Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

52.Kështu besuan Selefët cilësitë e Allahut (fundi i librit)

Imam Ali bin Umer ed-Darakutni (v. 385)

Burimi: Kitab-us-Sifat, fq. 114-124

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

59 – Muhammed bin Mahled na tregoi: el-Abbas bin Muhammed ed-Duri na tregoi: Kam dëgjuar Ebu Ubejd el-Kasim bin Sel-lam duke thënë në lidhje me hadithet rreth shikimit të Allahut, kursisë dhe vendit të vendosjes së këmbëve, rreth haditheve ku Zoti ynë qesh me robërit e Tij për shkak të humbjes së shpresës nga ana e tyre, afërsisë së Tij, ku ishte Zoti ynë para se Ai të krijonte qiejt, se xhehenemi nuk do të mbushet deri sa Zoti juaj (azze ue xhel) të vë këmbën e Tij mbi të dhe pastaj të thotë ”mjaft, mjaft” dhe hadithe të ngjashme dhe ai tha:

”Këto hadithe janë autentike. Transmetues të besueshëm i kanë transmetuar ato nga njëri-tjetri derisa arritën tek ne. Ne besojmë se ato janë të vërteta dhe nuk kemi asnjë dyshim në lidhje me këto hadithe, por në qoftë se dikush pyet për mënyrën se ”Si”, p.sh. si Ai e vendos këmbën e Tij dhe se si Ai qesh, themi se këto nuk duhet të interpretohen (shpjegohen), dhe se ne nuk kemi dëgjuar askënd t’i interpretojë ato.” 1

60 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: el-Abbas bin Muhammed ed-Duri na tregoi: E kam dëgjuar Jahja Ma’in duke thënë: Isha i pranishëm kur Zekerija bin Adij pyeste Uekiun duke i thënë: ”si” për këto hadithet dhe i tha:

”O Ebu Sufjan! Çfarë thuhet në lidhje me këto hadithe, sikurse kursia dhe vendi i vendosjes së këmbëve dhe të tjera?”

Uekiu tha: ”Ne kemi takuar Isma’il bin Ebi Khalid, Sufjanin dhe Mis’arin të cilët na i transmetuan këto hadithe pa na interpretuar asgjë.”

61 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Muhammed bin Is’hak es-Sagani na tregoi: Muhammed bin Sulejman – Luejn i cili ka thënë:

”I thanë Ibn Ujejnes: ”Cfarë thuhet në lidhje me hadithet si shikimi i Allahut?”

Ai tha: ”Ato janë të vërteta. Ne i kemi dëgjuar nga njerëz të besueshëm dhe jemi të kënaqur me këto hadithe.” 2

62 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: el-Hasan bin el-Fadhl bin es-Semh na tregoi: E kam dëgjuar Ahmed bin Abi Shurejh duke thënë: E kam dëgjuar Uekiun duke na treguar neve një hadith në lidhje me shikimin e Allahut ose një hadith tjetër dhe tha:

”Nëse shihni dikë duke mohuar këto hadithe, atëherë duhet ta konsideroni atë se i përket Xhehmive.”

63 – Muhamed bin Makhlad na tregoi: Isa bin Is’hak bin Musa el-Ensari Ebul-Abbas na tregoi: Unë e dëgjova babanë tim duke thënë: E kam dëgjuar Sufjan bin Ujejnen duke thënë:

”Interpretimi i të gjitha atyre cilësive me të cilat Allahu e ka cilësuar veten e Tij në Kuran qëndron në leximin e tyre pa pyetur për to ”Si” dhe duke mos i përngjasuar ato.”

64 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Is’hak bin Jakub el-Attar na tregoi: E kam dëgjuar Ahmed bin ed-Dauraki duke thënë: E kam dëgjuar Uekiun duke thënë:

”Ne u nënshtrohemi këtyre haditheve fjalë për fjalë. Ne nuk pyesim ”Si” qenka kështu! Dhe nuk themi: Jo nuk kanë ardhur këto transmetime!” 3

65 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Ebul-Abbas Is’hak bin Jakub na tregoi: E kam dëgjuar Ahmed bin ed-Dauraki duke thënë: Ahmed bin Nasr më tregoi: e kam dëgjuar Sufjan bin Ujejnen pasi nxitova tek ai për ta pyetur pas namazit të jacisë në shtëpinë tij dhe më tha:

”Më lër të marr frymë.” I thashë: ”O Ebu Muhammed! Unë dua të të pyes për diçka.” Ai tha: ”Mos pyet.” I thashë: ”Duhet të të pyes ty. Kë tjetër të pyes?” Ai tha: ”Atëherë pyet.” I thashë: ”Si është hadithi nga Ubejdeh nga Abdullahi nga profeti ﷺ:

”Vërtet Allahu (azze ue xhel) do të mbajë qiejt në një gisht e tokat në një gisht …”

Dhe hadithi: ”Zemrat e bijve të Ademit janë midis dy gishtave të Mëshirshmit (azze ue xhel) …”

Dhe hadithi: ”Allahu (azze ue xhel) çuditet dhe qesh.”?

Sufjani tha: ”Ato janë ashtu siç janë transmetuar. Ne i pohojmë ato dhe i ritransmetojmë pa pyetur ”Si”.” 4

66 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Muhammed bin Muhammed bin Umer bin el-Hakam Ebul-Hasan bin el-Attar na tregoi: E kam dëgjuar Muhammed bin Mus’ab el-Abid duke thënë:

”O Allah, ai që pretendon se Ti nuk flet dhe se nuk do të shihesh në ditën e gjykimit ka mohuar fytyrën Tënde dhe nuk të njeh. Unë dëshmoj se je mbi arsh mbi shtatë qiej dhe jo sikurse thonë armiqtë e Tu zindikët (mohuesit).” 5

67 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Muhammed bin Is’hak es-Sagani na tregoi: Muslim bin Kadim na tregoi: Musa bin Daudi na tregoi: Abbad bin el-Auam na tregoi:

”Sherik bin Abdil-Lah erdhi tek ne dhe pastaj ne i thamë atij: ”O Ebu Abdil-Lah! Tek ne janë disa prej Mutezilive që i mohojnë hadithet si:

”Çdo natë Allahu (tabarak ue te ala) zbret në qiellin e dunjasë.” 6

dhe:

”Banorët e xhenetit do ta shohin Zotin e tyre.”

Dhe Sherik më tregoi rreth dhjetë hadithe në lidhje me këtë temë. Pastaj ai tha: ”Për sa i përket neve, ne e marrim fenë tonë nga bijtë e tebiinëve dhe këta e morën atë nga sahabët e të dërguarit të Allahut . Po këta nga kush e marrin fenë e tyre?” 7

68 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Ebu Abdil-Lah bin Rauh bin Ebi Seid na tregoi: E kam dëgjuar Ebu Rubabeh Ukbah bin Kubajseh bin Ukbeh duke thënë:

”Një ditë shkuam në shtëpinë e Ebu Nu’ejmit. Ai zbriti poshtë shkallëve që kishte në shtëpinë e tij. Ai u ul midis nesh dhe dukej i zemëruar. Pastaj ai tha: ”Sufjan bin Seid bin Masruk eth-Theuri na tregoi, Zuhejr bin Muauija bin Hudejxh bin Rahil el-Xhu’fi na tregoi, Hasan Bin Salih bin Haj na tregoi Sherik bin Abdil-lah en-Nakha’i na tregoi:

”Këta bijtë e Muhaxhirinëve na treguan se Allahu (azze ue dxhel) do të shihet në botën tjetër derisa erdhi i biri i jehudiut Sabbagh, dhe tha të kundërtën.” D.m.th. Bishr el-Merisi.

69 – Muhammed bin Makhlad na tregoi: Ahmed bin Sad Ebu Ibrahim ez-Zuhri na tregoi: el-Hejthem bin el-Kharixhah na tregoi: el-Uelid bin Muslim na tregoi:

”E pyeta el-Euzain, Malik bin Enesin, Sufjan eth-Theurin dhe Lejth bin Seadin në lidhje me hadithet se Allahu do të shihet në botën tjetër dhe haditheve të tjera në këtë temë, ata thanë: ”Transmetoi ato pa i komentuar se si janë ato.” 8

70 – Ibn Makhlad na tregoi: Ebu Ibrahim Ez-Zuhri na tregoi: Jahja bin Ejub na tregoi: ”Abdullah Bin Uehb na tregoi nga Malik bin Enes nga ez-Zuhri i cili tha: ”Nënshtrojuni sunnetit dhe mos e kundërshtoni atë.”


1 Autentik sipas Ibnu Tejmijes në ”Mexhmu-ul-Fataua” (5/51).

2 Zinxhiri i transmetimit të këtij etheri është i saktë, ”Mukhtasar el-Ulu”, fq. 165 të Shejkh Albanit.

3 Zinxhiri i transmetimit të këtij etheri është i saktë, ”Mukhtasar el-Ulu”, fq. 169

4 Zinxhiri i transmetimit të këtij etheri është i saktë, ”Mukhtasar el-Ulu”, fq. 165.

5 Khatib el Bagdadi me të njëjtin isnad në ”Tarikh Bagdad”, 3/280

6 Bukhari (1145) dhe Muslimi (758).

7 Zinxhiri i transmetimit të këtij etheri është i saktë, ”Mukhtasar el-Ulu”, fq. 149 dhe Ibn Mende në ” Teuhid”, 2/97 me një rrugë tjetër transmetimi sahih nga Abbad (ibn Auami) në mënyrë të ngjashme por me tekst: ”Si i mohojnë ata këto hadithe? Ata që na transmetuan këto hadithe, janë po ata që na transmetuan në lidhje me namazin dhe sunetin e të dërguarit të Allahut ﷺ.”

8 ”Mukhtasar el-Ulu”, fq. 143

Shpërndaje: