë e pa krijuar e Allahut. Ai ka filluar nga Ai dhe do të kthehet tek Ai. Nuk bie në kundërshtim se shkruhet, lexohet dhe memorizohet. Ai memorizohet në gjoks, shkruhet në libra dhe dëgjohet nga veshët.

Megjithtë, është fjalë e Allahut duke pasur parasysh shkronjat e tij dhe kuptimet e tij. Nuk është e lejuar të besosh se Kurani është një tregim apo një shprehje e fjalëve të Allahut të cilën Esharitë, Kulabitë, dhe të tjerët e thonë. Kurani, shkronjat dhe kuptimet e tij janë fjalë e Allahut. Ai nuk është fare ndonjë shprehje ose tregim i fjalës së Allahut. Kurani është fjalë e Allahut. Kur Ai thotë:

اللّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ

“Allahu! Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Atij Tij, të Gjallit, Mbajtësit të gjithçkaje.” 1

kjo është fjalë e Allahut. Kur Ai thotë:

الْحَمْدُ للّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

 “Hamdi dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve!” 2

Është fjalë e Allahut. Kur Ai thotë:

وَلاَ يَؤُودُهُ حِفْظُهُمَا

“Kujdesi i Tij ndaj të dyjave nuk i vjen rëndë.” 3

Është fjalë e Allahut. Të gjitha ajetet dhe çdo gjë që Allahu ka thënë janë fjalët e Allahut, nga fillimi deri në fund, shkronjat dhe kuptimet e tij. Të folurit e Allahut nuk janë as shkronja pa kuptim ose kuptim pa shkronja. Allahu tha:

اللّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ

“Allahu! Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Atij Tij, të Gjallit, Mbajtësit të gjithçkaje!” El-Bekare 2:255.

Kjo është fjalë e Allahut. Kjo nënkupton jetën, pushtetin, ruajtjen dhe mbikëqyrjen. Gjitha këto janë fjalët e Allahut (subhanehu ue te ala):

قُلْ مَن يَكْلَؤُكُم بِاللَّيْلِ وَالنَّهَارِ مِنَ الرَّحْمَنِ

Thuaj: “Kush ju mbron juve prej (dënimit të) të Madhëruarit natën e ditën?”4

إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُهُ

”Tek Ai ngrihet fjala e mirë dhe puna e drejtë e lartëson atë (fjalën e mirë).’’ 5 

فَالْحُكْمُ لِلَّهِ الْعَلِيِّ الْكَبِيرِ

“Gjykimi është i Tij, të Lartit, të Madhëruarit!” 6

إِنَّهُ سَمِيعٌ قَرِيبٌ

“Ai dëgjon çdo gjë dhe është gjithmonë afër!” 7

إِنَّ اللّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

”Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” 8

وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ وَأَنَّ اللَّه رَؤُوفٌ رَحِيمٌ

“Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, (do ta përjetoshit menjëherë dënimin), po Allahu është shumë i butë, i mëshirshëm.” 9

Sipas Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit të gjitha këto janë fjalë të Allahut që përfshijnë shkronjat dhe kuptimet e tyre.


1 El-Bekare 2:255.

2 El-Fatiha 1:2.

3 El-Bekare 2:255.

4 El-Enbija’ 21:42.

5 El-Fatir 35:10.

6 Gafir 40:12.

7 Sebe 34:50.

8 El-Bekare 2:181.

9 En-Nur 24:20.

Shpërndaje: