Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

50.Lavdërimi i të vdekurit

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Nëse Allahu ka bërë që njerëzit ta lavdërojnë dhe ta përmendin të vdekurin në një mënyrë të bukur, atëherë dominon mendimi se personi u takon të mirëve. Nuk mund të mohohet se nëse Allahu e do një njeri, që Ai t’i bëjë muslimanët që ta lavdërojnë dhe ta duan atë.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” Merjem, 19:96

Është saktësuar se profeti ﷺ ka thënë:

“Vërtet, kur Allahu e do një njeri, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: “Allahu e do filanin, andaj duaje edhe ti!” Dhe Xhibrili e do këtë njeri dhe thërret te banorët e qiellit: “Allahu e do filanin, andaj duajeni edhe ju!” Dhe e duan atë banorët e qiellit dhe ai gjen pranim (dashuri e respekt) edhe tek banorët e tokës.

Transmeton Bukhari (7485) dhe Muslimi (2637).

Ne kemi parë sot dhe kemi mësuar sesi në të kaluarën dijetarët, pasuesit e hadithit dhe tregtarët janë lavdëruar dhe dashur nga njerëzit. Mijëra njerëz kanë ardhur në varrimet e tyre. Është gjithashtu e mundur që Allahu të rrisë numrin tyre me xhinë dhe engjëj. Është gjithashtu e mundur që të dëgjohet një zhurmë nga qielli gjatë varrimit. Shejkhu ynë dhe Alameh Shems-ud-din Ebul-Faraxh Abdur-Rrahman El-Makdesi na ka thënë: “Unë e kam dëgjuar këtë zhurmë nga qielli disa herë si formë përgëzuese për të vdekurit”, pastaj tha: “Disa nga shokët e mi më kanë treguar sesi ata e kanë dëgjuar këtë zhurmë gjatë varrimit të disa njerëzve për të cilët është thënë se janë njerëz të mirë.”

Muhamed bin Jezid Er-Rifa’i ka thënë: Amr bin Kajs El-Mala’i vdiq në vendet e perandorisë persiane. Njerëz të panumërt erdhën në varrimin e tij. Pasi e varrosën atë, disa njerëz u kthyen prapa dhe nuk panë njeri.”

Enes bin Maliku -radijAllahu anhu- ka thënë: “Kaloi një kortezh me një xhenaze dhe njerëzit e lavdëruan të vdekurin.

Profeti ﷺ tha: “Është vendosur.”

Pastaj kaloi një kortezh me një tjetër xhenaze dhe njerëzit folën keq për të vdekurin.

Profeti ﷺ tha: “Është vendosur.”

Umeri -radijAllahu anhu- e pyeti të dërguarin e Allahut ﷺ: “Çfarë është vendosur?”

Ai ﷺ përgjigj: “Atë të cilin e lavdëruat është përgëzuar me xhenet dhe atë që e përshkruat si të keq i është dhënë zjarri i xhehenemit. Ju jeni dëshmitarët e Allahut në tokë.” 

Transmeton Bukhari (1367) dhe Muslimi (949).

Kur imam Ahmed bin Hanbel vdiq, El-Hejthem bin Khalaf tha:

“E varrosëm Ahmed bin Hanbelin në ditën e premte pas ikindisë në vitin 241h. Kurrë nuk kam parë një turmë më të madhe sesa në varrimin e tij.”

Ibn Ebi Salih El-Kantari ka thënë: “Unë kam marrë pjesë në varrime për 40 vite dhe kurrë nuk parë aq shumë njerëz si në këtë varrim.”

Abdul-Uehab El-Uarrak ka thënë: “Ne nuk dimë që të ketë pasur aq shumë njerëz në një varrim si në kohën para Islamit ashtu edhe në Islam sikurse në varrimin e Ahmedit. Ne kemi dëgjuar se një milion burra dhe 60.000 gra morën pjesë në të – dhe të gjithë dëshmuan se ai ishte i mirë dhe ueli.”

Në hadithin autentik nga Ebu Dherri -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se:

Sahabët i thanë: “O i dërguari i Allahut, çfarë thua për një njeri që bën një vepër të mirë dhe njerëzit e lavdërojnë apo e duan atë?

Ai  tha: “Ky është përgëzim i shpejtuar për besimtarin.”

Transmeton Muslimi (2642) dhe Ibn Maxheh (3423).

Dijetarët thanë se ky përgëzim në këtë botë vërteton përgëzimin e tij në jetën e përtejme.

Allahu -te ala- ka thënë:

“(e do t’u thuhet): “Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e madhe!” El-Hadid, 57:12

Ky përgëzim i hershëm në këtë botë dëshmon se Allahu është i kënaqur me të, e do atë dhe se njerëzit e duan atë.

Shpërndaje: