Imam Ibn Kethir Ed-Dimeshkij (v. 774)
El-Fusul fi Sirat-ir-Resul, fq. 62-63
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të dielën në mëngjes, i dërguari i Allahut ﷺ u kërkoi muslimanëve të dilnin për të ndjekur armikun me qëllim që t’i frikësonin ata dhe të tregonin forcën e tyre. Ai urdhëroi që në këtë mision të merrnin pjesë vetëm ata që kishin luftuar në betejën e Uhudit. Të gjithë iu përgjigjën thirrjes përveç Xhabir bin Abdilahut i cili mbeti për të përkujdesur për familjen pas vdekjes së babait të tij në Uhud.
Më vonë, Xhabiri i kërkoi të dërguarit të Allahut ﷺ që t’i bashkohej ekspeditës drejt Hamra El-Esad, dhe profeti ﷺ ia lejoi.
Edhe pse të plagosur, muslimanët zbatuan urdhrin e tij ﷺ dhe u nisën deri në Hamra El-Esad, rreth 20 kilometra nga Medina. Kjo ngjarje është përmendur në fjalët e Allahut -te ala-:
“Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh.” Ali Imran, 3:172
Ma’bad bin Ebi Ma’bad El-Khuzai kaloi pranë të dërguarit të Allahut ﷺ dhe shokëve të tij, dhe u zotua se do t’u garantonte siguri gjatë rrugës së tyre. Më pas ai u takua me Ebu Sufjanin dhe politeistët në Rauha, të cilëve ua tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij ishin në kërkim të tyre. Kjo ngjarje ndikoi thellë në moralin e tyre sepse ata fillimisht kishin ndërmend të marshonin drejt Medinës. Si rezultat i kësaj ata hoqën dorë dhe u kthyen në Mekë.
Gjatë kësaj ekspedite, profeti ﷺ urdhëroi ekzekutimin e skllavit të kapur, Muauijeh bin El-Mughirah bin Ebi El-As. Ai ishte xhaxhai i Aishës dhe gjyshi nga nëna i Abdul-Melik bin Meruanit. Askush tjetër përveç tij nuk u vra në këtë ekspeditë ushtarake.