Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 81-84
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:
Nga ajo që ne kemi përmendur në lidhje me besimin në Allahun, Librat e Tij, engjëjt e Tij dhe të dërguarit e Tij është se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në ditën e gjykimit me sytë e tyre sikurse e shohin diellin në një ditë pa re dhe hënën e plotë. Ata nuk do të kenë pengesa kur ta shohin Atë. Ata do ta shohin Allahun (subhaneh) në vendin e tubimit dhe pastaj në xhenet siç dëshiron Allahu (te ala).
Shpjegimi
Ky kapitull flet për atë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre. Në përgjithësi besimtarët besojnë në të gjitha ato që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ ka thënë në lidhje me xhenetin, xhehenemin, engjëjt, librat ku shkruhen veprat, peshoren, dhënien llogari, shpërblimin dhe gjëra të tjera rreth botës tjetër. Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati besojnë në gjitha këto në përgjithësi.
Kësaj i përket edhe besimi në shikimin në Zotit në ditën e gjykimit. Besimtarët do ta shohin Atë me sytë e tyre, qartë tërësisht pa asnjë paqartësi fare:
“Ju me të vërtetë do ta shihni Zotin tuaj sikurse e shihni hënën e plotë – nuk do të keni vështirësi ta shihni Atë.”
Kështu tha profeti ﷺ.
Kufarët nuk do ta shohin Atë. Ata do të pengohen nga Ai:
كَلَّا إِنَّهُمْ عَن رَّبِّهِمْ يَوْمَئِذٍ لَّمَحْجُوبُونَ
“Jo dhe Jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej Zotit të tyre (që ta shohin Atë).”1
Do të thotë në ditën e gjykimit.
Besimtarët do ta shohin Zotin e tyre dy herë:
1 – Në vendin e tubimit. Askush pos tyre nuk do ta sheh Atë aty.
2 – Pastaj ata e shohin Allahun (subhanehu ue te ala) në xhenet si të dojë Ai dhe në rastet kur Ai e zbulon fytyrën e Tij fisnike. Në xhenet pra ka raste të caktuara kur ata do ta shohin Atë në varësi të gradëve të tyre.
1 El-Mutaffifin 83:15.