Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 153-154
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Asnjëri prej jush të mos thotë: ”O Allah, më fal nëse dëshiron, o Allah, më mëshiro nëse dëshiron! ”Le të jetë i vendosur në kërkesën e tij, ngase askush nuk mund ta detyrojë Allahun.” Bukhari (6339).
2 – Tek Muslimi (2679) formulimi është sikurse në vijim:
“Por le të jetë i vendosur në kërkesën e tij dhe le ta çmojë kërkesën sepse për Allahun nuk është e madhe asgjë që jep.”
Shpjegimi:
Autori dëshiron të sqarojë se i takon përsosmërisë së besimit dhe teuhidit që të lutesh me vendosmëri dhe të mos hezitosh. Kur besimtari i lutet Zotit të tij, ai e bën këtë me vendosmëri dhe pa hezitim. Bujaria e Allahut është e madhe. Ai është i Pasuri, i Lavdëruari. Nuk i takon besimtarit që të heziton në lutje dhe të thotë: ”nëse dëshiron”. Njerëzit janë ata të cilëve i lutemi në këtë formë sepse ata ose mund të jenë të paaftë për t’u përgjigjur ose hezitues. Ndërsa Zoti është Bujar dhe i Pasur.
1 – Është transmetuar në mënyrë autentike nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Asnjëri prej jush të mos thotë: ”O Allah, më fal nëse dëshiron, o Allah, më mëshiro nëse dëshiron! ”Le të jetë i vendosur në kërkesën e tij, ngase askush nuk mund ta detyrojë Allahun.”
Prandaj nuk i takon robit të jetë i kursyer në lutjen e tij. Një lutje e kursyer tregon se ai as nuk është në hall, e as nuk ka nevojë për lutje. Është obligim që të jesh i vendosur në lutje. Askush nuk mund ta detyrojë Allahun dhe Ai nuk është i paaftë për asgjë.
2 – Tek Muslimi (2679) formulimi është sikurse në vijim:
“Por le të jetë i vendosur në kërkesën e tij dhe le ta çmojë kërkesën sepse për Allahun nuk është e madhe asgjë që jep.”
Allahu -te ala- është i Plotfuqishmi, i Pasuri dhe i Lavdëruari. Gjithçka që Ai u jep robërve të Tij është e vogël dhe e thjeshtë për Të, megjithëse Ai -subhanehu ue te ala- u jep atyre një pasuri të madhe.
Besimtari duhet të dëshirojë fortë atë që është tek Allahu. Ai duhet të jetë i lidhur fortë me Allahun, t’i kushtojë rëndësi të madhe të drejtuarit kah Allahu dhe t’i nënshtrohet Atij. Kur t’i lutet Atij, robi duhet të tregojë vullnet të fortë dhe nevojë dhe t’i shmanget kursimit të kësaj. Edhe kur lutet për vëllezërit e tij, nuk duhet të thotë: ”Allahu të faltë in sha’a Allah (nëse Ai dëshiron)”, ”Allahu të mëshiroftë – in sha’a Allah (nëse Ai dëshiron).” Ai duhet të jetë i vendosur në lutje dhe të mos thotë: ”in sha’a Allah – nëse Ai dëshiron”, edhe nëse ai e bën këtë duke shpresuar mëshirën e Allahut. Ai kurrë nuk duhet të lutet duke u kursyer. Ai nuk duhet të thotë: ”O Allah! Më fal për shkak të asaj që dëshiron.”
Kuriozitet:
Unazat e martesës janë të pabaza dhe i takojnë zakoneve të nasarave.
Të gjitha hadithet në lidhje me banorët e shpellës janë të dobëta. Është e mundur që ato të përforcojnë njëri-tjetrin. Ka deklarata relevante (të rëndësishme) nga sahabët që janë autentike, të cilat mund të përforcojnë hadithet nga profeti ﷺ.
Nuk lejohet të thuhet: ”O i dërguari i Allahut! Nëse do ta kishe parë gjendjen e umetit sot do të ishe pikëlluar dhe do të ishe lutur për ta…” sepse ai ﷺ, as nuk dëgjon e as nuk sheh se çfarë i themi atij.
Hadithi thotë:
”Ti nuk e di se çfarë shpikën ata pas teje.”
Transmeton Bukhari (4625) dhe Muslimi (247).