Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 66-67
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
45 – Kurani është fjala e Allahut.
Shpjegimi
Pasi të ke besuar në Allahun (azze ue xhel) dhe në të dërguarin e Tij ﷺ, ti duhet të besosh se Kurani është fjala e Allahut. Sepse ky është Kurani të cilin i dërguari ﷺ e kumtoi. Allahu ia shpalli atij Kuranin. Kurani as nuk është fjala e Muhammedit ﷺ, e as e Xhibrilit ﷺ, por është fjala e Allahut. Allahu e ka shqiptuar atë, Xhibrili ﷺ e ka marrë atë nga Allahu, Muhammedi ﷺ e ka marrë atë nga Xhibrili ﷺ dhe umeti e kanë marrë atë nga profeti ﷺ.
Kurani është fjala e Allahut, ai vjen prej Tij (subhaneh). Nuk është se Xhibrili ﷺ e nxorri Kuranin nga pllaka e ruajtur siç thonë të devijuarit. Kurani është një fjalim nga Zoti i botëve. Xhibrili ﷺ dhe Muhammedi ﷺ vetëm se e kanë kumtuar atë nga Allahu (azze ue xhel). Fjalimi i atribuohet atij që e shqipton atë së pari, jo atij që e kumton atë. Ai që thotë se Xhibrili ﷺ e mori Kuranin nga pllaka e ruajtur ose më saktë të thuhet që Allahu e krijoi atë në diçka dhe Xhibrili ﷺ e mori atë nga atje, ky person është kafir. Këtë besim e kanë Xhehmitë, Mutezilitë dhe imituesit e tyre të verbër.
Kurani është fjala e Allahut për sa i përket shkronjave dhe kuptimeve. Allahu e ka shqiptuar atë që Ai ka dashur. Ne themi që Allahu flet. Fjalimi i Tij i përket cilësive të Tij vepruese. Sidoqoftë, ne nuk e dimë natyrshmërinë e fjalimit të Allahut. Kuptimi është i njohur por mënyra se si është e panjohur për ne.